Rrok Pepaj mohon të ketë lidhje me ngjarjen e rëndë në Malësinë e Madhe ku djali i tij, Danjel Pepaj, vrau dy kushërinjtë Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj.
Gjykata e Shkodrës dha sot masën e arrestit me burg për Rrok Pepajn, ndërsa djali i tij, autor i dyshuar i krimit, vazhdon të jetë në arrati.
Përpara trupës gjykuese, Rrok Pepaj tha se nuk kishte dijeni për parcelën me kanabis u gjetën të vrarë dy kushërinjtë, ndërsa ka pohuar se e dinte që i biri kishte pasur konflikte me disa persona, të cilët e kishin dhunuar, por pa thënë shpjegime nëse këta ishin dy kushërinjtë që u ekzekutuan.
“Nuk kam patur dijeni për parcelën sepse në mal kam mbajtur bagëti dhe kam mbledhur boronica. Unë thjeshtë e njoh si zonë pjesën malore por nuk e kam ditur se ku ka parcela. Di faktin që djali im ka patur një ngatërresë dhe se e kanë rrahur.
Djalin tim se kam parë prej disa ditësh dhe di vetëm që janë ngatërruar dhe se e kanë rrahur disa persona. Unë nuk kam asnjë faj dhe nuk kam lidhje me këto pune sepse une jam i semure dhe kam edhe gruan të sëmurë“, është shprehur Rrok Pepaj gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë.