Dikur

Homazh për dëshmorët e Korçës në betejën e Orman-Çifligut







               Publikuar në : 08:29 - 07/05/19 |
mapo.al

Nga Veli Haklaj


Hyrje

Në vitet 1908, 1909, 1910 dhe 1911 kemi një intensifikim të veprimeve të popullit shqiptar që u finalizuan me shpalljen e pavarësisë. Një ndër ngjarjet që shkaktoi panik tek autoritetet xhonturke ishte dhe kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, e cila u pasua me Memorandumin e Greçës (“Libri i Kuq”) si një program që shprehte aspiratat mbarëshqiptare. Në këtë memorandum me dymbëdhjetë kërkesa, të shkruar nga Ismail Qemal bej Vlora dhe Luigj Gurakuqi, kërkohej vendosja e një vilajeti shqiptar autonom përbrenda Perandorisë Osmane. Për ta detyruar Portën e Lartë të pranonte kërkesat e këtij Memorandumi, atdhetarët më të vendosur u përpoqën të organizonin qëndresën e armatosur edhe në Shqipërinë e Jugut, duke i dhënë fund qëndrimit pritës të disa komiteteve që vepronin në këto krahina.

Përpjekjet për organizimin e kryengritjes në jug të vendit u drejtuan nga komiteti “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”. Në krye të çetave që vepronin në jug të vendit ishin Namik Delvina, Muharrem Rushiti, Musa Demi, Spiro Bellkameni, Qamil Panariti etj. “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” mendonte se mjeti më i mirë për ta detyruar Turqinë të njihte Memorandumin e Greçës ishin veprimet sulmuese të armatosura, të cilat filluan të kryheshin nga çetat.

Më 17 korrik 1911, komitetet e jugut kishin vendosur që çetat e armatosura të sulmonin Vlorën. Por ky plan dështoi, sepse në çastin vendimtar, kur çetat i qenë afruar qytetit, oficerët turq zbuluan planin e veprimit. Megjithatë lëvizja e çetave në jug po zgjerohej. Përleshjet e tyre me ushtrinë osmane u bënë më të shpeshta. Në korrik çeta e Çamërisë u ndesh me ushtarët turq në Smartë. Në Gjirokastër kryengritësit i bënë atentat prefektit të vendit.

Më 21 korrik 1911 u mbajt në Manastirin e Cepos, në Malin e Gjerë, Kuvendi i përfaqësuesve të popullsisë së Çamërisë e të Labërisë dhe të gjitha kazave të vilajetit të Janinës, ku morën pjesë rreth 800 veta, midis të cilëve edhe përfaqësues të çetave të Shqipërisë së Jugut. Këtu u diskutua për qëndrimin që do të mbahej kundrejt regjimit xhonturk në kushtet e shpërthimit të kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës dhe për përkrahjen e saj nga popullsia e Shqipërisë së Jugut. Kuvendi miratoi një memorandum, i cili, duke pasur 43 nënshkrime, iu dërgua qeverisë xhonturke.

Komiteti Shqiptar i Vlorës dhe atdhetarë të tjerë organizuan më 31 korrik 1911, tek Ura e Drashovicës, një mbledhje ku morën pjesë 3 000 veta, të cilët shprehën solidaritetin e tyre me kryengritësit e Shqipërisë së Veriut dhe kërkuan autonominë e Shqipërisë. Po në fundin e korrikut 1911, një çetë prej 100 vetash vepronte rreth Beratit e në rrethe të afërta.

Në rajonin juglindor, në fundin e korrikut 1911, çetat e komanduara nga Qamil Panariti e nga Spiro Bellkameni, u mblodhën në arat në mes të Orman-Çifligut (afër Korçës) dhe të Seitajt për të sulmuar depot e armëve në Korçë. Në Kalendarin “Korça” të vitit 1912, shkruhet se të dy çetat kanë qenë, njëra prej dymbëdhjetë trimash (Qamil Panariti, Sabri Dajlan Panariti, Tushi Butka, Lambi Bimbli, Dilaver Lubonja, Musa Boshani, Odhise N. Kotta, Spiro Kosturi, Tosun Selim, Thoma Skrapari, Koçi Myzeqari, Bajazit Rehova), nën kryesinë e Qamil Panaritit; dhe e dyta prej tetë trimash (Spiro Bellkameni, Mihal Vangjel Bellkameni, Stefan Kondilari, Ibrahim Osmani, Kristaq Mihal Furxhiu, Tushi Krastafilaku, Nuçi Lapi, Halim Tërbaçi), nën kryesinë e Spriro Bellkamenit.

