Ida Gjergji, një vajzë e apasionuar pas teknologjisë, 4 vite më parë udhëtoi nga Shkodra në Stamboll për të studiuar në një prej universiteteve më të mira në Turqi, por dhe në botë, Universiteti Teknik i Stambollit (ITU). Këtë qershor ajo i ka kurorëzuar studimet e saj me notën maksimale, duke u renditur e para në mesin e 3.500 studentëve të tjerë që u diplomuan këtë vit në ITU.
Në një intervistë për suplementin MapoArsim ajo tregon këtë rrugëtim të bukur e të vështirë që e kurorëzoi si studentja më e mirë, e vetmja shqiptare që mbajti fjalimin përshëndetës në ceremoninë e diplomimit
Ida, ju u diplomuat me rezultatet maksimale në Universitetin Teknik të Stambollit, duke shënuar vendin e parë në mesin e 3500 studentëve. Si është të jesh më e mira? Çfarë ndjesie të jep kjo? Më trego pak çfarë mendove kur e pe emrin tënd të parin, e kishe pritur këtë?
Rankimi që unë mora ishte rezultat i një pune intensive 4-vjeçare. Në vitin e parë të studimit duke konsideruar nivelin e lartë të vështirësisë së degës dhe përgatitjen e studentëve vëmendja ime ishte e përqendruar në të përshtaturit me mjedisin shumë kulturor të universitetit. Rezultatet e mia semestër pas semestri më dhanë vetëbesim dhe më nxitën të përkushtohesha edhe më tepër. Më e mira e ITU-së nuk ishte synimi im, ishte fryt i përpjekjeve të vazhdueshme.
Padyshim isha shumë e emocionuar dhe e ndieja veten të shpërblyer për sa kisha punuar e sakrifikuar deri në atë moment. Për më tepër rezultati maksimal 4.00 kishte kohë që nuk ishte arritur nga studentët.U njoftova më herët për rankimin e studentëve sipas traditës së universitetit ku studenti më i mirë mban fjalimin përshëndetës në emër të tëgjithë studentëve.
A ishte ky synimi juaj që në nisje të studimeve? Si mund të arrijë një student pikët maksimale? A keni një udhërrëfyes për të tjerët?
Në fakt, rezultati i 4.00 ka ndjekur një rrugë intense. Universiteti Teknik i Stambollit përdor si sistem të notave atë me shkronja. Nga katër vite studimi unë kisha vetëm një B nëcertifikatën time të notave dhe i përkiste një lënde të semestrit të parë në vitin e parë. Ngaqë ishte fillimi dhe kuptohet unë vetë isha skeptike për zhvillimin e studimeve të mia, e mendova si rezultat të kënaqshëm. Kështu u përkushtova në çdo lëndë dhe arrita të merrja rezultate maksimale te të gjitha. Kur erdhi koha e regjistrimit për semestrin e fundit, duke qenë se kisha kaluar shumë dhe nuk kisha më dyshime për aftësitë e mia, mendova ta rimarr atë lëndë. Në sistemin e ITU, që të përmirësosh një notë, duhet të regjistrohesh nga e para në lëndën përkatëse dhe të kryesh të gjitha detyrat e provimet. Ndërkohë, përveç kurseve të tjera unë kisha dhe temën e diplomës. Pra, semestri ishte tejet i ngarkuar. Prezantimi i temës së diplomës u bë në gjysmë qershori dhe ishte nota e fundit që mora. Kur u shpallën rezultatet isha shumë e emocionuar, por ndihesha edhe e shpërblyer për të gjitha sfidat që kisha kaluar. Dhe çfarë është më e rëndësishme, asnjëherë nuk kam punuar më qëllimin e arritjes së 4.00. Parimi im ka qenë gjithnjë që të jap më të mirën nga vetja.
Ju mbajtët fjalimin përshëndetës në një universitet ku ka pak studentë të jashtëm, shumica janë turq. Si u prit kjo nga stafi dhe studentët e tjerë?
Gjithë stafi i profesorëve të departamentit të Inxhinierisë Industriale pati një reagim shumë pozitiv për rezultatin tim. Unë kam pasur fatin të punoj me pjesën me të madhe të këtij departamenti dhe ata kanë qenë në çdo hap të studimeve të mia. Madje, ata ishin shumë të kënaqur që u njohën me kulturën shqiptare, pasi unë isha shqiptarja e vetme në këtë departament. Puna e tyre ka qenë frymëzim për vullnetin tim.
Pas shpalljes së listës të të diplomuarve, unë u njoftova nga zyra qendrore e regjistrimeve që isha listuar si nxënësja më e mirë e vitit akademik 2018-2019. Fakti që kisha arritur mesataren më të lartë të mundshme ishte një sukses më vete. Pavarësisht që isha studente e huaj, pata shumë urime nga të gjithë sidomos nga miqtë e mi në departamentin e inxhinierisë industriale. Kur ua përcolla këtë lajm familjes time, ata ishin shumë krenarë dhe të lumtur që përkushtimi dha një sukses të tillë.
A ishte e vështirë të qëndronit larg familjes? Si ndihen ata nga rezultatet tuaja?
Fillimi pa dyshim ishte i vështirë për mua dhe për familjen time. Ngarkesës së studimeve universitare iu shtua fakti i të qenit në një vend të huaj. Unë po mundohesha në të njëjtën kohë të përshtatesha me sistemin arsimor dhe Stambollin duke qenë krejt e vetme. Më është dashur të sakrifikoj shumë për të arritur këtë rezultat. Qëndrimi larg familjes ishte sfidë më vete, pasi ata kanë qenë mbështetja ime më e madhe në këto katër vite. Mungesa ime në çdo mbledhje familjare u zëvendësua nga gëzimi i të pasurit prindërit, motrat e vëllezërit të pranishëm në ceremoninë e diplomimit tim. Muaji i qershorit ishte i mbushur me emocione dhe punë. Sezonin e provimeve e përfundova në fund të majit, ndërsa rezultatet u publikuan në qershor.
Ku e keni bërë shkollën e mesme, cilat kanë qenë ëndrrat tuaja para se të zgjidhnit universitetin?
E ndiej veten me fat që kam studiuar në Gjimnazin “28 Nëntori”, një nga shkollat më të hershme shkodrane e cila brez pas brezi ka përgatitur nxënës të cilët më pas u bënë profesionistë të vërtetë. Siç kam përmendur dhe në fjalimin tim, gjithmonë jam munduar të jap më të mirën në çdo gjë që jam përfshirë dhe të punoj bazuar në këtë parim.
A konkurruat në universitetet shqiptare? Pse nuk vendose të studiosh në Tiranë? Çfarë beson se ka ndryshe një universitet i huaj, ose më saktë ai që ke zgjedhur? Pse vendosët të studionit në Stamboll?
Patjetër që kam konkurruar në universitetet shqiptare, por studimi në Universitetin Teknik të Stambollit erdhi si një mundësi krejt e papritur të cilën e konsiderova të ishte e vlefshme për mua. Ndërveprimi me studentë të shteteve të ndryshme do të kontribuonte pozitivisht në formimin tim personal dhe profesional.
Ku do ta shohim Idën në të ardhmen? Ke vendosur të provosh një arsim perëndimor në ndonjë universitet tjetër për master?
Mendoj se pas një angazhimi të plotë 4-vjeçar, kam nevojë për një pushim të shkurtër që të rimarr energjitë e nevojshme. Kështu do të mund të marr vendimin e duhur për vazhdimin e formimit tim.
A është në planet e tua të së ardhmes rikthimi në Shqipëri? A besoni se vendi ynë është gati të mirëpresë dhe t’i vlerësojë siç duhet të rinjtë me potencial si ty?
Secili brez ka sfidat e veta për sa i përket kontributit për vendlindjen. Mendoj që pa një formim të mirëfilltë nuk mund të ndikosh pozitivisht për zhvillimin e shoqërisë. Për këtë arsye, gjykoj se është më mirë të formohem plotësisht në aspektin profesional para se të marr një vendim në këtë drejtim.