Ikja e poetit
( Rekuiem për Bashkim Gjozën, mikun tim të paharruar )
Ese nga Istraf Haxhillari
Ka poetë që bëhen të tillë në kushte e rrethana të caktuara. Poezia e tyre është e kultivuar, pjesë e edukatës, lule e rritur artificialisht nëpër sera. Këta jetojnë pak, vdesin shpejt dhe harrohen shpejt.
Të tillë janë të shumtit.
Ka të tjerë, më të paktë, që lindin poetë, e kanë në gjak vargun, janë mëkuar me të, jetojnë me të dhe vdesin për të. Kjo lloj poezie jeton gjatë, kapërcen vitet, shekujt, mbetet përherë e freskët.
Në kohën e Bajronit dhjetëmijë mijë fatkeq donin të bëheshin poetë. Shkruan pa fund, botuan pa fund, morën trofe pa fund. Për ta u thurën komente dhe u bënë analiza.
Pastaj u harruan bashkë me poezitë dhe librat e tyre.
Mbeti Bajroni që u anatemua, u përbuz, nuk mori asnjëherë medalje. Po, mbeti se ishte poet i lindur, poezinë e kishte nëpër damarë.
Pa mëdyshje Bashkim Gjoza i përket grupit të dytë.
Ai ishte poet i lindur.
Copëza të shumta impresionesh, mbresa të afërta e të largëta, ngecur diku në thellësi të kujtesës, vërshojnë nëpër poezitë e tij vargëzuar porsi virgjëresha të paprekura nga dhuna e harresës nëpër vite. Vargjet burojnë natyrshëm nga shpirti i etur, me larmi temash dhe stil origjinal, përjetime estetike, copëza bukurie të spikatura.
Në qendër të krijimtarisë letrare një fletë lisi, degëza e ahut të blertë, një çupë e bukur si dritë, gruaja e sertë, xheloze, një burrë i fortë e i patundur si shkëmb, natyra e vendit të lindjes, e dëlirë si ajo, e mahnitshme si ajo.
Nëpër vargje poeti devolli cek të perëndishmen. Se shpirti i tij është univers gjigand i pa shterur kurrë. Meditimet rrjedhin vetë nëpër vezullime natyrore, ndjesi pikante për dashurinë, bukuritë e jetës, magjinë e ndjenjës:
Dal shëtis korijes i menduar
Ndënë degë zbardhur me okitë
Jam i vetëm fare, i penduar
Dhe s’më dhimbsen miqtë hipokritë
Tani jam i lirë dhe i zhgënjyer
Si një shpirt që endem ku të dua
Më ka flakur era e rrëmbyer
Si një fletë lisi në përrua…
Por nga lisi marr diçka me vete
Dhe e mbaj në shpirt si fanatik
Në lundroftë fleta tej në dete
Do të thonë… lisi ish fisnik…
Dhimbja e Bashkim Gjozës vjen e freskët, me ngjyresa të llojllojshme, ku shfaqet shpirti i këngëtarit, mbushur me prushin e përshkënditur të vargut tjerrë me dhimbje e mall.
Sidomos me etjen e pashuar për jetën që një ditë këputet pa pritur:
Dremitin fletën nën dëborë
Se iku kohë e moshë
Kështu do prehem edhe unë
Nën gjinjtë e tu bardhoshë
Po dridhen degët gjithë brymë
Zbardhuar nga acari
Po të ngrohesh ti me frymë
Rilind sërish si bari
Dëbora s’ka ç’i bën një shpirti
Që s’pyet kohë e moshë
Ky shpirt rebel ringjallet prapë
Dhe puth gjinjtë bardhoshë.
Ka rrjedha e përrenj që mbushin lumenjtë dhe humbasin në detin e thellë të kulturës, por ka edhe burime këngësh që krijojnë një lumë krijimtarie disi ndryshe. Ai vadit arat e ndjenjave dhe ato të mendimit, të dashurisë e urrejtjes, të asaj pjese të jetës që nuk duket por shprehet, që nuk preket por lexohet.
Një lumë i tillë është vepra letrare e Bashkim Gjozës.
Vargjet të bëjnë ta duash atë kur lundron në brendësi, ta urresh kur të përplas fuqishëm nëpër shpellat e mendimit, të shijosh shushurimën e rrjedhave në vorbullën e krijimit. Çdo tingull, qoftë edhe një gur i hedhur mbi sipërfaqen e tij ka drithërimën e mëkatit dhe kthehet në varg.
Me talentin dhe punën e pandërprerë një jetë të tërë, Bashkim Gjoza e ka ngritur monumentin e tij: “Një gjerdan gurësh të çmuar me tharm njerëzor.”
Ne na mbetet ta respektojmë atë. Poeti u nda nga jeta me 30 dhjetor 2014
Etiketa: Ikja e poetit