Por xhonturqit dërguan kundër këtyre dy çetave 300 ushtarë e 100 xhandarë. Gjatë përleshjes që u bë në Orman-Çiflig, natën e 29-30 korrikut, çetat luftuan për pesë orë rresht duke lënë 6 të vrarë. Nga forcat qeveritare mbetën të vrarë dy oficerë dhe 13 ushtarë. Pas ngjarjes në Orman-Çiflig xhonturqit ngritën në Korçë gjyqin ushtarak që filloi dënimin e atdhetarëve.

Beteja e Orman-Çifligut dhe profilet e gjashtë luftëtarëve të rënë dëshmorë është objekti i këtij punimi që do të publikohet për lexuesin e gazetës “Mapo”. Lexuesi do të njihet dhe me profilin e komandantëve të çetave, Qamil Panariti dhe Spiro Bellkameni. Këto dokumente administrohen në dosjen nr. 50, të fondit nr. 170 (Komisioni i 25-Vjetorit të Vetëqeverimit), të Arkivit Qendror të Shtetit.

Dëshmorët e betejës së Orman-Çifligut

Më 4 dhe 20 nëntor 1937, kryetari i Komisionit të Kremtimit të 25-Vjetorit të Vetëqeverimit të Prefekturës së Korçës, prefekti Veli Vasjari, i dërgoi Komisionit të Posaçëm të Kremtimit të 25–Vjetorit të Vetëqeverimit, Tiranë, nëntëdhjetë e gjashtë jetëshkrime të veteranëve të vdekur prej qarkut të Prefekturës së Korçës, fotografi të veteranëve të ndryshëm dhe të ndodhinave që kanë lidhje me Rilindjen tonë Kombëtare, fotografinë e statutit të Themistokli Gërmenjit, statutin e Luftëtarit Kombëtar, statutin e Lakshes etj. Në këto dokumenta ndodhen dhe të dhënat për gjashtë dëshmorët e rënë në betejën e Orman-Çifligut, komandantëve të çetave Qamil Panariti dhe Spiro Bellkameni, si dhe fotografitë e tyre të realizuara nga fotografi Vani A. Burda.

1.Bajazit Rehova (1875 – 1911)

Në një botim shqip të vitit 1912 është dokumentuar që trimi Bajazit, nga Rehova e Vithkuqit, është një nga të gjashtë dëshmorët shqiptarë të vrarë prej ushtrisë xhonturke në fushë të Korçës, ditën e 16 korrikut 1911, në Çiflig të Seitajt. Tepër e mallëngjyeshme na duket vrasja e këtij shqiptari kolonjar mëmëdhetar, nga të rrallët e kohërave të zgjedhës turke.

Ka qenë 15-20 vjet më i madh nga mosha e të pesë shokëve të tij korçarë, djelmoshat Odhise Kotta, Kostaq Kosturi, Tushi Krastafilaku, Nuçi Vangjel Lapi e Kristaq Furxhiu.  Duket se do të ketë qenë dhe udhëheqësi besnik i këtyre, kur u vranë në fushën e Korçës ku kishin qëndruar për të marrë rroba, opinga etj., dy çetat me komitë kombëtarë të Korçës.

Ka qenë burri i madh, i shëndoshë, me shpirt kombëtar e fort trim, në moshë 36-vjeçare kur u bashkua dhe me çetat shqiptare të Korçës na thotë dokumenti historik.

Të rrjedhur nga turma e madhe e ushtrisë xhonturke, e cila kish dhe dy topa me vete, Bajazit Rehova me të pesë djemtë korçarë mbetën të veçuar nga shokët e tjerë të përhapur, të cilët u munduan të ikin duke parë se ishte e pamundur të shpëtonin. Me t’u larguar, mbajtën luftë deri sa mbaruan fishekët.

Bajaziti i plagosur rëndë ka vdekur më pas nga të tjerët. Njerëz që u ndodhën atje afër vrasjes, bile dhe ushtarë shqiptarë të asaj ushtrie vërtetojnë se vetë zabiti (oficeri) xhonturk shqiptar për faqe të zezë, pasi e pështyti disa herë trimin Rehovas, ia shtypi kokën me kondakt duke e sharë e duke i thënë:

Qysh bre dinsëz qenke bërë një ti me të krishterët, paske dalë të kërkosh Shqipëri me vete?

2.Kostaq Kosturi

U lind në Korçë, më 16 shkurt 1892. Një nga të gjashtë dëshmorët që u vranë në fushën e Korçës, ishte i biri i dëshmorit kombëtar Spiro Jovan Kosturi.

Më 1909, Kostaqi ishte një nga themelonjësit e Shoqërisë “Vëllazërija”, qëllimi i së cilës ishte për t’u lidhur bashkimi dhe vëllazëria midis djalërisë shqiptare të krishterë dhe myslimanë. Ai ishte fillonjësi i Shoqërisë “Djelmuria Shqiptare Ortodokse” dhe një nga të mirët nxënës të muzikës “Banda e Lirisë”.

Më 1911, së bashku me shokët, doli maleve si kryengritës për lirinë e Atdheut.

Më 29 korrik 1911, duket se ndonjë faqezi dhe tradhtar të mëmëdheut nuk e zuri gjumi pa vajtur në Korçë për të lajmëruar qeverinë se çetat shqiptare ndodhen fare afër. Kështu që, duke gdhirë e shtunë, që natën e datës 29 korrik 1911, pllakosi nga Korça një ushtri e madhe me dy topa dhe e rrethoj çetën e Qemal Panaritit, në Orman Çiflig. Pas një lufte të rreptë që mbajti tërë natën dhe deri sa u gdhi, ra i vrarë Kristaq Spiro Kosturi, të cilin, së bashku dhe me dy shokë të tjerë të vrarë, Bajazit Rehovën dhe Odhise N. Kottën, i sollën që atë ditë në Korçë të mbytur në gjak, duke e patur trupin e tyre të shpuar si shoshë me bajoneta.

3.Kristaq Mihal Furxhi

Lindur në Korçë më 1882. Mbaroi shkollën fillore greqishte më 1907. Shkoi në Amerikë, ku fitoj ndjenjat e para patriotike. Ato ndjenja nuk e lanë të qëndroj më në Shtetet e Bashkuara, por, më 1908, erdhi në Shqipëri për të marrë pjesë në komitet dhe në lëvizjet kombëtare.

I pandarë në të gjitha lëvizjet dhe propagandat dhe shok besnik i të ndjerit Kristaq Aristidh Xheraut.

Më 1911, Kristaqi rrëmbeu armët së bashku me shokët e tij dhe doli kryengritës luftëtar. Duke kënduar këngën patriotike (Për mëmëdhenë) e të tjera u derdh maleve si një luan i shquar për Indipendencën Shqiptare.

Më 29 korrik 1911, në luftën e tmerrshme të Orman Çifligut që u bë me ushtrinë turke, Kristaqi dha jetën e tij trimërisht duke luftuar burrërisht dhe duke djegur gjithë fishekët e kollanit.

Kristaq Furxhiu ra dëshmor i kombit.

4.Nuçi Lapi

Ishte i biri i Vangjel Lapit, opingarit nga Mborja, lindur në Korçë, në vitin 1888, djalë punëtor, i urtë, i dashur, zemërbardhë dhe atdhetar fort i flaktë.

Nuçi Lapi ishte dorëdhënës për çështje kombëtare, ishte anëtar i klubit “Dituria”, në bandën e “Lirisë”, fillonjës dhe këshilltar i shoqërisë “Vëllazëria”, fillonjës dhe këshilltar i shoqërisë “Djelmuria Shqiptare Orthodhokse” dhe anëtar i shoqërisë fetare “Lidhja Orthodhokse” dhe për çdo gjë jepte pa kursim.

Nuçi u muar vesh me shokët e tij të ngushtë dhe doli maleve, deri kur fati i zi i solli në fushën e Korçës, afër katundit Pojan dhe, më 29 korrik 1911, pas një lufte të gjatë me ushtrinë turke, e cila kishte pllakosur nga Orman Çifligu u vra bashkë me Tushi Krastafilakun dhe Kristaq Furxhinë, të tre anëtarë të çetës së Spiro Bellkamenit. Trupat e tyre u sollën në Korçë.

5.Odhise Nikolla Kota

Lindur në Korçë, më 17 maj 1885.

Me të filluar lëvizja e çështjes kombëtare, që vëllezërit e tij ishin duke punuar, u hodh në këtë fushë me një zell dhe flagë, duke mos u ndarë nga shokët patriotë.

Kishte marrë pjesë në “Bandën e Lirisë”, shoqëri muzikale në Korçë.

Më 1911, Odhisea rrëmbeu armët dhe doli kryengritës për të fituar të drejtat shqiptare dhe tërë kohën u tregua guximtar e propagandist i fortë.

