Krahas atyre që kanë bërë thirrje për bojkot të koncertit të Goran Bregoviç në Korçë, mes artistëve ka edhe nga ata që kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre te festa e Birrës Korça, edhe pse kanë qenë të ftuar nga organizatorët e këtij eventi.
Të tillë janë reperët Noizy dhe Capital T të cilët kanë refuzuar ftesën gjatë tre netëve të festës së Birrës Korça, për shkak të artistit serbo-kroat nga Bosnje Hercegovina. Goran Bregoviç akuzohet se me këngët e tij frymëzonte paramilitarët serbë në Kosovë, të kryenin masakra dhe gjenocid ndaj popullsisë shqiptare.
Capital T
Capital T ishte i ftuar që të përformonte në hapjen e evenimentit të Festës së Birrës në Korçë. Mirëpo për shkak të ftesës së artistit serb Goran Bregoviç, ai ka anuluar përformancën e tij.
Ai u kërkoi falje fansave të tij për anulimin e përformancës. Gjithashtu i bëri thirrje Bashkësi së Korçës që ta anulojnë përformancën e artistit serb.
“E ndjeva të rrugës që të reagoja për eventin e festës së birrës në Korçë për faktin se unë isha i ftuar për të bërë hapjen e atij evenimenti dhe realisht isha shumë i lumtur që të jem aty, afër njerëzve që e duan muzikën time edhe e duan prezencën time aty, por kur pashë se një artist serb siç është Goran Bregovic, prej të cilit janë inspiruar forcat serbe dhe kanë kënduar këngët e tij gjatë luftës në Kosovë, atëherë u detyrova që të anuloja performancën time. Iu kërkoj falje të gjithëve!
I bëj thirrje bashkisë së Korçës, absolutisht që të anulojë prezencën e tij në Shqipëri për faktin se konflikti Kosovë-Serbi është ende i hapur edhe nuk i takon asaj si institucion shtetëror që të sjellë një artist serb këtu në Shqipëri”, është shprehur Capital T.
View this post on Instagram
Noizy
Reperi Noizy ka anuluar gjithashtu pjesëmarrjen në eventin e Birrës Korça. Në një insta story, reperi shkon edhe më tej duke ftuar këngëtarët e tjerë shqiptarë që të organizojnë një koncert paralel me festën e Birrës Korça. Teksa njofton organizatorët e festës së Birrës Korça se nuk do të jetë i pranishëm, Noizy ka një sugjerim për ta, të ftojnë Dua Lipën e cila ndodhet në Shqipëri prej dy javësh dhe jo artistin serb të cilin sipas tij, nuk e njeh askush në Korçë.
Kujtojmë që administratori i Birra Korça, Dhimitri Zonja ka sqaruar pak më parë se i gjithë aktiviteti organizohet nga Bashkia e Korçës dhe është pikërisht ajo që vendos dhe për të ftuarit.
Goran Bregovic, ka lindur në Bosnje Hercegovinë nga baba kroat dhe nënë serbe.
Bregoviç akuzohet edhe si ithtar i Vladimir Putin, duke mbështetur pushtimin e Krimesë prej tij. Ukraina ia ka ndaluar koncertet në territorin e saj. Edhe Polonia ka vendosur të njëjtën gjë për artistin serbo-kroat. Ndërsa Rusia e ftoi për një koncert në rajonin e pushetuar, Krime, ku këngëtari ka performuar disa vite më parë.