Kryesore

Ilir Kalemaj: Protestat paqësore tërheqin elektoratin gri








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:02 - 13/04/19 |
ro ot

Protesta e opozitës pati frymë dhe relativisht masivitet pas djegies së mandateve të deputetëve, ndërsa parashikimet ishin se kjo situatë do të detyronte qeverinë të shkonte deri në zgjedhje të parakohshme. A ka rënë ky parashikim, deri ku mund të shkohet me protesta?


Ilir Kalemaj: Barra e përgjegjësisë në këtë rast i takon qeverisë dhe është ende e pashpjegueshme se pse mazhoranca ngurron të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, një praktikë kjo që është ndjekur pa përjashtim nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në të kaluarën e afërt. Aq më tepër që partia socialiste këmbëngul që sondazhet e brendshme dhe të jashtme e nxjerrin qartazi fituese të zgjedhjeve të përgjithshme nëse do bëheshin sot. Në këtë kontekst, arroganca është e pashpjegueshme. Ndoshta për të ruajtur deri në fund efektin surprizë të veprimit politik, ose të kapurit gafil të opozitës, siç do i pëlqente kryeshahistit Rama.


Qeveria vijon të jetë të paktën publikisht “indiferente” ndaj kërkesave të opozitës dhe këmbëngul se zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor. A mendoni se PD dhe partitë e tjera opozitare do të futen në zgjedhje? Nëse jo, a mund të konsiderohen zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës?



Ilir Kalemaj: Loja e fjalëve që shpesh bën qeveria duke lënë të nënkuptohet se Rama është negociatori absolut i palës tjetër dhe ai nuk mund të dorëhiqet, është një alogjizëm në rastin më të mirë, pasi opozita nuk po kërkon dorëheqjen e Ramës si kryetar i PS-së dhe lider i mazhorancës, por dorëheqjen e tij nga timoni pasi është kapur në “gjendje të dehur” ose po e nget makinën në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor. Si mundet t’i besosh një qeverie të drejtuar nga një kryetimonier që është i përqendruar totalisht te fasada dhe propaganda dhe thuajse aspak te mijëra problemet dhe sfidat me të cilat po haset vendi aktualisht. Korrupsioni sistemik dhe politik i thelluar nga viti në vit sipas Transparency International, Shqipëria si vend tranzit i drogërave të forta sipas Departamentit të Shtetit, pyjet që po shkretohen dita-ditës për t’i hapur vend kultivimit të narkotikëve sepse kushtet atmosferike krahasuar me vjet nuk është se kanë ndryshuar drastikisht që të justifikojnë këto akte kriminale, siguria e rënë përtokë me ngjarjen e Rinasit si qershia mbi tortë. Këto probleme e bëjnë akoma më të pabesueshëm lënien në dorë të kryetimonierit përdorimin e administratës publike në zgjedhje, burimet financiare dhe kontrollin mbi “bajronët” lokalë.


Opozita është shprehur qartë për kushtin e dorëheqjes së Ramës si shef i ekzekutivit dhe pasjen e një qeverie kalimtare për të përgatitur infrastrukturën zgjedhore për zgjedhjet lokale që këto të fundit të kenë një rezultat të besueshëm dhe të pakontestueshëm dhe më e rëndësishmja për gatitjen e reformës së re elektorale e cila duhet të ndryshojë në mënyrë integrale. Qoftë për sa i përket sistemit të ri zgjedhor, qoftë dhe për një hartë të re territoriale e cila do të përfaqësojë në mënyrë adekuate parimet e përqendrimit të popullsisë, lidhje eko-sociale dhe kulturore të zonave të ndryshme etj., dhe mos të jetë një hartë e mirëfilltë elektorale si deri tani, e konceptuar njëanshmërisht nga mazhoranca në fuqi.


Të shtunën opozita ka parashikuar protestë masive para kryeministrisë, ndërsa skenarët deri tani të protestave kanë qenë të ngjashme; disi incidente të vogla, por pa akte dhune. A mendoni se kjo formë proteste duhet të ndryshojë. Çfarë mendoni se do të ndodhë të shtunën?

Ilir Kalemaj: Mendoj se formati i deritanishëm, i protestave masive dhe paqësore, është e vetmja rrugë për të fituar mbështetje nga elektorati “gri” dhe simpati nga faktori ndërkombëtar. E kombinuar me mbështetje në terren të protestave të grupeve të interesit, nga banorët e shpronësuar dhunshëm deri te fermerët e abuzuar, është një mjet i fortë presioni për veshë që duan të dëgjojnë. Qeveria e përhumbur në gjumin trallisës si mbas vakti, ka nevojë për një trandje të fortë për ta sjellë në binarët e përgjegjshmërisë dhe transparencës, llogaridhënies dhe kuptueshmërisë së fatit të mbramë të situatës në vend. Paralajmërimi i formave të tjera të mosbindjes civile si akt përshkallëzues, duhet të merret vetëm pas një strategjie të mirëmenduar që të synojë kufizimin e dëmit nga keqqeverisja, bllokimin e akteve arbitrare në një shtet pa sundim të mirëfilltë ligji dhe në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas