Nga James Gallagher, BBC
Një person ishte në gjendje të lëvizte katër gjymtyrët e paralizuara falë një ekzoskeleti që kontrollohet me mendje. Kështu thuhet në një raport të shkencëtarëve francezë.
Thibault, 30 vjeç, tha se pasi hodhi hapat e parë me këtë ‘kostum’, u ndje sikur të ishte ‘njeriu i parë në Hënë’.
Lëvizjet e tij, veçanërisht e ecura, nuk janë perfekte dhe ky kostum robotik përdoret vetëm në laborator.
Por shkencëtarët thonë se kjo qasje do të përmirësojë cilësinë e jetës së pacientëve një ditë.
Si funksionon?
Thibault iu nënshtrua një operacioni për t’i vendosur dy implante në sipërfaqe të trurit, që mbulojnë pjesët e trurit që kontrollojnë lëvizjen.
64 elektroda në secilin implant lexojnë aktivitetin e trurit dhe japin udhëzime te një kompjuter aty pranë.
Një softuer i sofistikuar lexon valët e trurit dhe i kthen ato në udhëzime për të kontrolluar ekzoskeletin.
Thibault duhej të futej në ekzoskelet. Në momentin kur ai mendon ‘ec’, kjo aktivizon një sëri udhëzimesh që vënë në lëvizje këmbët e tij.
Dhe ai kontrollon secilin krah, duke i manovruar në një hapësirë tredimensionale.
Sa e lehtë është që të përdoret?
Thibault, që nuk e zbulon mbiemrin e tij, ishte okulist përpara se të rrëzohej nga një lartësi prej 15 metrash në një klub nate para katër vitesh.
Lëndimi i palcës kurrizore e la të paralizuar dhe ai i kaloi dy vite në spital.
Por në vitin 2017 ai nisi të merrte pjesë në testimet me ekzoskelet nga Universiteti i Grenoblit dhe kompania Klinatec.
Fillimisht ai u praktikua duke përdorur implantet e trurit që të kontrollonte një avatar (karakter virtual), përpara se të kalonte tek ecja me kostum.
“Ishte sikur po ecja në Hënë. Nuk kam ecur për dy vjet. Kam harruar se si është të qëndrosh në këmbë. Harrova që isha më i gjatë se shumë njerëz në dhomë,” thotë ai.
U desh më shumë kohë për të mësuar se si të kontrollonte krahët.
“Ishte shumë e vështirë për shkak se është një kombinim i më shumë muskujve dhe lëvizjeve.
“Kjo është gjëja më mbresëlënëse që kam bërë me ekzoskeleton”.
Cili është hapi tjetër?
Shkencëtarët francezë thonë se ata mund të vazhdojnë të përmirësojnë teknologjinë.
Për momentin ata janë të kufizuar tek sasia e të dhënave që mund të lexojnë nga truri, ta dërgojnë në kompjuter, ta interpretojnë dhe më pas ta nisin tek skeleti në kohë reale.
Ata kanë 350 milisekonda për të kaluar nga mendimi tek lëvizja, përndryshe sistemi bëhet i vështirë për t’u kontrolluar.
Kështu që ekziston potenciali për të lexuar trurin në mënyrë më të detajuar duke përdorur kompjuterë më të fuqishëm dhe Inteligjencën Artificiale për të interpretuar informacionin nga truri.
Po ashtu ka plane për të zhvilluar kontrollin e gishtave, që do e lejonte Thibault që të kapte dhe lëvizte objekte.
Ai e ka përdorur tashmë implantin për të kontrolluar një karrige me rrota.
A mund të përdoret për keq kjo teknologji?
Ka shkencëtarët që hetojnë mënyrat e përdorimit të ekzoskeletëve për të përmirësuar aftësitë njerëzore, një fushë e njohur si transhumanizëm.
Këtu përfshihen edhe aplikimet ushtarake.
“Ne nuk po shkojmë në mënyrë absolute drejt këtyre aplikimeve ekstreme dhe të çmendura,” thotë profesor Alim-Louis Benabid, president i Bordit Ekzekutiv të Clinatec.
“Ne nuk jemi tek qasja e përmirësimit të qenieve njerëzore. Detyra jonë është të rregullojmë pacientët e plagosur që kanë humbur funksionet e tyre”.
Çfarë mendojnë ekspertët?
Profesor Tom Shakespeare nga Shkolla Londineze e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale, thotë: “Megjithëse ky sistem paraqet një përparim të mirëpritur dhe emocionues, duhet të kujtojmë se prova e konceptit është larg mundësisë së shfrytëzimit klinik”.
“Edhe nëse do vihen ndonjëherë në punë, kufizimet në kosto nënkuptojnë se opsionet e teknologjisë së lartë nuk do jenë në dispozicion për shumicën e njerëzve në botë me dëmtime të palcës kurrizore”.
Ai thotë se vetëm 15 përqind e personave me aftësi të kufizuara kanë një karrige me rrota apo pajisje të tjera ndihmëse.
Detajet e ekzoskeletit janë publikuar nga revista “The Lancet Neurology”.