Më 29 korrik 1911, në luftën e tmerrshme të Orman Çifligut dhe me çetën e Qamil Panaritit, Odhisea luftoj trimërisht, ku ra dëshmor i kombit.

6.Tushi Krastafilaku

Ishte i biri i Sipro Krastafilakut, prej një familje fort të ndershme nga Krastafilaku dhe lindi në vitin 1891. Ishte një djalë vërtet i vogël nga mosha, por nga zemra dhe mëndja ishte burrë. Djalë fort i dashur, i ditur dhe punëtor, me sjellje tepër fisnike, trim, gojëmbël dhe një nga më të shquarit idealist. Ishte një nga themeluesit dhe anëtarët e shoqërive “Vëllazëria” dhe “Djelmuria Shqiptare Ortodokse” dhe një nga më të mirët nxënës të muzikës “Banda e Lirisë”. Kur dëgjoi se dolën shumë trima maleve për të fituar të drejtat kombëtare, atij më s’i duronte zemra, por në marrëveshje dhe me shokët e tij të dashur e bënë “Besa-Besë” që të dalin dhe ata maleve.

Çetat, fati i zi i solli në fushën e Korçës, ku, më 29 korrik 1911, afër katundit Pojan, duke u kallëzuar prej faqezinjësh tradhëtorë të kombit, pas një luftë të gjatë dhe të rreptë me ushtrinë që kishte pllakosur si mizëri nga Orman Çifligu, u vra Tushi.

7.Profil i dëshmorit Qamil R. Panariti

Dëshmori Qamil Panariti u lind më 1883 nga një shtëpi e panaritasve mëmëdhetarë. Që i vogël Qamili shquhej që do të ketë një të ardhme të lavdishme. Nga trupi nuk ishte i bëshëm, por sytë e tij e tregonin se kish zemër të fortë dhe mendje të thellë.

Një kujdestar (qehaja) i shtëpisë së tyre, Orhan Vila, që kish shërbyer pranë poetit Naim Frashëri dhe dinte këndim e shkrim shqip, i mësoj abc-në së pari Tefik Panaritit dhe ky ja mësoj të vllait, Qamilit, me anën e librit Erveheja. Se kështu mësohej shqipja që moti prej atyreve që u digjej zemra për të.

Duke qenë nxënësi i shkollës turke, Qamili s’iu nda kurrë edhe shkollës shqipe të kohës së tij, të cilën e vazhdonte me zell të madh.

Më 1905, Qamili është nxënës i Liceut Turk në Manastir, në klasën e fundit, ku ka si profesor edhe Bajo Topullin. Viti i lartpërmendur është ai i lëvizjeve shqiptare për liri, të cilat i kishin ndezur edhe studentët shqiptarë të Manastirit. Është po ai vit kur Bajo Topulli nga profesor i turqishtes bëhet komit shqiptar, duke tërhequr pas edhe Qamilin me shokët e tij, si Selim Pojanin, Sefer Panaritin, Riza Velçishtin etj. Tashti mësimi zhvillohet nëpër male. Në Manastir vendin e Bajos e zënë profesor Jashar Bitincka dhe Sejfi Vllamasi, të cilët bëhen predikonjës të idesë kombëtare midis nxënësve shqiptarë që s’donin të mbeten më pas nga shokët që morën malet.

Në këtë kohë jetonte në Manastir një atdhetar nga Bërzeshta si nënkolonel pensionist, i quajtur Halit Bej, por studentët e thoshin “Bej Baba”. Ky u ka dhënë armë studentëve Sabri Panariti, Hasan Frashëri, Skënder Pojani, Qerim Starja, Sadik Zhari, Muço Qulli, Fejzi Rusi etj., u jep uratën e këshillat e tij dhe i nis për t’i arritur shokët, në fushën e luftës e të nderit.

Qeveria Turke i ndjek këmba-këmbës, por komitat si tremben dhe në ballin e tyre vetëtijnë fjalët atdhetare “Liri a Vdekje”. Këto shqiponja të arratisura si ndruhen plumbit të turkut, vërtiten mal më mal dhe mezi kanë voli të shohin çeta çetën nëpër teqetë bektashiane si n’atë të Baba Hysen Melçanit etj., ose në fshatin Panarit, në shtëpinë e hapur të Dajlan Agajt.

