Aktualitet

Iluzioni BANGL-ALBAN-ESH














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:48 - 02/04/21 |
Ilir Nikolla

Më mbush me pezm lehtësia me të cilën shoqëria jonë po kapërdin njërin nga qendrimet publike më bulliste, raciste e apatride të shqiptuara ndonjëherë nga një kryeministër shqiptar në detyrë.





Dy ditë më parë, Edi Rama s’e pat për gjë t’i cilësojë shqiptarët si thashethemexhinj dhe të pangopur me demokraci dhe e këshilloi një sipërmarrës fasoni në Shkodër që të merrte punëtorë nga Bangladeshi, por edhe ata t’i mbante përkohësisht, derisa të mos mësonin mirë shqip e të mos kishin mësuar të lexonin se ç’është demokracia.


Reagimet e pakëta të opinionit publik (presidenti Meta, Fatos Lubonja, Andi Bejtja e ndonjë tjetër) po i pason fatkeqësisht menefregizmi “ashtu e ka Rama” apo reshtja “bullist ka qenë gjithmonë ai, t’i hapim rrugë”.




E vërteta është se deklarimet e Ramës s’janë veç bullizëm, por një konstante shumëvjeçare përpjekjesh për ta zëvendësuar sistemin e demokracisë parlamentare, me çfarëdo sistemi hibrid, mjaft që ai të mos dëgjojë kritika publike (e kanë lënë nervat) dhe të organizojë në qetësi një tranzicion të pushtetit parlamentar drejt një klike oligarkike të pazëvëndesueshme.


Ne jemi mësuar që ta lexojmë ëndrrën e Ramës tek modelet e Erdoganit dhe të Putinit, por ai vetë, kohë pas kohe, na e zbulon ambicien e tij, që shkon shumë më larg. Edi Rama, pa u skuqur aspak për klishetë raciste që shqipton, deklaron se i do shqiptarët si bangladeshasit, punëtorë, të urtë, që s’bëzajnë e s’ja ndiejnë nevojën demokracisë. Ky iluzion për Bangl-Albanesh, njëfarë çifligu privat, ku Edi Rama të sundojë sipas humorit e stomakut, me qehajallarë e çifçinj, zbulon cektësinë e thellë mbi të cilën mbështetet aksioni politik i kryeministrit.


E kemi parë diasporën e Bangladeshit që është e pranishme kudo në Evropë, punëtore si ajo, por edhe me një krenari kombëtare dhe me një përpjekje të admirueshme për identitet e integrim në shoqëritë perëndimore. Ajo ëndërr për një masë njerëzore veç brumë, për milingona pa tru të vogël e që komandohen nga truri qendror i kryeqehajait është aq ëndërr demode, sa nuk gjendet as në përrallat e Ali Babait dhe e ka përjetuar perëndimin e vet, qysh në shekullin XV.

Lexo edhe :  Rama në Gjirokastër: Më 25 prill, breshër votash për PS-në

Epoka iluministe, që i vrau klishetë e racave e shoqërive të prapambetura, ka 2 shekuj që mbizotëron në elitat drejtuese të të gjithë botës, por mbijeton stili i vjetër veç tek beu i nahijes tonë. Dhe nuk mbijeton nga injoranca, por mbijeton veç si iluzioni i fundit që i mban gjallë shpresën se me 25 prill nuk do të ndodhë ndryshimi. Me afrimin e datës, Edi Rama ka kuptuar se s’ka më kohë për riparim e rehabilitim, prandaj përkundet në iluzionin e zëvendësimit të trupës zgjedhore dhe në instalimin në kohë të një Bangl-Alban-eshi, një sulltanati që s’ka nevojë për vota e për demokraci.

Por për shkak se iluzioni është kaq demode, s’do të thotë hiç se anakroniku që po përpiqet ta vërë iluzionin në zbatim s’është i rrezikshëm. Prej irracionalitetit të këtij iluzioni mund të rrezikojmë edhe reagime të paimagjinueshme. Bullizmi e racizmi në rastin e kryeministrit nuk janë rrëshqitje estetike e dështime në fushatën zgjedhore.

Iluzioni i Bangl-Alban-eshit është i rrezikshëm në këtë muaj zgjedhjesh. Bartësi i këtyre klisheve ka ende pushtet, prandaj nuk është vendi veç për të paralajmëruar se do të ketë pasoja kush prek votën me 25 prill. Jemi përballë dikujt që po e paraqet irracionalen si alternativë, prandaj në rend të ditës duhet të jenë reagimet preventive.

1


Etiketa: , , ,

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas