Blog

I dashur shoku popull








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:11 - 14/10/20 |
Zef Zefi

A thu kemi harru se kur shkonim në zbor në “pergatitje zjarri” dhe në qitje, me karabinë duhej të merrnim shenjë portretin e Reganit, NATO-n e “Traktatin e Varshavës” deri në komanden zjarr!? Pastaj “pam-pam” plumbat mbi kompensatë.


Cila parti ishte në komandë me yll në ballë e “popullit ushtar?”. Dhe cili komandant e jepte komandën me sokëllimë nga tribuna e kongreseve, për të çpuar dërrasa?


Qesharake? Jo jo. Të bamit me qesh asht punë serioze…, thotë shkodrani.



Të kujtohet shoku popull se pas “luftës” bashkë me fitoret e korrura, shkonim me vrap për të marrë racionin e bukës dhe të sapunit, po qe se kishte mbetur nën banak? Përndryshe bosh qesja e stomakut, bosh qesja e “ilaçit të parazitëve”. Po të na rrojë Partia dhe krenar edhe me morra edhe pa bukë edhe me drita të fikura nga dora e partisë për “kursimet…”.


E mban mend të keqen shoku popull? Apo mendon se “Komandatja” yte ka ndryshu mend? Ashtu…?


A thu kem’ harru se cila Parti manifestonte protesta për destabilizimin e vendit gjatë kohës se ftesës së anëtarësimit në NATO (në Samitin e Bukureshtit 2 prill 2008).

Mos kemi harru se kur bëhej anëtarësimi me të drejta të plota në Samitin e Strasburg&Kehl, 2 prill 2009, finalizimi i anëtarësimit në NATO, cili komandant partie, cili Ruç shperndante e u frynte bilbilave ne Parlament, ndizte e digjte goma nëpër qytetet e Shqipërisë?

Çfarë akuze monstruoze për kanibalizëm telegramoi Partia e sotme e qeverisë në Komisionin europian me shtatzaninë e jastekut të roshistes së Kavajës. Dhe…dhe askush nuk ka marre pergjegjesi akoma. As politike, as penale. Përkundrazi… e kemi qerasur me vota për kryetarllëk.

Harruat se në një nga ngjarjet më të shënuara historike të botës shqiptare, Vizita e Presidentit Amerikan në Shqipëri, dhe shpallja botërisht e Pavarësisë së Kosovës, kjo parti insinuoi me vetëdijen e një serial-killeri shpifjen më të shëmtuar, vjedhjen nga shqiptarët të orës së Presidentit.

Kishte kumt më të shëmtuar për sytë e botës, se Presidenti amerikan po i jepte Pavarësinë një populli hajdutësh?

Tani qesh nën hundë po ia kujtove mjekërqemolit, ndersa asnjë nga mediet dhe tv, akoma nuk kanë njoftuar, afishuar dhe as denoncuar burimin kriminal të shpifjes dhe turpërimit.

I dashur popull krenar dhe lum ne për krenarinë… Tani për tani këqyre vetë se ku jemi dhe pse jemi kështu.

Kemi ekonominë, demografinë politikën dhe bashkëekzistencën më të shkatërruar dhe falimentuar në rajon dhe në Europë, borxhin më të madh sesa veten, madje krenohemi se e kemi të madh…

Kemi shtetin mungesor, me institucione të nështruara, nështetas e qytetar nga më të perdhunuarit e poshtëruarit e planetit, që komandohet nga një grup djajsh 70 vjet rresht dhe që rilind nga e njejta parti 80 vjeçare.

Kemi polici politike që sulmon popullin për maska, greva apo protesta, dhe ia bën me sy krimit dhe kriminalitetit të vazhdojë sipermarrjen me “partneritet” parti-privat…

Kemi shpallur e festuar tri herë me “çilen-s’çilen…,në shtatë vjet hyrjen në Europë, njësoj si festimet për ndertimin e plotë të socializmit, ndersa i jemi larguar asaj mbrapsht drejt moskundit.

Në vend të kongresohemi pallë-qefi me skenat, kostumet dhe rrenat të ngrehaluces 80-vjeçare që ka qeverisur 70 vjet, po akoma “çan dërrasa…” ditën e na vjedh bukën natën, a mendon shoku popull se ka mbërritur koha me pyet mendjen.

Gjithnjë nëse ka mbetur gjë në fundin e kutisë së mendimit.

 

 


Etiketa: ,

Pas