Editorial

Ilir Meta i duhet jetës publike ose si President, ose si kundërshtar i qeverisë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:11 - 05/11/18 |
mapo.al

Nga Ervis Iljazaj


Edi Rama ndoshta meriton të kritikohet, të kundërshtohet, ndoshta meriton edhe të rrëzohet për disa arsye, por kurrsesi nga pozitat e Presidentit të Republikës. Kjo është kundër demokracisë dhe kundër rendit kushtetues të Shqipërisë.



Jo vetëm që nuk është kushtetuese, por politikisht është edhe e pandershme. Të përdorësh makinacione të ndryshme për të luftuar politikisht kundërshtarin tënd, nëpërmjet postit kushtetues që të ka besuar Parlamenti, është të shkelësh parimet bazë të demokracisë.


Kundërshtari politik, luftohet dhe mundet vetëm nëpërmjet garës elektorale dhe betejës politike, e cila bazohet te vota.

Në këtë kuptim, Ilir Meta duhet të zgjedhë, ose të jetë kundërshtari i qeverisë ose President. Të dyja bashkë janë të papranueshme.

Sepse, Ilir Meta si kundërshtar i qeverisë, do të ishte një aset i madh për opozitën. Do ta forconte atë me historinë dhe lidershipin e tij politik. Mirëpo, nëse e bën këtë nga pozitat e Presidentit krijon një konflikt interesi të paprecedent. E vetmja rrugë për të kundërshtuar Ramën politikisht është që, Meta të lërë rolin e Presidentin dhe të kthehet përsëri në garën politike. Kjo rrugë do të ishte më se e ndershme dhe politikisht korrekte.

Në thelb, kur një President në një Republikë Parlamentare refuzon të dekretojë një ministër të propozuar nga Kryeministri, ka rrëzuar pushtetin e këtij të fundit, të cilit i përket sipas Kushtetutës dhe është në atë post si pasojë e votës së qytetarëve.

Ministri nuk është gjë tjetër veçse një person i deleguar i Kryeministrit në një dikaster të caktuar. Pushteti ekzekutiv në Shqipëri është kompetencë e plotë e Kryeministrit dhe, këtë pushtet ai e ushtron nëpërmjet emërimit dhe shkarkimit të ministrave që ai mendon se mund të qeverisë.

Të vetmin besim që duhet të kenë ministrat e propozuar nga Kryeministri, është besimi i Parlamentit. Madje e gjithë qeveria mund të besohet ose mosbesohet nga Parlamenti, që është i vetmi organ që shpreh sovranitetin popullor të shqiptarëve, duke qenë se ne votojmë vetëm për pushtetin legjislativ dhe jo atë ekzekutiv. Këtë gjë e dinë dhe studentët e vitit të parë të juridikut dhe shkencave politike.

Shqipëria nuk ka një sistem qeverisës si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Francë, ku presidentët kanë pushtet ekzekutiv. Kështu që, nëse ndodh që në një Republikë Parlamentare, Presidenti mund të mos dekretojë një ministër, atëherë, de facto kemi të bëjmë me një republikë gjysmëpresidenciale , të tipit francez, gjë e cila Shqipëria nuk është.

Po atëherë, përse hartuesit e Kushtetutës kanë parashikuar dekretin presidencial për emërimin e ministrave?

Në radhë të parë, duhet theksuar se ky është një dekret formal dhe jo substancial. Në këtë kuptim, Presidenti ka për detyrë të kontrollojë vetëm kriteret formale të kandidaturës për ministër, të cilat mund të jenë të ndryshme.

Për shembull, Kryeministri mund të propozojë një person me precedent penal, apo një person që është shprehur publikisht kundër interesit kombëtar. Në të tilla raste, kjo kandidaturë mund të kthehet nga ana e Presidentit të Republikës.

Në radhë të dytë, Presidentit të Republikës në Shqipëri nuk i takon asnjë nga pushtetet, legjislativ, ekzekutiv apo gjyqësor. Mirëpo, Kushtetuta në të tria pushtetet i jep disa instrumente nëpërmjet dekreteve për të luajtur rolin e një koordinatori apo për të siguruar ekuilibrin institucional midis pushteteve të ndryshme. Sepse, një nga funksionet, ndoshta i vetmi që ka Presidenti në një republikë parlamentare, është ai i të qenit përfaqësues i interesit kombëtar dhe garancisë së ekuilibrit institucional.

Kështu që, Presidenti e ka për detyrë të sqarojë shqiptarët, se përse kandidatura e Sandër Lleshit cenon interesin kombëtar apo sigurinë e tij. Deri më tani nuk ka thënë asgjë në këtë drejtim. Argumenti se “nuk i jap besimin”, nuk është argument kushtetues, por argument personal, i cili nuk ka vlerë në këtë rast.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas