Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi ka renditur ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve një sërë kërkesash, që sipas tij duhet të plotësohen për KLP-në në buxhetin e 2020. Ai ka kërkuar ndër të tjera sekretarë dhe shoferë. Megjithatë, kërkesa e Ibrahimit nuk është parë si e arsyeshme nga anëtari i Komisionit, Bashkim Fino.
“214 milionë lekë është tavani i kërkuar nga KLP për buxhetin e 2020. Kërkohet shtesë prej 4 sekretarësh për asistimin e komisioneve. Kërkesë tjetër, shtesa e shoferëve, aktualisht janë vetëm 7. Shtesë edhe për specialistin e IT, është vetëm 1. 214 milionë lekë kërkoi KLP, kemi detyrime të prapambetura ndaj 3 kolegëve.
Shtesa për pagat është 17 milionë lekë. Fondi i investimeve nuk është në përputhje të institucionit, na duhet fond shtesë për pajisjet e regjistrimit të diskutimeve në mbledhjet e këshillit. Po bëhemi gati të lëvizim në një godinë të re ku nuk funksionojnë pajisjet e regjistrimit”– tha Gent Ibrahimi.
“Ju keni 7 shoferë dhe kjo është absurde, që të kërkoni rritjen e numrit të shoferëve dhe sekretarëve. Është gjynah të ulim nivelin e bisedës për buxhetin. Buxheti për KLP-në është 73% më shumë. Që t”i shtojmë shoferët dhe sekretarët KLP -së i bie që t’i shkurtojmë nga një institucion tjetër”–iu kundërpërgjigj Bashkim Fino.