Kjo nuk është hera e parë kur një rrjet social ‘jep jetë’ për shkak se nuk i mbijeton konkurrencës me gjigantë si Facebook dhe LinkedIn. Rasti i Google Plus mund të tregojë se edhe gjigantët nuk dinë të konkurrojnë mirë në një fushë ku beteja është e vështirë. Por historia e Google Plus nuk është aq e thjeshtë sa është paraqitur deri më tani. Më shumë se një rrjet social, Google Plus u ngrit si një projekt për identifikimin e përdoruesve të vërtetë të internetit. Gjithçka po shkonte mirë deri në vitin 2015, kur projekti u ndërpre krejt papritur pas shqetësimeve për shkelje të privatësisë dhe abuzim me të dhënat. Pas vitit 2015, pa një qëllim primar, Google Plus kaloi në koma dhe më pas vdiq.
Google Plus ka ‘vdekur’ edhe zyrtarisht. Deklarata e Google gjeneroi shumë lajme. Google Plus u bë edhe më i famshëm kur u fol për një shkelje të sigurisë për të dhënat. Megjithatë, Google Plus ishte i vdekur edhe përpara se këtë ta deklaronte Google. Vdekja nuk duhet të jetë ndonjë surprizë. Google Plus ishte në koma prej vitesh. Por ajo që duhet të na habisë është se Google Plus, edhe pse disa thanë se është një rrjet social i dështuar, në fakt nuk ishte kurrë një rrjet social.
Por nëse Google Plus nuk ishte një rrjet social, atëherë çfarë ishte? Qëllimi i Google Plus nuk ishte kurrë që të ndante informacione për jetën, meme, statuse apo video macesh.
Natyrisht u fut në një përleshje me Facebook dhe Twitter, por në të vërtetë, Google pati deklaruar se qëllimi i saj ishte që të kthehej në një shërbim identiteti, që mund të ketë më shumë lidhje me jetën dhe vdekjen e tij, sesa me paaftësinë për të konkurruar me Facebook.
Në vitet 2009-2015, kompanitë dhe qeveritë rreth botës u përpoqën që të krijojnë një ekosistem që të mund të zëvendësonte fjalëkalimet. Ata jo vetëm donin të zëvendësonin fjalëkalimet, por qëllimi kryesor ishte që të identifikonin sa më mirë personin që logohej si një person i vërtetë dhe i verifikuyar.
Identiteti i verifikuar ishte i nevojshëm që kompanitë të dinin se me kë po ndërvepronin online. Pak a shumë një insta-besim për rrjetin.
Projekti për ‘real ID’ ishte ndërkombëtar në qëllimin e tij. Jo vetëm Google ishte e interesuar për të pasur përdorues të identifikuar qartë. Lëvizja kishte për qëllim që të bashkonte disa shtete të mëdha për të implementuar protokolle të ngjashme në çdo vend, që do përdoreshin për të identifikuar përdoruesit individualë online dhe përtej kufijve. Megjithatë kjo duhej të niste diku dhe në SHBA nisën programet pilot për të testuar identitetin e eko-hapësirës. Google Plus ishte ndër projektet e para.
Por nisma hasi në kritika nga grupe të të drejtave të njeriut. Rezistenca bazohej në disa argumente:
-Shqetësimet për privatësinë
-Amendamenti i Parë
-Mungesa e qartësisë për atë që mund të bëjë kompania që mbledh të dhënat nga një përdorues.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe organizatat e mbrojtjes së privatësisë, së bashku me disa ekspertë të profilit të lartë të kiber-sigurisë ishin kritikët më të ashpër. Megjithatë programet nuk u ndalën deri në vitin 2015, kur krejt papritur fondet u ndërprenë.
Përse? Zyrtarisht nuk pati një sqarim të detajuar, por ky ishte fillimi i fundit i Google Plus. Nuk pati kurrë një detajim të arsyeve se përse u ndalua projekti, edhe pse u tha se mungojnë fondet.
Disa ekspertë thonë se më shumë ndikoi ai që njihet si Efekti Snouden. Ish-agjenti kishte zbuluar se Agjencia Kombëtare e Sigurisë kishte vendosur lidhje të fshehura në rrjetet e kompanive të mëdha si Google. Kjo e bëri më të vështirë që njerëzit të pranonin projektin e një eko-sistemi identifikues.
Megjithatë ky nuk ishte fundi i Google Plus si një aplikacion, por i Google Plus si një ofrues identiteti. Programi nuk financohej më dhe Google u përpoq të kalonte në skenarin sekondar, krijimin e një rrjeti social, pak a shumë. por ishte tepër vonë.
Në fund të vitit 2018, Google Plus kaloi nga vdekja klinike në vdekje përfundimtare. Meqë nuk ishte krijuar si një kompani që do të konkurronte në fushën e rrjeteve sociale, e pati të vështirë që të mbijetojë. Kjo nuk është hera e parë që produktet e Google dështojnë, pasi nuk kanë një projekt ose qëllim të qartë.
Prandaj është momenti për t’i dhënë lamtumirën një rrjeti social, që nuk ishte i tillë, shkruan Search Engine Journal. Qëllimi primar i saj ishte tjetër, por tashmë në epokën e Big Data, vështirë të pranosh se disa gjëra mund të bëhen me lehtësi.