Presidenti Ilir Meta kujton sot sulmin më të madh terrorist kundrejt Shteteve të Bashkuara.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Meta përkujton viktimat e pafajshme të sulmit të grupimit terrorist Al Kaeda, si dhe i mëshon vendosmërisë së Shqipërisë në angazhimet përkrah SHBA-së dhe NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
“Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në vlerat e tyre të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, dhe në përpjekjen për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, fondamentalizmi fetar dhe autoritarizmi”, shkruan ndër të tjera Meta.
Postimi i Presidentit Ilir Meta në Facebook
Në krah të popullit amerikan, përkujtojmë sot viktimat e pafajshme të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe solidarizohemi me familjet e tyre!
Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë dhe rajonin tonë.
Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në vlerat e tyre të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, dhe në përpjekjen për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, fondamentalizmi fetar dhe autoritarizmi.