Megjithëse ishte në kërkim nga policia për vjedhje, kjo nuk e ka penguar 30-vjeçarin Elis Suçin, që të shkojë dhe të grabisë nën kërcënimin e armës pikën e postës Shqiptare në Kamëz.
Policia thotë se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë dhe ka shpallur në kërkim 30-vjeçarin, i cili dhe këtë herë ka mundur që të arratiset, ndërsa ka arrestuar shokun e tij, bashkëautor në vjedhje Algert Kurtin 20-vjeç.
Të dy në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të maskuar, grabitën nën kërcënimin e armës dje në mesditë, filialin e postës Shqiptare në Kamzë, ku morën 100 mijë lekë dhe u larguan.
Policia ka sekuestruar një aparat celular dhe veshje, të cilat autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit.
Elis Suçi, i dënuar më parë për vjedhje, ishte në kërkim, pasi në muajin mars qëlloi me armë në drejtim të policisë në afërsi të shkollës në Kamëz, teksa këto të fundit po shkonin që ta arrestonin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.