Në Beograd do të nisë një nga samitet më të rëndësishme të rajonit.
Prej dy vitesh organizohet një samit i përbashkët mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore.
Në këtë samit do jetë edhe kryeministri Edi Rama.
Por përpara se të nisë samiti, kryeministri kinez, Li Keqiang ka dhënë një intervistë, ku flet në mënyrë të detajuar për marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë.
“Ne kinezët shpesh themi se “miqtë janë si vera, sa më të vjetër, aq më të mirë”. Shqipëria dhe shumë nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore i kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Kinën në ditët e para të themelimit të Republikës Popullore”.
“Sot, akoma shumë njerëz në Kinë e kujtojnë kontributin historik të Shqipërisë për Kinën në rikthimin e ligjshëm të një vendi në Kombet e Bashkuara.
Pamjet e ushtareve trimëresha në filmin “Horizonte të hapura” dhe këmishat e marinarëve në filmin “Oshëtimë ne bregdet” kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjen e një gjenerate të tërë të popullit kinez,” tha kryeministri.
Kreu i qeverisë kineze tha se bashkëpunimi praktik me Shqipërinë do jetë në fushën e energjisë dhe transporteve.
Investimet e Kinës në këtë rajon dhe plani i tyre për të zgjeruar më tej bashkëpunimin kanë krijuar jo pak shqetësim.
Megjithatë, kryeministri kinez thotë se gjithçka është në rrafshin ekonomik.
Ai tha se tregtia mes Kinës dhe vendeve të Europës Lindore dhe Qendrore i ka kaluar për herë të parë 60 miliardë dollarë këtë vit.
Ai tha se ka një linjë krediti prej 10 miliardë dollarë për kompanitë nga kjo zonë e Europës.
Ai përmendi edhe një seri projektesh të mëdha të Kinës në rajon si centralin Stanari në Bosnje, urën Mihajlo Pupin në Beograd, autostradën Bar- Boljare në Mal të Zi dhe hekurudhën Budapest- Beograd.
Megjithatë, Serbia mbetet një përfitues i madh, ndërsa Shqipëria duket se akoma nuk ia ka parë hajrin mirë kësaj miqësie me “Horizonte kaq të hapura”.