Zbardhen të tjera detaje nga atentati mafioz ndaj 40-vjeçarit Hekuran Billa mbrëmjen e kaluar te Komuna e Parisit.
Viktima me origjinë nga Kukësi, jetonte në fshatin Domje, në periferi të Tiranës, ndërkohë që njihej për precedentë të mëparshëm penal.
Në vitin 2006, Billa ekzekutoi me breshëri në një lokal në Angli, shtetasin Prel Marku, 22 vjeç, ndërsa la të plagosur tre të tjerë, Petrit Brahoj, Agron Gjoni dhe Musa Rrahmani.
Për këto vepra penale, gjykata në Angli e ka dënuar Hekuran Billën me burgim të perjetshëm, ndërsa nëntë vite më pas, me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë shqiptare, në vitin 2016 ai ekstradohet drejt vendit tonë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Gjykatat shqiptare e liruan
Gjykata shqiptare ia konvertoi burgimin e përjetshëm me 25 vite burg, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, për veprën penale që ai akuzohej. Pasi mori këtë vendim tre vite më vonë, Billa bëri sërish një kërkesë në Gjykatë për t’u liruar me kusht, që e arriti ta marrë në vitin 2019.
Gjyqtari Altin Abdiu në 13 maj 2014 ka vendosur të njohë dënimin me burgim të përjetshëm që Hekuran Billa kishte marrë në Angli. Ndërsa në 20 korrik 2016 gjyqtari Lefter Jahaj, ka vendosur të ndryshojë vendimin e gjykatës së Tiranës për njohjen e burgut përjetshëm dhe dënimin e tij përfundimisht me 25 vite burgim. Në vendimin e tij Gjykata thotë se Hekuran Billa duhet të vuajë dënimin nga dita e arrestimit në Shqipëri në 15 nëntor 2007.
Mirëpo nga kjo periudhë e deri më sot, Billa edhe sikur të ketë qëndruar në qeli ka vuajtur gati 15 vite burgim, duke bërë që atij i kishin ngelur dhe 10 vite burgim për të vuajtur. Por mesa duket uljet e dënimit të dhëna nga gjykata e Krujës, kanë ndikuar që ai të lirohet para kohe.
Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha i fali 5 vite Hekuran Billës, duke e nxjerrë me kusht. Por kush është Enkelejda Hoxha, për të cilën Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin administrativ?
Emri i gjyqtares lidhet me lirimin nga burgu të disa të dënuarve, përmes vendimeve të dyshimta, para se ajo të përballej me vetingun. Hoxha u ka hapur dyert e burgut ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle, duke i shuar dënimin përjetë, Genc Tafilit, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.
Ministrja Etilda Gjonaj e cilësoi një kambanë alarmi për drejtësinë lirimin e Dokles pak muaj më parë. Ministrja deklaroi se ka kërkuar pezullimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, si edhe ka kërkuar prokurorisë ndjekje penale për të, ndërsa ILD-ja nisi hetimin administrativ.
***
Hekuran Billa kishte në Tiranë një biznes makinash me qera. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton të jetë pronar me 100 për qind i subjektit “Car Rent Albania”, biznes që është regjistruar në janar të këtij viti.
Ai e ushtronte aktivitetin në tre pika, një prej të cilave në Komunën e Parisit vend ku edhe u qëllua për vdekje mbrëmjen e kaluar, ndërsa mësohet se është përdorur silenciator pasi krismat e armës nuk janë dëgjuar në zonë.
LEXO EDHE:
Vrasja në ‘Komunën e Parisit’/ Hekuran Billa dyshohet se u ekzekutua nga vrasës me pagesë