Kryeqytetasit, duke filluar që nga muaji aktual do të paguajnë 12 lekë më shumë për ujin e pijshëm ose 45 lekë për çdo metër kub. Tashmë ka hyrë në fuqi vendimi i marrë edhe nga Enti Rregullator i Ujit për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë, megjithëse jo në nivelin e kërkuar nga Ujësjellësi. Për vitin 2012, konsumatorët familjarë, nga 33 lekë/m3 që ishte tarifa, do të paguajnë 45 lekë/m3 për ujin e pijshëm, që shtuar edhe pagesën prej 11 lekë/m3 për ujërat e ndotura shkon në 56 lekë për çdo metër kub ujë të harxhuar.
Por, megjithëse tarifat e reja të ujit sipas konsumatorëve janë të konsiderueshme, sipas drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Sahit Dollapi, në vlerë monetare ato nuk cenojnë buxhetet e familjeve dhe bizneseve. Madje, vendimi i Entit Rregullator të Ujit, sipas Dollapit krijon probleme me financat e kompanisë. “Rritja shkon në rreth 27% të çmimit, pra tarifa e ujit të pijshëm shkon nga 33 lekë në 45 lekë, ujë me shumicë nga 10 lekë në 12 lekë për metër kub, largimi i ujërave të ndotura nga 10 lekë në 11 lekë për metër kub. Janë ngritje jo të mëdha. E konsiderojmë jo të mjaftueshme për ndërmarrjen tonë, por është një rritje e lehtë, e përballueshme nga qytetarët”, – deklaroi Dollapi. Sipas tij, Tirana ka një rrjet të amortizuar, por edhe vjedhjet janë problematike për financat e kompanisë. Por, me gjithë deklaratat e bëra nga kreu i Ujësjellësit, ankesat e qytetarëve për mungesë të ujit të pijshëm apo dhe mbifaturim të pagesës së tij, të cilat kishin rënë në vesh të shurdhër, kanë çuar para Avokatit të Popullit Sahit Dollapin. Komisionerë të Avokatit të Popullit kanë vënë përballë drejtorin e Ujësjellësit, Sahit Dollapi, duke parashtruar rastet e së paku 86 kërkesave të ardhura nga kryeqytetasit për faturim aforfe, mbifaturim apo mungesë të ujit në zona të ndryshme, si Unaza e Re apo Sauku. Kreu i Ujësjellësit tha se shkaku kryesor për mosfurnizimin me ujë të pijshëm në disa zona të kryeqytetit është mungesa e infrastrukturës dhe ndërtimet pa kriter. Në takim, Dollapi tha se nuk do të ketë tolerime ndaj atyre që tentojnë të abuzojnë me furnizimin me ujë. Sipas tij, në asnjë rast Ujësjellësi nuk ka aplikuar si masë ndëshkuese ndërprerjen kolektive të ujit. Aktualisht, Tirana dhe periferia e saj furnizohen nga tri vendburime të ujit. Burimi i Selitës ka një kapacitet maksimal prej 620 litrash në sekondë; ai i Shën Mërisë prej 700 litrash në sekondë, ndërsa nga Bovilla, sasia maksimale është prej 420 litra në sekondë.
Tarifat e ujit për konsum publik
Për ujin e pijshëm Për ujërat e ndotura
Konsumator familjar 45 lekë/m3 11 lekë/m3
Institucione buxhetore 120 lekë/m3 30 lekë/m3
Ente private 135 lekë/m3 35 lekë/m3
Klientë të veçantë 170 lekë/m3 40 lekë/m3
(Prodhim pije alkoolike, freskuese,pishina)
Furra buke 95 lekë/m3 13 lekë/m3
Shitje uji me shumicë (komuna, bashki) 12 lekë/m3
HEC Lanabregas 5 lekë/m3
Tarifa mujore fikse e shërbimit 100 lekë/ klient /muaj