Shkrimtari i mirënjohur izraelit, Amos Oz, ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare, nga kanceri.
Autori i 19 punimeve ‘fiction’, qindra eseve dhe artikujve për Izraelin modern dhe prej kohësh një kandidat për çmimin Nobel në Letërsi, Oz ishte i njohur për romanet “Kutia e zezë”, “Në tokën e Izraelit” dhe “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”. Pjesa më e madhe e veprës së tij eksploronte jetën kibbutz (agrokulturore izraelite).
“Babai im i dashur vdiq nga kanceri, pikërisht tani, pas një përkeqësimi të shpejtë, kur po flinte në gjumë, i rrethuar nga njerëzit që e duan”, shkroi e bija, Fania Oz-Salzberger, duke njoftuar vdekjen në Twitter. “Për ata që e duan, faleminderit”.
Amos Klausner lindi në Jerusalem në vitin 1939. Ai u rrit nga një baba lituanes dhe një nënë polake. Kur ai ishte 12 vjeç, mamaja vrau veten: dy vjet më vonë ai braktisi shtëpinë dhe iu bashkua komunitetit kibbutz, duke marrë mbiemrin hebre Oz.
Megjithëse u rrit në një shtëpi jofetare, Oz zhvilloi një magjepsje ndaj fesë. Në një intervistë për ‘The Guardian’, ai tha se nisi të studionte Dhiatën e Re kur ishte adoleshent. “Kuptova në moshën 16 vjeç se nëse nuk lexoja ungjijtë, nuk do e kuptoja kurrë artin e Rilindjes, muzikën e Bahut apo romanet e Dostojevskit. Kështu, në mbrëmje, teksa djemtë e tjerë dilnin për të luajtur basketboll ose për të gjuajtur vajza- unë nuk kisha shans me asnjërën- e gjeta ngushëllimin te Jezusi”.
Oz e publikoi librin e tij të parë kur ishte 26 vjeç. Libri pati sukses dhe u pasua nga romani i goditur “Majkëlli im”. Historia e martesës së një gruaje të re e bëri Oz një nga zërat më të shquar të letërsisë izraelitë. Gjatë pesë dekadave në vazhdim, një seri romanesh do përktheheshin në 45 gjuhë. Libri i tij autobiografik i vitit 2002, “Një rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, u bë një nga librat më të shitura që vinin nga Izraeli dhe më vonë u bë film në vitin 2015 me aktoren Natalie Portman në rolin e nënës së shkrimtarit.
Megjithëse nuk e fitoi kurrë çmimin “Nobel”- edhe pse vazhdimisht shihej si kandidat- Oz mori vlerësime të shumta gjatë jetës së tij, përfshi çmimet “Brenner”, “Franz Kafka” dhe ‘Primo Levi”. Libri i tij i fundit në anglisht ishte mes kandidatëve për çmimin Man Booker International në vitin 2017.
Pasi shërbeu në Luftën Gjashtë-Ditore në vitin 1967, Oz ishte nga të parat figura publike që kërkonte zgjidhje me dy shtete me Palestinën, duke theksuar në një artikull të publikuar disa ditë pas përfundimit të konfliktit se ‘një pushtim i pashmangshëm është një pushtim i korruptuar’. Ai ishte një prej anëtarëve themelues të lëvizjes së njohur me emrin ‘Paqe tani’. Me kalimin e dekadave, ai e kritikoi vazhdimisht qeverinë izraelitë se refuzonte të angazhohet në një zgjidhje me dy shtete, por edhe se nuk zgjidhte çështjen e vendbanimeve. Në vitet e mëvonshme ai u bë një kritik i shquar i kryeministrit Benjamin Netanjahu dhe do të refuzonte të merrte pjesë në funksionet zyrtare izraelite si një protestë kundër asaj që e quante ‘ekstremizëm në rritje’ në qeverinë e Netanjahut.
Si zionist, Oz gjithashtu mbështeti qëndrimin e Izraelit në një seri konfliktesh, përfshi luftën e dytë në Liban dhe konfliktit Izrael-Gaza të vitit 2008-2009. Ai shkroi qindra artikuj për vendin e tij në median ndërkombëtare. Në një intervistë të vitit 2017, ai tha se mbështet vendimin e presidentit Donald Trump për të zhvendosur ambasadën amerikane në Jerusalem. “Çdo vend në botë duhet të ndjekë presidentin Trump dhe të zhvendosë ambasadën në Jeruzalem”, deklaroi ai për një televizion gjerman. “Në të njëjtën kohë, secili prej këtyre vendeve duhet të hapë ambasadën e tij në Jerusalemin lindor, si kryeqytet i popullit palestinez”./TheGuardian