Aktualitet

Impakti i COVID-19 në Sektorin e Turizmit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:00 - 04/05/20 |
mapo.al

Gjatë kësaj periudhe janë kryer shumë vlerësime rreth ndikimit të mundshëm të COVID-19 në ekonominë globale dhe atë kombëtare. Shumica e tyre në këtë fazë bien dakord për një gjë: që ndikimi do të jetë negativ – burimi kryesor i mosmarrëveshjeve duket se është vetëm fakti se sa negativ do të jetë ai. Përgjigja varet nga një numër i madh faktorësh: kohëzgjatja e pandemisë, ashpërsia e masave të distancimit fizik ndaj biznesit dhe shtrirja dhe efektiviteti i paketave stimuluese të qeverisë.


Është ende shumë herët për të diskutuar se çfarë duhet bërë kur gjërat të fillojnë të duken më mirë? Në fund të fundit, shumë vende sapo kanë filluar të vënë në zbatim masa më të rrepta për distancimin fizik ndërsa COVID-19 depërton kufijtë e tyre.


Sidoqoftë, vende të tjera mendojnë se po e kalojnë fazën kulmore të infektimeve dhe tashmë po planifikojnë mënyrën si të heqin disa kufizime. Të hënën e 7 prillit, restorantet dikur të mbyllura në Pekin dhe Shanghai kishin filluar aktivitetin (megjithëse një normalitet i ri tani përfshin maska ​​në fytyrat e njerëzve). Gjithashtu edhe numri i personave që frekuentojnë parqet publike atje është në rritje.


Sidoqoftë, edhe Kina, një mbrojtëse e mëparshme e mbajtjes së kufijve të hapur gjatë pandemisë,  i mbylli në mënyrë efektive kufijtë e saj për udhëtarët ndërkombëtarë, për të larguar rastet e importuara, dhe nuk është e vetmja: rreth 120 vende tashmë kanë në fuqi lloje të ndryshme kufizimesh për udhëtimet për të njëjtën arsye, duke filluar nga ndalimet e drejtpërdrejta të të gjithë udhëtarëve – deri te kufizimet selektive gjeografike .


Si rezultat, ndikimi më i menjëhershëm dhe mbase më i zgjatur i pandemisë do të ishte në sektorët e udhëtimit dhe turizmit.  Organizata Boterore e Turizmit thekson se që në fillim të pandemisë turizmi, krahas sektorit të transportit, është një nga sektorët më të prekur prej COVID-19. Si një sektor i lidhur ngushtë me njerëzit, turizmi është veçanërisht i ndjeshëm ndaj krizave ndërmjetë kufijve. Në këtë rast mbyllja e qyteteve dhe vendeve të tëra, kufizimet e udhëtimit dhe ndalimet kanë sjellë një ndalesë në sektorin e turizmit dhe transportit.  Nga linjat ajrore më të mëdha deri tek hotelet më të vogla rurale, i gjithë sektori është ndalur.

Ndikimi është ekonomik ashtu sic është edhe social, duke ndikuar në jetesën e punonjësve të turizmit, të transportit dhe furnizuesve, familjet e tyre dhe komunitetet e lidhura me të.  Në një botë me zinxhirë furnizimesh të dendura dhe të lidhura ngushtë me njëra tjetren, ndikimi do të ndihet jo vetëm brenda vetë sektorit, por edhe në sektorë të tjerë si bujqësia, ndërtimi, ofruesit e shërbimeve financiare apo të teknologjisë, etj.Turizmi është një nga krijuesit kryesor i vendeve të punës dhe një rrugë shpëtimi për shumë ekonomi në të gjitha fazat e zhvillimit.

Sektori është rikuperuar nga krizat e mëparëshme dhe, duke pasur parasysh rëndësinë e tij të dëshmuar në çdo nivel të shoqërisë, duhet të mbështetet për të mbajtur dhe rritur përsëri vendet e punës. Ndërsa bota ngadalë do të kthehet në normalitet të ri, ka shumë të ngjarë që kufizimet e udhëtimeve ndërkombëtare të vazhdojnë me qëllim shmangien e “importimit” të rasteve të reja COVID-19.

Për të mbështetur sektorët e tyre të turizmit, vendet mund të kufizojnë udhëtimin e jashtëme por mbi të gjitha duhet të inkurajojnë turizmin vendor. Në thelb, udhëtimi i brendshëm dhe turizmi pritet të zëvendësojnë kërkesën e turizmit të huaj, të paktën për momentin. Për disa vende me turizëm të zhvilluar ndërkombëtar, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme, veçanërisht në drejtim të gjenerimit të të ardhurave të nevojshme.

Për më tepër, qeveritë mund t’i vijnë në ndihmë sektorit të udhëtimit dhe turizmit në mënyrë më të drejtpërdrejtë, duke i mbështetur përmes paketave të shpëtimit. Detaje këto që janë të paqarta për momentin dhe është e vështirë të shihet se si do të jenë në gjendje ta përballojnë ato vende me një hapësirë ​​të ngushtë fiskale.

Organizata Boterore e Turizmit rekomandon disa masa për ti ardhur në ndihmë këtij sektori si për shembull: Inkurajimin e mbajtjes së vendeve të punës, mbështjetja e të vetëpunësuarit dhe mbrojtja e grupeve më të rrezikuara,  mbështetja e likuiditetit të ndërmarrjeve, rishikimi i taksave, tarifave, tatimeve dhe rregulloreve që ndikojnë në transport dhe turizëm, sigurimi i mbrojtjes dhe besimit të konsumatorit, promovimi i zhvillimit të aftësive, veçanërisht aftësive dixhitale, përfshirja e turizmit në paketat e urgjencës ekonomike kombëtare, rajonale dhe globale, krijimi i mekanizmave dhe strategjive të menaxhimit të krizave.

Në një fazë të mëvonshme, së pari do të ketë një konkurrencë të ngadaltë, gradualisht në rritje për të përftuar të ardhura nga turistët e huaj. Vendet mund të kërkojnë fillimisht një vërtetim për mos mbartjen e COVID-19, dhe këtu mund të ketë probleme të mundshme (p.sh. një valë e dytë e COVID-19). Edhe në një fazë më të vonë pas pandemisë, do të ishte e dëshirueshme që të kishte teste të njohura ndërkombëtarisht dhe laboratorë të akredituar në vendet turistike. Për të filluar këtë proces, mund të jetë e nevojshme që qeveritë të nisin diskutimet e këtyre masave, përfshirë marrëveshjet e bashkëpunimit mes shteteve të ndryshme, standardet e unifikuara ndërkombëtare etj.

Në mënyre paradoksale, mund të ndodhë që vendet e origjinës që tani janë më të goditura, të jenë tregjet turistike më premtuese fillimisht (si Shtetet e Bashkuara për momentin). Nëse vërtetohet se të mbijetuarit e COVID-19 bëhen imun ndaj infeksioneve dhe transmetimeve të mëvonshme, një vërtetim imuniteti mund të bëhet një kërkesë si për udhëtimin dalëse ashtu edhe për ato hyrëse.

Tashmë Mbretëria e Bashkuar po konsideron lëshimin e “pasaportave të imunitetit” në mënyrë që njerëzit të mund të dalin herët nga karantina.Është e panevojshme të thuhet, se vetë vendet pritëse gjithashtu do të duhet të tregojnë se janë të sigurta për turistët. Kjo shkon përtej numrit të ulët të raportuar të rasteve të infektuara, por gjithashtu të kenë sisteme të besueshme shëndetësore në rast se turistët sëmuren. Dispozita të tilla mund të përfshijnë garanci për trajtim privat (në pamundësi të mbulimit nga siguracionet shëndetësore tani për të tani).

Dhe natyrisht, vendet pritëse do të duhet ta bëjnë më të lehtë mbërritjen për udhëtarët. Kjo do të nënkuptojë përmirësimin e proceseve të aplikimit për viza (bërjen e tyre online në internet), ose heqjen e plotë të tyre, ndoshta si pjesë e marrëveshjeve bilaterale.Këto gjëra kërkojnë kohë. Ndoshta një pjesë e planifikimit apo zbatimit të tyre mund të bëhet nga agjencitë qeveritare nëpërmjet punës në distancë në kuadër të mbrojtjes nga Covid-19.

Përkthyer dhe përshtatur nga Megi Rusi- Audituese, Kontrolli i Lartë i Shtetit

Referenca

COVID-19: PUTTING PEOPLE FIRST. Be part of the transformation #Travel tomorrow United Nations World Tourism Organization

Preparing for the Future of Tourism in a Post-COVID-19 World

The Future of Tourism Post-COVID-19 – United Nations ESCAP

 


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas