Mapo Letrare

I kthyer nga kohë e shkuar…







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:51 - 10/10/20 |
Odise Kote

I kthyer nga kohë e shkuar,


nga fundqielli në largësi,


me ngjyrën e mëllagës të zbehtë,



më shihni:


a ju kujtohet revolta ime ndaj babait?


 

Ç’komedi e lehtë,

(në vend të tragjedisë),

kur mbaja në gji sekretin e çerdhes,

në pemën që digjej nga vetëtimat?

 

Në buzë kisha shijen e lëkurës së shegës,

athëtirën e ftoit të egër,

pikëpyetjet kishin më shumë kuptim se pikëçuditëset,

që shndërronin në fabula,

ngjarje e agoni …

curkajë,

nisur nga një habi në tjetrën,

si i vdekuri kur zgjohet brenda vdekjes …

 

Çdo ditë tjetër në jetën prej fëmije,

dilte prej gropëzës së dlirë,

rrënjëve të pemës që shkulej tokës,

kur zmadhoja parreshtur foton e babait,

zmadhim që shkonte gjer në absurd …

 

Jam nisur, kthyer, rinisur, për udhë,

kthinave kalehe tê gjuhës,

metaforave e kujtimeve,

si vreshta të fshehura shpellave, gërranave,

ujërave nën dhe,

ujëra që bluajnë gjeth e shkarpa,

në bregun me ullinj,

rehatuar në paqe,

ndën qiell, atje,

atje ku dua të lidh spirancën e mbërritjes.

 

Mbeta furtunës, detit,

pa mbërritur në breg

të kryqëzohem si Jezu Krisht,

në betimin e pritjes …!

 

2

NË BURIM TË PYLLIT …

 

Në burim të pyllit eja edhe vdis,

fluturojnë çafka mbi lisat, në qiej…

Shpirtrat paqtohen, prekin çdo premtim,

të varur në litarë të gjatë pritjesh…

 

Trupat humbin formën, si ujët në gjeth,

ndezur nga ëndjet dhe tingujt e erës.

Zjarri përvëlonjës, pëshpërimë e fresk,

si shija majhoshe e manaferrës.

 

Kafshimi i dëshirës skuq mu në qafë,

oj ç’rrëshkasin puthjet si trillet e flakës.

Në tokën e butë, në të ëmblën vlagë,

bari dhe lëpjetat, ferrat dhe zambakët…

 

Thellë në gji dëshire, hepuar e prush,

tinguj, meshë hënore, etje, ligjërime.

Verbuar prej epshit dëshirën përmbush,

dardhë e egër pylli, pjekur në rënkime.

 

Ku harrohet dhimbja, ku vesohen yjet,

Ku shërohet plaga, djalërohet plaku…

Për shira e muzgje bëjnë muzikë prillet…

Në burim të pyllit eja edhe ngjallu…!

 

 

3

VETMIA PA TJETRIN DHE PA VETEN …

 

Vetmia është nisur të mos mbêrrijë askund,

eremit anonim, çmendur në ekstazë.

Kohë moderne, triumfues përemri vetor Unë,

Miq, komshinj, të dashur, vetëm tasta në I-pad.

 

Zemërimet e thella, që ngjallin gjithnjë shpresë,

rrokullisen, bëhen copash, moralit gjykues në greminë.

Ajo ëndërron botë ku flutura ka lulen e vet

dhe roboti ta zëvendësojë sa më shpejt njerinë.

 

Pikëllimet sjellin lajme kujtese, falje të buta dhe mëshirë,

truallit ku rriten gjëmbaçët pronorë; Tëndja – Imja.

Klikime tasti e shpirti vetëburgoset të duket i lirë,

arratisur fëmijërie, syrgjynosur njerëzie, mallkuar nga vendlindja.

 

Gjakim, kokëfortësi absurdi që ngjit në delir të përpjeta,

fillikat, pa tinguj, pa të qara, veç me heshtje.

Lakmon egërsisht Unin, rrëzimin që niset tek vetvetja,

vetmia s’ka memorie, ka gjuhë të përveçme, fatkeqe.

 

Ikën si e marrë të mos mbërrijë askund,

vetëflijuar nê iluzione intimiteti digital.

Rrezikon të mbetet vetëm, pa tjetrin, tjetrën,

madje dhe pa vetveten në krahë…

 

4

 PLEQ TË VETMUAR NËPËR VAPË…

 

Therin gjer në kockë,

pleqtë e vetmuar nëpër vapë!

Për pak bukë, qumësht

a një kokërr fiku,

për pak, fare pak.

Shkojnë dhe djegin mushkëritë

zhegut të thatë, ajrit përvëlak.

Për pak,

fare pak,

vërtiten vetmuar,

rrugëve zhur,

copëza të shpërndara kujtese,

si triumfe mbijetese,

kërkojnë të lirat tregje…

Askush s’i ndihmon

sakrifikuesit ikanakë,

që shpejt do të ngjiten qiellit,

të fshihen pas reve …

Për pak,

fare pak…

Sa më trishtojnë,

pleqtë e vetmuar

nëpër vapë …!

 

5

 TEK QIPARISAT E VJETËR MBI KODËR …

 

Tek qipariset e vjetër mbi kodër,

kur vinin lejlekët e sillnin pritjen tonë bredharake,

më kujtohen format e trupit tënd,

që s’kishin asnjë lidhje me arsyen,

veç me fabula shtegtimesh në qiej të tjerë.

 

Atje, ne treteshim pasionesh,

në prozhme drite e avulli,

kur në folenë e sapongritur me fije bari,

me këngë e gojëdhëna të tokës,

zbriste dielli uronte mirëseardhje

lejlekëve që vinin nga gjysma tjetër e botës,

sepse zjarri nuk është një pikturë e varur në mur…

 

Dhe i betoheshim njëri – tjetrit :

Puthjet si diell shkëlqejnë,

ndonëse thellësive besonim që bukuria e vërtetë

fshihet errësirës

dhe pret të ndriçojë prej dritës së brendshme.

 

Të mahnitur nga rrëfime e aventura udhëtimesh,

të ribërë epshesh,

mblidhnim copëza të vogla pendimesh,

shpërndarë si rrëketë,

hollësi që vërshonin gjithandej,

përfytyrimet e qiellta e gjithkça tjetër…

 

Më kujtohen të gjitha, por kam frikë të plakem

pa shtegëtimet e reja të lejlekëve,

tek qiparisat e vjetër…

 

 

6

DASHURIA …

 

Ajo s’i beson premtimet e kota,

ka buzëqeshje dielli,

dhe shkon të marrë atë që dëshiron …

 

Shndrin gjithkund bukurie,

ndaj guxon të mos presë,

kur e pengojnë …

 

Me sandale çupërline, ecën krenare kryelartë,

sfiduese e botës

që përpiqet ta fundosë …

 

Ajo thotë gjithnjë të “dua”,

pa egoizëm,

pa asnjë interes…

Brishtësinë e ruan fuqi,

dhe jo si mallkim,

e në besim të saj, të tjerat,

mësojnë si të jenë …

 

Luajnë me shenjat hyjnore,

hiret e trupit që veshin fustanet e erës,

në rrokullisje dehjesh,

mirëkuptim i shtrojës së barit dhe vesës…

 

Ndizen e bredhin përbrenda,

kaq shumë rrëkeza drite e ojna,

sa padashur, bujarisht ua fal

dhe njerëzve të gabuar …

 

7

 KUR NATA TRETET PAK E PAK …

 Mendon sikur…kur nata tretet pak e pak,

në maja, kreshta, fusha krejt terrinë.

Sikur dhe gishtat ikin, zgjaten, larg e larg ….

të ndjejnë, të prekin, të shenjtën frymë…

 

Të ndjejnë, të prekin atë vijëzën e hollë,

aromën e gjirit dhe lotët si rrëkezë.

Dritëzën e qafës, ujvarë – afshngrohtë,

buzët e zhuritura, lakimin e epshtë.

 

Të prekin lehtë kujtimin që rri zgjuar,

të lodhurin e dergjur, gjakosurin pa zë.

Atje në mungesën, nën hirin e shuar,

kthinës së errët, në memorien që flë.

 

Të prekin dhe fjalën që hesht si një gur.

Ta zgjojnë! Sa nata të tretet pak e pak.

Vashëz të bëhet, të sjell broken me ujë,

e bregut t’i zbresim yjet gjer në ag …

 

Kur nata zë tretet pak e pak …

 

 

 


Etiketa:

Pas