91- vjeçarja që i mbijetoi rrethimit fashist të Leningradit po e mbyll jetën nën bombardimet ruse. Mosha dhe gjendja e keqe shëndetësore ia bëjnë të pamundur strehimin në bodrume
Alevtina Shernina ishte vajzë e re kur i mbijetoi rrethimit brutal të Leningradit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tetë dekada më vonë, aq e brishtë sa mezi mund të flasë ose të lëvizë pa ndihmë, ajo është e rrethuar përsëri.
91-vjeçarja jeton në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe një nga zonat urbane më të goditura nga pushtimi rus. Bombardimi ka ardhur aq afër saqë dritaret në ndërtesën e saj të banesës janë hedhur në erë.
Një pjesëtar i forcave të mbrojtjes territoriale të Ukrainës qëndron brenda ndërtesës së dëmtuar të administratës rajonale të Kharkivit, pas një bombardimi.
E megjithatë Shernina nuk mund të ikë, qoftë edhe në një strehë për bomba. Problemet e saj të zemrës e bëjnë shumë të brishtë për ecur deri në bodrum, kur bien sirenat e sulmit ajror.
Ajo mund të komunikonte përpara pushtimit të Rusisë, por tani pothuajse nuk reagon, tha nusja e saj Natalia.
Një bombardim këtë javë tronditi edhe Natalinë.
Ajo tha se ishte në kuzhinë për një çaj: “Pastaj hapa derën dhe nuk mund ta kuptoja se çfarë po ndodhte. Pas dritares kishte zjarr dhe xhamat po thyheshin”.
Ajri i ftohtë tani hyn përmes një dritareje të dëmtuar nga sulmi. Me fytyrë të zbehtë, sytë gjysmë mbyllur, Shernina ulet aty pranë me një batanije, një ngrohës elektrik te këmbët e me një kuti barnash pranë.
“Ndjej zemërim çnjerëzor nga fakti që Alevtina e nisi jetën e saj në Leningrad nën rrethim si një vajzë që vuante nga uria, që jetonte në të ftohtë dhe skamje dhe ajo po i jep fund jetës së saj [në rrethana të ngjashme]”, tha Natalia.
Ajo foli me hidhërim për forcat ruse dhe i krahasoi me “fashistët” që rrethuan Leningradin, i9 quajtur tani Shën Peterburg, për gati 900 ditë, shumë kohë më parë.
“Çfarë mbrojtësish janë këta?”, pyet ajo. “Kë erdhën të mbrojnë?”
Ajo tregoi një kartë zyrtare që tregonte statusin e vjehrrës së saj si një e mbijetuar e një prej rrethimeve më vdekjeprurëse në histori. Forcat gjermane rrethuan dhe lanë në uri Leningradin nga viti 1941 deri në 1944 dhe qindra mijëra njerëz vdiqën.
Tani Kharkiv, pak më shumë se 40 km nga kufiri rus, sheh pak rrugëdalje nga pushtimi. Disa banorë kanë arritur të largohen. Të tjerët, si Shernina dhe familja e saj, nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të qëndrojnë dhe të pyesin se sa do të vazhdojë.
“Nuk mund të largohemi për shkak të Alevtinës, ajo është në gjendje të tillë që është e patransportueshme”, tha Natalia. “Ne do të donim të largoheshim, por këtu është edhe vajza ime, e cila punon si mjeke në Maternitetin e 3-të. Ajo largohet [për në punë] për katër ditë me radhë, sepse është e rrezikshme të lëvizësh natën.”
Vajza e saj tani ecën gjashtë milje për në punë, pasi transporti publik nuk funksionon më në Kharkiv. Vetëm një e treta e kolegëve të saj mjekë kanë mbetur në spital. Disa janë evakuuar, nga frika e më shumë bombardimeve ruse.
Ajo dhe Natalia kanë frikë. Ata menduan të përpiqeshin ta mbronin Sherninën duke e zhvendosur në bodrum, ku krevatet metalike dhe muret e zhveshura prej betoni japin pak rehati.
“Por, siç mund ta shihni, ta mbash atë do të ishte shumë e vështirë”, tha Natalia. “Ne thjesht nuk do t’ia dilnim në kohë”.