Shqipëria zgjidhet anëtare e Këshillit të Sigurimit në periudhën 2022-2023 duke u mbështetur nga 175 vende anëtare të OKB-së. Në votim morën pjesë 190 vende, ndërsa votimi u zhvillua i fshehtë. Mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, një organizëm i rëndësishëm i vendimmarrjes për të gjithë botën, do të jetë 2-vjeçar.

Kjo është hera e parë që Shqipëria, vend anëtar i OKB, zgjidhet edhe në Këshillin e Sigurimit, ndonëse anëtare e përkohshme.
Shqipëria nuk kishte rivalë në këtë garë, pasi ishte propozimi i vetëm i vendeve të Europës Lindore. Vendi ynë tentoi edhe në vitin 1995 që të merrte një mandat 2-vjeçar në Këshillin e Sigurimit, por nuk ia doli.
Që një vend anëtar i OKB të zgjidhet edhe anëtar i Këshillit të Sigurimit duhet të marrë 2/3 e votave. Shqipëria ia doli të marrë plot 175 vota, nga 190 të mundshme.
Gjithashtu, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë njësoj si Shqipëria, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet.
Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qënë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Vendet kandidate do të zëvendësojnë pesë anëtarë aktualë, Estonia, Nigeri, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizia dhe Vietnami.
Mandati i anëtarëve të rinj fillon më 1 janar 2022 dhe do të shërbejnë deri në 31 dhjetor 2023. Pesë shtetet e tjera në grupin e 10 anëtarëve jo të përhershme janë India, Irlanda, Kenia, Meksika dhe Norvegjia.
Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.
Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione.