Një grup qytetarësh protestuan sot në Lezhë, duke i bllokuar rrugën kryeministrit Rama që ishte nisur për në Pukë. Protestuesit e detyruan Ramën të devijojë, dhe ti bie rrugës së vjetër për të mbërritur në destinacion.
Ndër proetstuesit është dhe Alfrida Marku, n/kryetare e bashkisë Lezhë dhe sekretare e PD-së në këtë qytet. Ajo u shoqërua në polici pas protestës, ndërsa thotë se “vetë policët janë nën presion nga mazhoranca”. Në total janë shoqëruar 20 persona, të cilët do procedohen në gjendje të lirë.
Intervista e znj. Alfrida Marku për gazetën “Mapo”
Ju sot keni marr pjesë në një proteste, duke i bllokuar rrugën Kryeministrit. A mund ta shpjegoni arsyen e protestës?
Iu bashkova sot protestës së qindra qytetarëve nga Lezha, Kurbini, Vau Dejës e Shkodra, të cilët në mënyrë paqësore e qytetare, ashtu sikurse qindra mijë shqiptarë të ndershëm më datë 16 shkurt, kanë marrë tashmë një vendim të pakthyeshëm: të ecin në krah të kundërt me Edi Ramën! Të ecin në krah të kundërt me Rilindjen! Të shkojmë së bashku drejt zhvillimit, duke dalë kundër krimit dhe abuzimit si e vetmja alternativë që iu ofrua Shqipërisë e shqiptarëve në këto 6 vite.
A janë të pakënaqur qytetarët në Lezhë, meqënëse keni kontakte të drejtpërdrejta me ta?
Lezhjanet sikurse çdo shqiptar janë të pakënaqur me këtë qeverisje. Shqiptarëve u është ofruar krimi si model qeverisje dhe model politik. Në zgjedhjet e 2017-ës vullneti qytetar u manipulua dhe nënshtrua presionit. U bë presion nga kriminelët pjesë e strukturave politike të PS si dhe u ble vota me paratë e drogës. Dosja 339 ka faktuar këtë, dhe Lezha është shembulli i këtij fenomeni. Qeveria Rama ka lënë në harresë qëllimisht bashkitë e djathta, duke penalizuar e diskriminuar qytetarët. Ka abuzuar me fondet publike e nga ana tjetër ka refuzuar qëllimisht financimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e Lezhës, sikurse Shkodrës.
A mund të na shpjegoni momentet e ndërhyrjes së policisë në protestë?
Unë ende besoj se në radhët e Policisë së Shtetit ka profesionistë, janë qytetarë të ndershëm. Duan edhe ata që kësaj qeverisje ti vijë fundi. Janë nën presion, kanë peng profesionalizmin e tyre dhe vendin e punës.
Në media eshte raportuar se ju jeni shoqeruar në komisariatin e Lezhës. Çfarë ju kanë komunikuar? Ka ndjekje penale për ju apo protestuesit e tjerë?
Bashkë me shumë qytetarë të tjerë pjesë e protestës, jemi thirrur në Drejtorinë vendore të Policisë Lezhë. Pretedohet se protesta është e paligjshme! Pretendohet se duheshin njoftuar paraprakisht institucionet. A ka ligjshmëri më të madhe se sa ti bashkohesh vullnetit të qindra mijëra shqiptarëve që me 16 shkurt dëshmuan se refuzojnë të qeverisen më nga krimi e abuzimi. Sërish, të gjithë bashkë, do jemi me 21 shkurt para parlamentit! Eshtë detyrim moral i secilit prej nesh që së bashku ti rikthejmë Shqipërinë shqiptarëve! Duhet të rikthejmë shqiptarët në Shqipëri!
/gazetamapo.al