Po deshët mos e merrni seriozisht edhe SPAK-un… Open Data Albania prej nja dhjetë vjetësh ka ofruar dhe ofron periodikisht informacion të detajuar me “flamuj të kuq” për dyshime në shkeljen e procedurave, favoritizëm, mungesë konkurrence, konflikt të interesit etj., për rreth 7000 procedura tenderimi.
Kuptohet se sipas George Orwell-it, “Të gjitha kafshët janë të barabarta. Por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.” D.m.th. vështirë se mund të ngrihet steka më shumë se ndonjë patronazhist i lodhur si kryebashkiaku i Lushnjës ose ndonjë limon i shtrydhur si titullarja e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara…
Personalisht çmoj se nëse për një tender 200 mijë Euro nevojitet ndërhyrje (nënkupto paratë shkojnë te) e Zotit B në Kuvend, përfytyroni se ndërhyrja e kujt duhet për një tender 20 apo 40 milionë Euro, Zotit C, D, E, e kështu me radhë, sipas “kontributit” në vendimmarrjen për përzgjedhjen e firmës “fituese”.
Po për tenderat me 200 milionë Euro (p.sh. PPP) ndërhyrja e kujt nevojitet? Sipas meje, për tendera të tillë është dashur ndërhyrja e disa kafshëve të tjera si tigrave, zebrave, luanëve, elefantëve etj. Bile në këtë rast gojët e liga thonë se duhet miratimi i vetë Zotit (d.m.th. shenjtorët të rrinë urtë)…
Kuptohet se SPAK nuk di nga këto, por cironkat i pjek fare, bile duke ju hedhur edhe limon…
Rroftë Zoti që zbuloi SPAK-un për…lajmet e radhës.