Qafë Thanë/ Është vendosur në pranga një 35-vjeçar maqedonas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për grup të strukturuar kriminal dhe prodhim e shitje narkotikësh. Bëhet fjalë për Toni Jashari.
Jashari u dënua në gusht të 2015-ës me 10 vite burg nga autoritetet gjyqësore kroate, dhe u arratis nga vendi i vuajtjes së dënimit në vitin 2018.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara të Policisë Kufitare dhe falë bashkëpunimit me Interpol Tiranën, maqedonasi është arrestuar në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Teksa pritet ekstradimi, materialet në ngarkim iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Policia Kufitare si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe falë bashkëpunimit me Interpol Tiranën, evidenton dhe arreston me qëllim ekstradimi një shtetas maqedonas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore kroate.
Ndalohet një 35-vjeçar, i dënuar me 10 vite burg për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.
Në kuadër të masave të shtuara dhe analizës së rriskut, shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Thanës, gjatë përpunimit të detajuar të dokumentacionit në hyrje të Republikës së Shqipërisë, të shtetasit T. J., konstatuan se autoritetet gjyqësore kroate me vendimin e datës 26.08.2015, e kanë dënuar këtë shtetas me 10 vjet burg për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, parashikuar nga Kodi Penal Kroat. Ky shtetas në vitin 2018, është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë në bashkëpunim me specialistët për hetimin e krimit, krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar T. J., 35 vjeç, banues në Gostivar, Maqedoni e Veriut.
Materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.