The Economist
Gjuetia për kapjen e Whitey Bulger, njeriut të dytë më të kërkuar të FBI pas Osama bin Laden, nuk kishte dhënë fryte për 16 vite. Oficerët shpesh kontrollonin libraritë. Ai pëlqente librat. Në apartamentin e lënë pas dore në Santa Monika të Kalifornisë, ku u kap duke jetuar me emrin Charlie Gasko, pas perdeve të trasha të zeza ai kishte 200 libra. E vërtetë, librat shërbenin për të mbuluar vrimat në muret ku kishte fshehur armë dhe 800 mijë dollarë. Por ai i lexonte ato gjithashtu.
Fjalët e argëtonin, por edhe e lëndonin gjithashtu. Ashtu siç e zemëronte fakti që njerëzit e thërrisnin ‘Bardhoshi’ (Whitey) për shkak të flokëve biondë, kur ai duhej të ishte Jimmy ose Çizmet, për shkak të çizmeve kauboj që mbante. Ose si fjalët ‘i mirë’ dhe ‘i keq’. Qartësisht ai ishte i keq, sepse ishte një grabitës dhe një zhvatës, megjithëse termi që preferonte ishte ‘mbledhësi i qirasë’. Seria e parë e grabitjeve në vitin 1955 ishte tipike në stilin e Hollivudit klasik. Ai hynte në banka me nga një pistoletë në secilin dorë dhe ikte me të dashurën, e cila e priste në makinën e arratisjes. James Cagney ishte në mendjen e tij. Më vonë mbante me krenari rripin e tij nga Alkatrazi. Ndërsa krimi u bë karriera e tij fikse, nga vitet ’70 deri në vitet ’90, askush në Masaçusetsin lindor nuk guxonte ta sfidonte.
Megjithatë në Jug, në lagjen e tij, ai blinte gjela deti për të varfrit gjatë Ditës së Falënderimeve dhe e mbante derën hapur për gratë. Deri në ditën e fundit, ai ishte akoma një djalë i sjellshëm, që u tregonte vendin me kërcënime dhe grushte atyre që ngacmonin të dobëtit. Rrëkeshja ndodhte jashtë shtëpisë. Disa nga paratë që ai bëri shkuan për të blerë armë nga IRA, një kauzë e mirë, siç mendonin shumë në Jug. Siç u kishte thënë njëherë oficerëve të antidrogës, teksa po kontrollonin makinën, që ata ishin djemtë e mirë- të mirë, kurse ai ishte djali i keq- i mirë.
‘Krimi’ dhe ‘biznesi’ ishin një çift i rrëshqitshëm fjalësh. Ai i përçmonte simulantët e çdo lloji: rrallë pinte verë, nuk tymosi kurrë. Por për më shumë se një dekadë, si shef i bandës ‘Winter Hill’, ai kontrolloi trafikun e drogës në qytet dhe në një masë të madhe tregtinë e pijeve, bastet dhe huat e paligjshme. Pak a shumë të gjitha veset. Fuqia u rrëmbye prej mafiozëve të tjerë, veçanërisht nga bandat italo-amerikane, pasi çdo sipërmarrje mund të kalojë tjetrën. Nëse shitësit e pijeve bëheshin të suksesshëm, ata nuk ishin më pjesë e mbrojtjes së tij. Nëse shpërndarësit e drogës donin të operonin në territorin e tij, ai i trondiste ata duke bërë 30 milionë dollarë me një vlerësim. Kjo sjellje kriminale ishte dukshëm biznes. Dhe këto ishin rregullat. Heroina ndalohej në Bostonin Jugor pasi ishte e ndyrë, ngulej me shiringë në krah dhe të jepte SIDA-n. Në vend të kësaj, ai merrej me shpërndarësit e mëdhenj të kokainës në mbarë shtetin. Kokaina ishte e pastër dhe merrej në shoqëri. E ndyrë, e pastër- një vijë e hollë, përsëri.
Fjala që e shqetësonte më shumë ishte ‘informator’. Spiun, mi. Ndërsa ishte në ‘pension’ në Kaliforni, doli një lajm se ai ishte rekrutuar nga John Connolly i FBI në vitin 1975 për të dhënë informacione për familjen e krimit ‘Patriarca’ dhe mbi bandat rivale irlandeze. Ai e ndihmoi agjencinë edhe në vitet ’90, duke marrë në këmbim lirinë për aktivitetet e tij të biznesit dhe imunitetin nga arrestimi. Meqë vëllai i tij, Billy, që kujdesej vazhdimisht për të, ishte në atë kohë president i Senatit të shtetit, politikani më i fuqishëm në Masaçusets, ishte një rregullim komod si për oficerët vendorë të FBI, edhe për atë. Agjentët madje e blinin verën e Krishtlindjeve në dyqanin Mart të Bostonit Jugor.
Megjithatë ai e mohonte vazhdimisht me forcë. Në mesin e irlandezëve në Jug nuk kishte gjë më të keqe se të quheshe ‘mi’. Ai këmbëngulte se nuk ka qenë kurrë një i tillë. Si hajdut që nga mosha 13 vjeç, atë e kishin rrahur shpesh nëpër stacionet policore, por nuk ishte thyer kurrë. Në burg e kishin futur në izolim për muaj të tërë, por nuk kishte thënë asgjë. Ai do shkonte në ferr para se të bënte diçka të tillë. Mënyra se si e shihte atë, Connolly, që gjithsesi ishte një agjent mashtrues, i kishte dhënë atij informacion të dobishëm për biznesin dhe ai e kishte paguar- pra ishte e anasjella. Ai insistonte që nga fillimi, i ulur në makinën e Connolly atë natë, se roli dhe titulli i tij do ishte ‘strateg’. Çdo spiunim e bënin të tjerët, përfshi Steve Flemmi, jo ai. Edhe fjala bashkëpunëtor kishte një tingëllim biznesi. Dhe ruante distancën që ai donte të mbante nga gjithkush, në rast se nuk do ishin më miq dhe me sy të ftohtë si mermeri, ai duhej t’i vriste.
Kjo e fundit ishte një fjalë që ai e shmangu krejt. Në gjyqin e tij në vitin 2011, në mesin e 32 akuzave për grabitje, zhvatje dhe posedim armësh, ai u akuzua edhe për pjesëmarrje në 19 vrasje dhe u dënua më vonë për 11 prej tyre. Ai tha se nuk ishte fajtor, edhe pse provat në gjykatë ishin të qartë. Si e kishte lidhur Bucky Barret dhe e kishte torturuar që t’i jepte të ardhurat e fituara nga një grabitje banke, dhe më pas e qëlloi në kokë gjithsesi. Se si e kishte therur Louie Litif me një kaçavidë, si e kishte vrarë Eddie Connors në një kabinë telefonike; se si tallej me viktimat e tij, pasi kalonte në vendet ku i kishte varrosur.
Kur vrau për herë të parë një burrë, duke e qëlluar në mes të ballit nga afër, ai zgjodhi të gabuarin, binjakun e pafajshëm. Bosi i tij i atëhershëm i tha të mos shqetësohej: viktima e tij pinte shumë duhan dhe do të vriste gjithsesi. Ishte një mësim që nuk e harroi kurrë. Ai herë pas here pendohej për turpin që i kishte sjellë familjes së tij, por për viktimat dhe të afërmit e tyre nuk ndjente asgjë. Shumica, siç e shihte ai, kishin qenë informatorë. Dhe nëse bëje të heshtte një informator, a nuk është kjo gjë e mirë?