Editorial

I ka të gjitha, po prapë nuk i mjaftojnë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:37 - 27/07/20 |
Mapo.al

Edi Rama është disa muaj para një prej garave më të pabarabarta në historinë e këtyre 30 viteve, ku ai po shkon drejt zgjedheve me pushtetin më të madh që ka patur ndonjëherë një kryeministër.


Ka 60 bashki të vetat, kontrollon gjithë territorin. Ka rreth 170 mijë nëpunës të administratës, pra njerëz që urdhërohen dhe monitorohen rreptësisht dhe shantazhohen me bukën e gojës.


Ka gjithë paratë e vendit dhe i dorovit si të dojë. Ka me vete oligarkët dhe më të pasurit, me të cilët ndau buxhetin gjithë këto vite. Ka ndikim absolut tek drejtësia. Ka median kryesore në vend. Ka lidhjet me djemtë problematikë.


Pra në këto pozita po shkon ai drejt pranverës së 2021.


Le të kujtojmë se opozita kryesore në Serbi bojkotoi zgjedhjet atje përballë autokratit Vuçiç, me pretendimin kryesor për pabarazi në media, dhe pa patur prova, apo raste të krimit elektoral, si dosja 339 apo 184. Një pretendim me të vërtetë luksoz, po ta krahasosh me rrethanat tona.

E megjthatë, Edi Rama është sërish i palumtur, është i pasigurtë, është i vrenjtur, agresiv, dhe në thelb, i frikësuar nga dita e zgjedhjeve që po vjen. Për këtë arsye, ai, sikur të mos i mjaftonin gjithë këto rrethana, zotërimi i çdo pushteti, çdo zyre, çdo institucioni, cdo fluksi, çdo force të errët, e ka ndarë mendjen të ndryshojë Kushtetutën për të favorizuar veten e tij në betejën e pritshme elektorale.

Një rast unik ky, ku para zgjedhjeve, ai që ka pushtetin ndryshon rregullat e lojës, ligjin themelor, për të rritur shanset për veten e tij, e për të dëmtuar kundërshtarin.

Një putinizëm i pastër.

Dhe ky që po i bën këto marifete, është për ironi, Presidenti i OSBE-së, organizmi që merret me standardet zgjedhore, dhe ofron garanci për votën e lirë.

Jo më kot, këtë cilësi ja ka kujtuar sot zyrtari i lartë gjerman, në një deklarata që mund të jetë e 50-ta që vjen nga Europa dhe SHBA, ku i thonë Ramës të ndalet.

Po gjasat janë që ai ta çojë deri në fund, edhe pse ndërkombëtarët, pa asnjë ekuivok, pa asnjë veshje diplomatike, janë duke i thënë fare qartë: Stop! Halt!

Në të vërtetë, Rama nuk po i shton asnjë mundësi vetes me këtë strategji. Në sytë e njerëzve po shfaqet si dikush që po rrëmon ngado për të ruajtur karrigen, privilegjet dhe pushtetin. Kjo vetëm sa e shton zemërimin, dhe gjasat janë që sa më shumë të shkojë në këtë rrugë, aq më shumë do të tkurret mbështetja për të.

Nuk korigjohet rënia e popullaritetit dhe nuk zbutet humbja e pritshme me makinacione kushtetuese. Shtrati i madh ku kalon vullneti i qytetarëve, është i pamanipulueshëm, i pazotërueshëm nga liderët, sado të pushtetshëm të jenë ata.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas