Milan rigjen grintën e munguar në Cagliari dhe triumfon me shifrat 0-2. Një Milan krejtësisht ndryshe, duke nisur që nga formacioni, me Piolin që kishte bërë plot 4 ndryshime, si dhe kishte ndërruar skemën, duke kaluar nga 4-3-3, në një 4-4-2 të pastër.
Leao dhe Ibrahimovic luanin nga minuta e parë, me Piatek që ulej në stol, së bashku me Suson, Bonaventuran dhe Krunic, të cilët në ndeshjen e fundit ishin titullarë. Rikthim në formacion dhe për Kessie e Castillejo, me të dy këto lojtarë që bënë një ndeshje mjaft të mirë.
Që në start kuqezinjtë kishin inisiativën, por pavarësisht rasteve, nuk arritën të shënonin në pjesën e parë. Atë që nuk e bënë në 45 minutat e para, mendoi ta bënte Leao pas vetëm 33 sekondash nga pjesa e dytë. Top perfekt i Castillejos, me Leaon që e ul mirë dhe godet për të shënuar golin e avantazhit.
Leao’s goal pic.twitter.com/Zrcb5zsur7
— 👍SS (@semo33x) January 11, 2020
Pas golit, kuqezinjtë ishin më të qetë dhe pas një aksioni të bukur, Theo Hernandez gjeti Ibrahimovic, me këtë të fundit që shkundi rrjetën në minutën e 65-të.
Goli i parë për Zlatan që nga rikthimi, pikërisht në ndeshjen e parë si titullar. Gjiganti i sulmit shënoi edhe në minutën e 83-të me kokë, por goli u anulua për pozicion të parregullt. Kështu, Milan merr një fitore me shumë vlera, duke shkuar në kuotën e 25 pikëve, ndërsa Cagliari mbetet në kuotën e 29 pikëve.