Koronavirusi i ka marrë jetën një prej simboleve të artit dhe kulturës fierake, aktorit të madh të Teatrit dhe Estradës së Fierit, Fatmir Xhelili. Aktori humbi jetë në moshën 69-vjeçare.
Xhelili po trajtohej prej disa ditësh në spital, ku ishte shtruar me simptoma të COVID-i, ndërsa edhe nga testimi rezultoi i prekur. Xhelili ishte shtruar në spitalin Infektiv prej disa ditësh, por gjendja e tij ishte rënduar dhe mjekët e futën në intubim.
Ndërkohë pak ditë me parë betejën me Covid e humbi aktori i njohur i humorit Koço Devole.
Kush ishte aktori Fatmir Xhelili
Aktor në teatrin “Bylis” të Fierit, Fatmir Xhelili, për 46 vjet rresht, ai ka interpretuar përkrah emrave të mëdhenj si Fuat Boçi, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj. Fatmiri e ka nisur rrugën e artit si aktor amator.
Ai punonte si elektricist në uzinën e naftës në Ballsh, ndërsa pas pune angazhohej në teatër. Puna si aktor amator ka zënë një vend të veçante për aktorin Fatmir Xhelili.
Interpretimi me mjeshtëri i roleve që merrte, e bënë Fatmirin një figurë të dashur për publikun. Me gjithë dëshirën për të interpretuar në dramë, karrierën më të madhe ai e ka në komedi. Ishte regjisori Pellumb Kulla ai që i dha rolin e parë në komedinë me titull “Këpucët angleze”. Për kolegët, aktori Fatmir Xhelili është edhe një bashkëpunëtor shumë i mirë.
Fatmir Xhelili ka interpretuar gjatë karrierës së tij rreth 180 role në dramë dhe komedi, ku është vlerësuar edhe me 4 çmime të para si aktori më i mirë.
Disa nga komeditë që ai ka interpretuar rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa” e Chehovit, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri i katit 15” etj. Gjithashtu edhe në dramat “Pazari”, “Vite të paharruara”, “Fqinjët”, disa prej të cilave me regji të Serafin Fankos, Dhimitër Orgockës, Gëzim Kamës, etj.