Më 1907, “Babi Alija” dha një falje për gjithë komitët. Çetat shpërndahen dhe Qamili kthehet në shtëpin e vet. Po Qamili, duke mos qenë njeriu i prehjes e i dëfrimit në mes të të mirave që gëzonte në familjen e vet, në krye të vitit 1910 organizon një çetë të re e të fortë në të cilën përmblidhen edhe luftëtarët që pasojnë: Spiro Bellkameni, Stefan Kondillari, Mihal Bellkameni, Sabri Panariti, Odhise Kotta, Bajazit Rehova, Llambi Bimbli, Kristaq Furxhi, Nuçi Lapi, Fehim e Musa Boshanji, Tosun Selenica, Pasho Butka e Koci Disho. Jemi në kohën e ndjekjeve të Qeverisë Turke, ndjekje shumë të rrepta, kur çeta e Qamilit forcohet edhe me çetat e krahinave Përmet, Skrapar, Tomoricë dhe katundet Vakëfe.

Në urën e Kadiut, në fshatin Bënjë, ushtria turke i rrethon dhe pas një përpjekje të rreptë mundën t’i shpërndajnë tuqit, duke mbajtur dhe 6 robër nga ata.

Më 29 korrik 1911, çeta e Qamilit është e rrethuar në Orman Çiflig, pranë kullës së Seitajt, kur pas një luftë të përgjakshme me turqit mbetën të vrarë shokët e tij Kostaq Kosturi, Odhise Kotta e Bajazit Rehova. Po në këtë ditë, në fshatin Çifligu i Ri (Jeni Çiflik), afër Pojanit, ranë dëshmorë edhe Kristaq Furxhiu me Nuçi Lapin.

Pas shumë luftërash të tjera të bëra në të gjitha anët e Atdheut me ushtritë e xhonturqve, Qeverija e tyre u dha prapë falje shqiptarëve dhe shumë premtime për liri e shkolla shqipe. Por këto premtime ishin si kurdoherë “premtime turqish” dhe kështu Qamili rrëmben përsëri armët me shokët e tij.

Është viti 1912 i kryengritjeve të mëdha shqiptare, kur përpjekjet me turqit bëhen më sistematike e më të dendura. Çetat e Qamilit veprojnë së bashku me ato të Kahreman Vrionit, Bektash Cakranit, Sabri Panaritit, Hasan Koprenckës nga njëra anë, si edhe me krerët e lëvizjes së Veriut që ishin Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri e të tjerë. Pas këtyre përpjekjeve kanë shtënë në dorë Beratin, Vlorën, Fierin e Mallakastrën të cilat i bëjnë qendrat e veprimit të tyre.

Njëkohësisht, dhe në Shqipërinë e Veriut kryengritja po vinte mbarë dhe ishin shtënë në dorë qendra me rëndësi. Qeveria Turke e humbet toruan, gjëndja politike e saj bëhet e keqe dhe Sulltani shtrëngohet t’u japë shqiptarëve konçensionet e ditura.

Pas Luftës Ballkanike me pasojat e saj, Qamil Panariti me kushuririn e tij Sabriun shkon në Vlorë, ku valonte Flamuri Kuq e Zi. Aty Qeverija Provizore e Vlorës i ofron grada të larta, po Qamili nuk pranon duke preferuar të shkojë në Skrapar, ku bashkohet me Themistokli Gërmenjin, i cili ishte emëruar nënprefekt i asaj krahine, me të cilin kishin bërë plane që të jenë gati të marshojnë kundër Korçës së zaptuar nga grekët.

Në krye të vitit 1914, një fuqi vetëdashëse prej afro një mijë burrash e kryesuar prej Themistokli Gërmenjit, Sali Butkës, Qamil Panaritit e Sabri Panaritit nisen për në Korçë. Në fshatin Qesarakë dhe në Vakëfet përpiqen me ushtritë greke, por pas një luftë të rreptë shtrëngohen të prapsen, meqenëse armiku ishte i shumtë. Atëherë ushtria greke, por veçanërisht andartët u kanë rënë pas dhe me këtë rast janë djegur fshatrat Selenicë, Qesarakë e Panarit.

Lirimi i Korçës prej ushtrisë greke Qamilin e bën të kthehet në shtëpi. Kur plasi kryengritja e andartëve në Korçë, Qamili, ndonëse i sëmurë, rrëmben pushkën dhe plotëson detyrën.

Më vonë, kur u organizua ushtria shqiptare e kësaj kohe, Qamili merr gradën kapiten dhe punoj pa reshtur duke luftuar për lirimin e plotë të Atdheut.

