(Përditësuar) Arrestimi i një të shumëkërkuari nga policia greke mendohet se do të zbardhë disa grabitje të rënda në Shqipëri, ndër to dhe ajo që ndodhi ara Vitit të Ri, ku grabitësit të veshur si “babagjyshë” vodhën një dyqan bizhuterish në një qendër tregtare. Pas arrestimit të Ilir Kupës, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri zhvilloi sot një takim në ambientet e Policisë së Qarkut të Tiranës me krerë të kësaj policie dhe kreun e Policisë së Shtetit, Artan Didi. Pas takimit, Tahiri theksoi se operacioni i sotëm për kapjen e Kupës është një sukses i bashkëpunimit të policisë shqiptare dhe asaj greke. “Aksioni vazhdon dhe tani që flasim, ne jemi të vendosur të luftojmë krimin në çdo skutë. Mos prisni detaje prej meje, hetimet kanë nisur së pari prej arratisjes së tij në Greqi pastaj dhe ngjarjeve që kanë ndodhur në Tiranë. Detaje lidhur me operacionit s’ja vlen ti jap se pres rezultate të tjera. Por ju them që Policia e Shtetit është në këmbë dhe do flasin rezultatet me çdo një nga ata që çirret sot duke majisur panik tek qytetarët. Shumë shpejt do merrni vesh”, deklaroi ministri Tahiri.
I pyetur a ka lidhje me rastin e ‘Babagjyshëve, Tahiri tha se “unë besoj që arrestimi i ilir Kupës është një medalje në gjoksin e Policisë së Shtetit, policisë së Tiranës, FNSH-së, forcave RENEA, të gjithë ne. Keni dijeni për karrierën kriminale të Kupës, atë që ka ndodhur në Greqi, ndjekjen e vazhdueshme të policisë greke. Përtej shkëmbimit të informacionit në lidhje me atë që ka bërë dhe bashkëpunimit me policinë greke, kemi hetuar dhe çështje që kanë qenë goxha sensitive në Shqipëri, si dhe grabitjet me armë, do na çojnë besoj në rrugën e duhur”.
Policia shqiptare ka vënë sot në pranga një nga të arratisurit shqiptarë të burgut të Trikalas në Greqi, 27-vjeçarin Ilir Kupa.
Kupa u arrestua në Qafë Kashar, pranë mbikalimit të Rinasit në përpjekje për t’i shpëtuar policisë. Ilir Kupa, së bashku me 7 shqiptarë të tjerë arriti të arratisej më 22 mars 2013 nga burgu i Trikalas në Greqi. Gjatë arratisë së tij ai ishte nën shoqërinë e të arratisurit tjetër Marian Kola, deri të dielën e 21 korrikut, kur Mariani u vra në përleshje me policinë pranë fshatit Vrosina, ndërsa Kupa arriti të largohet.
“Pas bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të ngushtë mes autoriteteve greke dhe shqiptare është arrestuar sot (25-01-2014) në agim në Shqipëri , i shumëkërkuari shqiptar Ilir Kupa. Tashmë kanë filluar veprimet e planifikuara për procesin e ekstradimit në vendin tonë.”- thuhet në një deklaratë nga Policia Greke.
Me arrestimin e sotëm i jepet fund arratisë së tij gati 1-vjeçare, ndërkohë që nga 8 shqiptarët që arritën të arratisen nga burgu i Trikalas, Ermal Lita u arrestua në muajin maj pas grabitjes në supermarket në Peristeri. Admir Murataj dhe Klement Cala që dyshohen se grabitën 1 mln euro në Bankën e Larisas, mendohet se janë larguar nga Greqia. Për Fatos Sulaj u tha se ka mundur të shkojë në Kosovë. Ermir Sinani dhe Flamur Sinani (ky i fundit jo i arratisur) u vranë në përleshje me policinë në Koniska, ndërsa Marian Kola u vra nga të shtënat e policëve greke gjatë shkëmbimit të zjarrit, pranë fshatit Vrosina të Sulit.