Nga MARCO IMARISIO
“Çfarëdo të ngjasë, ju bëni krahasimet me Bashkimin Sovjetik dhe ktheheni menjëherë në formalitetin e luftës së ftohtë”. Më shumë se një intervistë është një trup me trup. Nëntëdhjetepesë vjeç, në shtëpinë e tij, pak jashtë qytetit, I rrethuar nga betulat dhe katërmbëdhjetë mace, Roj Medvedev, historian i stalinizmit, “fëmija I tmerrshëm” gjatë regjimit sovjetik, kundërshtar i paepur i “amerikanizimit “, të futur nga Boris Jelcin, nuk e shijon privilegjin e shkëputjes. Profesori plak, me çehre luftarake dhe kokë ende të kthjelltë, edhe se e mbushur me ide të diskutueshme, deklarohet “idealisht i lidhur” me atë Rusi të thellë që përbën bazën e miratimit të Vladimir Putinit. “Nuk ka asgjë të keqe mundimi I rikrijimit të një Rusije që, së paku si territor, të kujtojë kufijtë e Carit Pjetri I Parë”.
A nuk ju duket se projekti po del gjithshka, por jo i parrezikshëm?
“Ndoshta i trembesh pasojave ekonomike, por shumica e rusëve është dakord me atë që po ndodh. Por ju perëndimorëve nuk ju pëlqen t’a pranoni. E kështu e përcaktoni Rusinë si një regjim, duke mos mbajtur parasysh se në Duma vendimet merren njëzëri, edhe nga ajo pak opozitë që, po të mos ishte kështu, do të kishte çdo lloj leverdie për të kundërshtuar”.
Edhe sepse kush kundërshton duket se ka ndonjë problem.
“Ekzistojnë shumë lloj demokracish, jo vetëm një. Pranoj se e jona është shumë e kontrolluar. Por vetëm me dhjetë vite demokracie perëndimore, në vitet e Jelcinit, Vëndi po hidhej n’erë. Por edhe ajo ju nuk i u pëlqente. Me përjashtim t’asaj periudhe rusët nuk kanë provuar kurrë demokracinë “tuaj”. Nuk janë mësuar.
Në historinë ruse cili do të jetë vëndi i Putinit?
“Është një figurë absolutisht e veçantë. Ai është i djemnuar nga përballimi me të shkuarën, don të jetë i kujtuar, të bëhet një ikonë e jona. Në këtë drejtim ai është i shtyrë edhe nga ambicia vetiake. Ukraina është mbi të gjitha orvatja për të rishkruar historinë, duke i shmangur rrjedhën.
Sigurisht nuk është një car, një figurë që për të merr ngjyrime mitologjike. Sigurisht nuk i shëmbëllen Leninit, por as Stalinit me të cilin shpesh krahasohet me keqdashje”
Kjo që po ndodh a do të ndryshojë gjykimin tuaj?
“E përcaktojnë si një operacion special. Pranoj se është një përcaktim i mjegullt por sigurisht nuk bëhet fjalë për një luftë të përgjithëshme. Rusët nuk e jetojnë kështu.
Po viktimat kujt t’i a regjistrojmë?
“Janë shumë, fatkeqësisht. Lufta është më mizorja e ngjarjeve historike. Ne rusët jemi mësuar.
Çfarë ka në kokë me të vërtetë Putini?
“Në këtë rast jam në një mëndje me ndërpretimin perëndimor. Don t’a verë Rusinë ndërmjet fuqive të mëdha të botës, pavarësisht nga pozitat e Kinës dhe të SHBA. Ai mendon atë që thotë dhe vërtetë i beson. Problemi është gjithmonë i njëjti. Për Evropën Rusia do të jetë gjithmonë shumë e madhe, për shumicën dërmuese të rusëve jo.
Çdo të bëhet me Ukrainën?
“Si zonë ndikimi, do të kthehet gjeografikisht në kohët e Gogolit, shkrimtarit tonë të madh, që kishte lindur në atë që sot është territor ukrainas, por të gjithë e quajnë rus. Historia nuk kalon kurrë kot. As Putini nuk mendon të rimarrë të gjithë Ukrainën. Vetëm atë rusofone. Ndërsa për kërcënimin bërthamor, asnjë nuk mendon me të vërtetë. Janë vetëm fjalë”.
Çfarë u ka ndodhur, profesor Medvedev?
“Duke u plakur humbet durimi. Nuk mund të duroj më retorikën perëndimore. Ekzistojnë modele shoqërish të ndryshme nga ai amerikan. Duhej t’ishit ju evropianët të parët që duhej t’a kuptonit. Por asnjëherë nuk keni pranuar të njihni këtë fakt kaq të dushëm. Bota nuk është më dypolëshe dhe po shkon në një tjetër drejtim. Putini dhe Rusia u kanë pritur gjatë. Pastaj kanë vendosur të veprojnë vetë”.
“Corriere della Sera”, 7 mars 2022
Përktheu Eugjen Merlika /Mapo.al