Më 1916, mori pjesë aktive në ngritjen e flamurit në Korçë prej Themistokli Gërmenjit (10 dhjetor), në ditët e okupatës franceze, dhe ka shërbyer si drejtori i Policisë 2 vjet rradhazi. Por spiunët e propagandës së huaj e kanë halë në sy këtë trim të pashoq. Qeverija Franceze e shtytur prej tyre e akuzon Qamilin për filoaustriak, e dërgon në Gjyqin Ushtarak të Follorinës dhe e dënon me vdekje, që më pas i kthehet në burgim të përjetshëm. E ngritën së këtejmi dhe e shpunë në Gujanë të Francës. Ky dënim pastaj ju zbrit në pesë vjet. Vetëm pak ditë përpara se të lirohet e të kthehet në atdhe, armiqtë shpirtëlig të kombit bëjnë ç’ishte e mundur që ta zhdukin me mënyrën që pason: gjetën një vegël të verbër të tyre, të mallkuarin … … (emri dhe mbiemri nuk jepen në dokumentin arkivor), i cili bën gjakësinë më të zezë duke e vrarë Qamilin e ndjerë me të pabesë, në vitin 1921.

8.Profil i dëshmorit Spiro Toli Bellkameni

U lind në katundin Ellovë (pranë katundin Bellkamen) të Maqedonisë Greke, më 1886.

Që në vogëli shquhej nga zgjuarsia e trimëria.

Ndjenjat kombëtare i kish fituar nga fisi i vet, që kishin për mërgim Rumaninë.

Që në fillim të vitit 1908, Komiteti Grek e plagosin rëndë Spiron, në Follorinë, për shkak t’aktivitetit të tij të fortë për propagandën shqiptare.

Më 1909, me ndihmën e tij trimërore u çelën dy shkolla shqipe, një në Ballkamen dhe një në Negovan.

Nga fundi i vitit 1909, qendra e Komitetit Shqiptar të Manastirit vendosi të nxjerrë çeta komitash për të mbrojtur më mirë dhe kudo çështjen kombëtare edhe kështu ngarkoi Spiron për këtë organizim aq me rëndësi.

Si kryetar çete edhe si këshilltar i qendrës së Komitetit, Spirua tregoj një aftësi të madhe edhe kudo trim me fletë, për të cilin kanë shkruar shumë vjershëtorë e shkrimtarë shqiptarë.

Në luftën e fushës së Korçës, ku ranë dëshmorë, më 1911, Spirua ishte kapedan i shquar i Mbrojtjes Kombëtare, që libri “Epopea e Korçës” e zotit Floqi e përshkruan hollësisht.

I ndjekur rreptësisht nga Qeveria Turke, u vra pabesisht në qytetin Neveskë (Maqedoni), në muajin tetor 1912.

Vajtim mbi varret e 6 dëshmorëve

Ju or vëllëzër të dashur,

Që u vratë për Atdhe,

Na latë me buzë të plasur

Që kur u ndatë prej ne.

U ndat, e shkuat përjetë

Hytë ndër varret e ftohtë,

Po sikur ju ngritnë rretë

Ashtu iktë nga kjo botë!

Se u bëtë ju therorë

Për të shtrenjtin Atdhe,

Vdiqtë me armë në dorë

Si i Madhi Skënder-Be!

Jetën tuaj se kursyet

Por u sultë si çdo Trim,

Pushkët në dorë rrëmbyet

Edhe shkuat me gëzim.

Që të shpëtonit Atdhenë

Nga e shkreta robëri.

“Besa-Besën” bëtë benë,

“Ja Vdekje, ja Liri”.

Dhe luftuat po si burrat

Me të madhe trimëri,

Në fushën kur u rrethuat

Prej shumicës ushtri!

Por juve ratë si dëshmorë

Gjaku ju vatë si rrëke,

Vdiqtë me pushkë në dorë

Për të shtrenjtin Atdhe.

Ju s’u vratë si kusarë,

As se kishit armiqësi,

Por se ishit shqiptarë

Dhe përpiqeshit për Liri!

Ndaj ju qan dhe Shqipëria

Mëmëza juaj e parë,

Dhe mban zi me Bij’ e Bija

Për ju që ratë dëshmorë.

Po qan dhe “Band’ e Lirisë”

Për ju or ëngjëjt e saj.

 

Burimet:

AQSH, F. 170, V. 1937, D. 50.

Historia e popullit shqiptar, V.II, Toena, 2002.

Kalendari “Korça”, viti 1912.

Veli Haklaj, Veteranët e pavarësisë, “Kristalina KH”, Tiranë, 2018.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas