Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli deklaron se nuk i intereson ngjarja e sotme, ku u dogj makina e tij, pasi ka një problem familjar më të madh. “Kam në gjendje të rëndë vëllanë tim. Nuk më intereson se çfarë ka ndodhur”, u shpreh ai, në një bisedë të shkurtër telefonike për Mapo-n.
Siç kemi raportuar edhe më parë, sot në orën 04:00 është djegur nga persona ende të paidentifikuar fuoristrada tip “Range Rover” në pronësi të Bashkisë së Vlorës, që përdorej nga kryetari i saj, Dritan Leli.
Automjeti ka qenë i parkuar poshtë pallatit ku banon shoferi i tij, në lagjen “Lef Sallata”.
Njoftimi i policisë
Më datë 10.10.2019, rreth orës 04:26, në lagjen “Lef Sallata” Vlorë pranë zyrave të punës, ka marrë flakë automjeti tip Range Rover në pronësi të Bashkisë Vlorë (mjet që përdorej nga Kryetari i Bashkisë Vlorë), ku si pasojë e flakëve ka marrë zjarr edhe një automjet tjetër tip Ford, parkuar në afërsi.
Drejtuesi i mjetit Range Rover, shtetasi E.T (shoferi i Kryetarit të Bashkisë) e kishte parkuar mjetin pranë pallatit ku banon. Ndërsa mjeti tjetër tip Ford është në pronësi të shtetasit B.A.
Si pasojë e flakëve, të dy mjetet janë dëmtuar plotësisht.
Policia ka ngritur një grup hetimor me qëllim kryerjen e hetimeve të mëtejshme në lidhje me përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Lexo edhe:
Foto/ Dëshmia e banorit që pa djegien e Range Rover-it të Lelit