I arrestuari i vetëm për atentatin ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoj, mikut të tij Aleksandër Laho dhe shoferit Andi Maloku, Redjan Rraja ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Rraja kërkon heqjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke pretenduar pafajësi për akuzat e ngritura nga Prokuroria.
Por duke qenë se në Gjykatën e Lartë është gjyqtar vetëm Ardian Dvorani, ky rekurs nuk mund të shqyrtohet. Nga atentati ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, ngjarje kjo e ndodhur më 1 nëntor 2019, humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku, ndërsa mbeti i plagosur, Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rrumi” i Shijakut.
Sipas hetimeve, pasditen e 1 nëntorit 2019, rreth orës 16:13, pranë mbikalimit të Shkozetit në autostradën Durrës-Tiranë, në ndjekje e sipër, persona të paidentifikuar duke udhëtuar me një automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës tip “Mercedes Benz” me targë AA 333 ZD, ku udhëtonte Arjan Ndoja, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Andi Maloku, 24 vjeç, shofer i tij dhe Aleksandër Laho, 46 vjeç, miku i prokurorit. Ata po udhëtonin nga Durrësi në drejtim të Tiranës, kur pranë “Mbikalimit të Shkozetit” u hap zjarr në drejtim të tyre. Të tre mbetën të plagosur.
Por Andi Maloku, i cili ishte shoferi i prokurorit, ndërroi jetë në spital disa ditë më pas për shkak të plagëve të rënda të marra në organet jetësore.
Në automjetin që u përdor nga autorët në atentat, i gjetur disa orë pas krimit në periferi të Ishmit, hetuesit gjetën një palë syze, në të cilat u gjetën gjurmë të gishtave të Rrajës. Kjo ka qenë prova më e fortë e prokurorisë kundër të vetmit të arrestuar për ngjarjen. Rredjan Rraja, i vënë në pranga pak ditë pas krimit, por edhe avokati i tij, kanë mohuar përfshirjen në krim.
Redjan Rraja është kushëri i afërt i deputetit socialist, Rrahman Rraja.