Mbrëmjen e sotme në studion e emisionit ‘Studio e Hapur’ me gazetaren Eni Vasili, po diskutohet lidhur me debatin për simbolet komuniste dhe incidentin që ndodhi me rastin e 5 Majit te ‘Varrezat e Dëshmorëve”.
E ftuar në studio, historianja Nevila Nika tha se dalja e nostalgjikëve me portretin e Enver Hoxhës është një provokim dhe që rëndon ata që kanë vuajtur nga regjimi komunist.
Ndërkohë historiani Aulon Tare tha se incidente të tilla ndodhin si pasojë e një çështjeje që ka 30 vjet që debatohet, por asnjëherë nuk zgjidhet. “Një pjesë e atyre që ishin shërbyes të regjimit komunist, veshën kostume ‘Armani’ dhe u bënë demokratë, u konvertuan në demokratë”, tha ndër të tjera Tare.
Nika: “Ajo ngjarje ka një shpjegim. Të gjejmë fajtorin nuk është e lehtë, por mundemi të gjejmë një fajtor. Shoqëria e ka pasur nevojë të ketë një dekomunizmizim, por nuk është bërë aq sa duhet. Ai incident ishte diçka e vogë, mund të ndodhë sërish, por ka pasur incidente edhe më të rënda. Shoqëria jonë nuk ka bërë aq sa duhet. Ata që mbanin portretin e ish-diktatorit do të thotë që kanë pasur më të mirën në kohën komuniste, ndërsa disa të tjerë jo. Ka shumë gjëra që na kanë mbetur brenda dhe vjen një moment që ka një pikë vlimi, por ndodhi në një vend ku ishte vend nderimi ndaj njerëzve që dhanë jetën. Varrezat e Dëshmorëve kanë një lloj ndikimi dhe ndjeshmërie. Nuk është mirë që të ketë reagime të tilla të përsëritura.
Gjithë trupa drejtuese e ushtrisë partizane u etiketuan ‘Armiq të Popullit’, po kush e bëri luftën. Nga të dyja palët duhet të ketë më shumë qasje ndryshe. Provokimi me daljen e portretit të Enver Hoxhës është e rëndë.”
Tare: “Mendoj që reagimi që ndodhi në atë përplasje është pasojë e një çështjeje që ka 30 vjet që debatohet, por asnjëherë nuk zgjidhet. Një pjesë e atyre që ishin shërbyes të regjimit komunist, veshën kostume ‘Armani’ dhe u bënë demokratë, u konvertuan në demokratë. Në këtë periudhë 30-vjeçare, ligji këtu në Shqipëri nuk i ndalon simbolet komuniste. Në Shqipëri nuk kujdesen për historinë dhe të kaluarën e vendit. Mendoj se kjo është e qëllimshme, është edhe neglizhencë. Kush u dënuar për 45 vitet e komunizmit? Askush nuk u dënua.”