Thuhet që për sulmuesit duhet të flasin shifrat por ato të Ciro Immobiles janë shifra për rekord.
Me dygolëshin ndaj Beneventos, bomberi i Lazios arriti kuotën e 36 golave sezonalë në të gjitha kompeticionet me skuadrën bardhekaltër duke parakaluar Chinaglian dhe duke vendosur një rekord të ri në historinë e klubit kryeqytetas, raporton SuperSport.
Në një sezon të vetëm askush nuk kishte shënuar kaq shumë gola me fanellën e Lazios pa harruar këtu që Immobile deri në fund të sezonit mund të luajë minimalisht edhe 10 ndeshje me skuadrën e Simone Inzaghit mes kampionatit dhe Europa Leagues.
Immobile në këtë sezon ka realizuar 26 gola në Serinë A ku kryeson listën e golashënuesve, 6 në Europa League, 2 në Kupën e Italisë dhe 2 në Superkupën e Italisë.
Golat e Ciros në këtë sezon janë me të vërtetë shumë 36 në në 39 ndeshje por pasi ka hyrë në historinë e klubit bardhekaltër duke parakaluar Chinaglian që në sezonin 1973-1974 kishte realizuar 34 gola, Immobile tashmë synon të përmirësojë shifrat e tij personale dhe të udhëheqë Lazion drejt një fund sezoni të suksesshëm.
Simone Inzaghi mund të kapet fort te goleadori i tij për të siguruar një vend në 4-shen e parë të Serisë A dhe për të shkuar sa më larg në Europa League.