Në intervistën e gjatë, dhënë “La Gazzetta dello Sport”, Marcello Lippi foli gjerësisht edhe për Interin e ri të Antonio Conte. Sipas ish-trajnerit të kombëtares së Italisë, kampion bote me të më 2006, kolegu i tij zikaltër mund të ndryshojë modul loje së shpejti: “Unë mendoj se Antonio do të përfundojë duke luajtur me tre sulmues. 3-4-3? Pse jo? Ai e ka bërë këtë tashmë. Të kesh në dispozicion edhe Sanchez me Politano, është plotësisht e mundur”.
Për Lippin, Interi është një nga tre pretendentët për titull, së bashku me Juventusin dhe Napolin, por i frenon disa krahasime: “Godin, De Vrij dhe Skriniar si BBC (Bonucci-Barzagli-Chiellini)? Para këtyre krahasimeve, ata duhet të fitojnë diçka. Mund të bëhen në të ardhmen. Sensi është shumë i mirë; ka ide, ritëm, pozicionohet në mënyrë inteligjente, krijon lojë”.
Në fund, Lippi promovon largimin e Icardi dhe ardhjen e njëkohshme të Lukakut tek Interi: “Icardi? Ai duhej të ikte. Nuk po them më shumë. Mua më pëlqen me të vërtetë Lukaku. Ai ka forcë, fuqi, përulësi, thjeshtësi, shpejtësi”./TS/