Pas dëshmisë së qytetarit që tha para trupës gjykuese se s’kishte qenë fare në protestën e opozitës të shtunën, por që policia e kishte arrestuar si protestues të dhunshëm, edhe rrëfimi i një tjetër të ndaluari nxjerr blof policinë. Një nga protestuesit i dha ndihmën e parë një të moshuari mbi markizë pasi u asfiksua nga gazi lotsjellës. Sot ai doli para Gjykatës dhe rrëfeu pikërisht veprimin që bëri gjatë protestës duke i shpëtuar jetën një 76-vjeçari, ndërsa shtoi se sot qëndron i arrestuar si kriminel.
“Unë shpëtova një jetë njeriu, një plak 76 vjeç, që ishte shtrirë përtokë. Ky ka qenë veprimi im. Kam shkuar lart. I shpëtova jetën atij prindi, atij 76-vjeçari, këtë veprim kam bërë. E kemi ulur poshtë dhe kam ikur. Kam shpëtuar një jetë njeriu dhe sot unë quhem kriminel”, tha protestuesi i arrestuar.
Gjykata e Tiranës la në burg sot 6 protestues si Florenc Hoxha, Resul Daçi, Ilir Hamedini, Sajmir Rexhepi, Agim Peposhi dhe Ferit Dankshi, ndërsa liroi 13 të tjerët. Masat e sigurisë janë dhënë nga gjykatësja Rexhina Merlika e cila dha vendimin për secilin prej tyre, të vënë në akuza për katër vepra penale, kundërshtim të policisë, dëmtim prone me dashje, protestë pa leje dhe prishje të qetësisë publike.
Lexo edhe:
Salla e gjyqit shpërthen në të qeshura/ I ndaluari s’kishte qenë fare në protestë (VIDEO)
/Gazeta Mapo/