Aktualitet

Humbja e Zgjedhjeve – PD me këshill të ri dhe debate të vjetra














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:37 - 19/07/21 |
Armand Maho

Ditën e djeshme PD ka shpallur fituesit e garës për Këshillin Kombëtar, që u votuan në kuvendin e të shtunës. Kjo ka sjellë jo pak debate mes demokratëve. Lista me 338 emra u publikua në faqen zyrtare të partisë, por jo numri i votave që ka marrë secili prej 600 kandidatëve në garë. Duket se PD nuk po arrin ta marrë veten pas humbjes së 25 prillit. Por a u bë vërtet korrekt skaneri i zgjedhjeve në Kuvendin Kombëtar dhe a po hyn PD më e bashkuar në zgjedhjet e ardhshme lokale? Gazeta MAPO merr në analizë situatën brenda forcës më të madhe opozitare.






Publikimi i emrave të rinj të votuar për këshillin kombëtar duket se ka ndezur debate të tjera brenda PD-së. Kuvendi Kombëtar që duhet të ishte një bashkim forcash për partinë më të madhe të opozitës nuk solli asgjë për t’u mbajtur mend. Dalja ditën e djeshme e emrave të këshillit të ri kombëtar, i nxehu më shumë gjakrat. Shumë prej atyre që aspironin të ishin sërish në këtë forum, por edhe të tjerë që kishin spikatur në fushatë elektorale me kontributin e tyre u zhgënjyen kur nuk e panë emrin në listë. Në shumicë kishin mbetur të njëjtit e këshillit të kaluar, ishin futur vetëm disa emra të rinj sipas midesë së drejtuesve të qarqeve. Ndërkohë që votat se sa ka marrë gjithsecili prej kandidatëve ende nuk janë publikuar.


Hapja
Hapja e PD-së që u trumbetua me të madhe nga lidershipi është ende larg. Akoma më të largëta janë dhe shpresat për një pushtet të shpejtë. Pesimizmi i demokratëve ndihej që në ajër, sidomos në hollin e pallatit të kongreseve, ku u mblodh forumi më i rëndësishëm i të djathtëve. Humbja është e hidhur, por akoma më i hidhur për ta është fakti se reflektimi nuk shihet kurrkund. Përveç deputetit Mark Marku, askush tjetër nuk foli për problemet që ka vetë partia, për ato që thonë nëpër tavolina nën zë e mbi zë në lidhje me drejtimin dhe lidershipin. U shigjetua pushteti, vjedhja e votave, përdorimi i administratës, fondeve të tërmetit e gjithfarë llojesh, por askush prej drejtuesve politikë nuk e ktheu gishtin nga vetja.







Askush nuk foli për gabimet e lidershipit në fushatë, për agresivitetin që fushata duhet të kishte, për frymën që nuk u ndez. Vetëm për vjedhje dhe manipulime u fol. “Në rast se të vjedhin herën e parë, është faji i hajdutit, por herën e dytë nuk është faji i tij në rast se i lë derën hapur”, do shprehej deputeti Mark Marku. Shumë ishin të të njëjtit mendim me të, por askush s’e përkrahu, të paktën publikisht.

Lexo edhe :  Demokratët grisin fletët për Nikollën, aleatët e Bashës hedhin votën në kuti


Basha
Ndërsa vetë Lulzim Basha në një reagim të djeshëm të tij, do shprehej se Këshilli Kombëtar është akoma më shumë i hapur për zonja dhe zonjusha dhe një urë bashkëpunimi mes PD dhe qytetarëve. Sipas tij PD, vazhdon të mbetet ende shpresa e vetme për shqiptarët. “Mirënjohje për delegatët që në Kuvendin Kombëtar përfaqësuan demokratët anembanë Shqipërisë. Suksese Këshillit Kombëtar të përzgjedhur! Keni besimin e demokrateve dhe demokratëve dhe përgjegjësinë për të luftuar çdo ditë pranë qytetarëve, për shqetësimet e vogla dhe të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie. Sfidat që kemi përpara janë të mëdha, por vullneti dhe vendosmëria jonë po ashtu. Këshilli i ri, i hapur për më shumë zonja dhe zonjusha, më shumë të rinj dhe të reja, do të jetë një urë bashkëpunimi me shoqërinë, për të ndërtuar së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë, sepse ne jemi e vetmja shpresë për shqiptarët që kërkojnë ndryshim”, ka thënë Basha.



Situata
Kuvendi i përfundoi punimet. Në një ditë të vetme u bë analiza, dhe u votuan anëtarët e rinj me shumicë të vjetër të Këshillit Kombëtar. Tashmë do jetë ky forum ai i cili do zgjedhë kryesinë e re të partisë. Duket se asgjë s’do ndryshojë. Shtatori nuk është larg dhe de fakto PD i ka njohur zgjedhjet. Retorika e manipulimit po i lë vendin asaj çka do bëjë kjo forcë politike me 59 deputetët e saj. Basha tha se do përgatisë një platformë qytetare për ndryshimet kushtetuese që të risjellë Kodin Zgjedhor në binarët e mëparshëm, por koha e ka treguar se Kushtetuta ndryshohet me vota dhe jo me platformë qytetare. Aq më shumë kur përballë ke një kryeministër si Rama që nuk pyeti shumë për thirrjet e ndërkombëtarëve. Përpara PD ka sprovën e zgjedhjeve lokale, do bëhen pas dy vjetëve ose më parë kjo i mbetet Gjykatës Kushtetuese të vendosë. Por në gjendjen që është tashmë kjo forcë politike, vështirë të marrë një rezultat pozitiv.

Edi Rama ia doli të fitonte një mandat të tretë, në mes të pandemisë, vdekjeve që i rëndonin në kurriz, korrupsionit galopant, varfërisë dhe njerëzve që flinin ende në çadra. Terren më i mirë për opozitën për të fituar zgjedhjet nuk kish se si bëhej më. Por ajo ende sot flet për manipulime, për ato manipulime të cilave dashje pa dashje u la vetë dorë të lirë. Kjo analizë mungoi dhe në Kuvendin Kombëtar.

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas