“Pullat janë nishane të shtetit, ashtu si flamuri kombëtar, stema, monedhat e kartëmonedhat. Në qoftë se bën një “rrugëtim” të gjatë nga emisioni i parë, më 5 maj 1913 dhe deri te më i fundit aktualisht, emocionet që përfton janë thuajse të njëjta me ato kur lexon tekstin e Historisë së Shqipërisë. Pullat janë pasqyrim adekuat i historisë. Ndryshimi qëndron në faktin se historia nëpërmjet pullave përvijohet përmes imazheve, kurse nëpërmjet tekstit përmes fjalës së dokumentuar”.
A mund të përshkruhet më bukur se kaq një pasion, një hobi? Këto janë fjalët e Thimi Nikës, gazetarit dhe koleksionistit të njohur, i cili u nda nga jeta në fillim të javës.
Lajmi për vdekjen e tij të papritur në moshën 69-vjeçare u shpërnda me shpejtësi nëpër rrjetet sociale.
“Për dy orë gënjeja veten se lajmi do ishte fake. Por me sa duket duhet të mësohemi pa Thimin. Nëse do më duhet këshilla e tij do dal në breg të Jonit e do nis drejt reve a zogjve hallin tim. Dhe Thimi do ma sjellë përgjigjen. Si? E di ai. Se atje mbi ne atij nuk i rrihet pa ne. Do e ngrejë një antenë e do flasim e shihemi. Me sms, me skype? Të presim siç prisnim mendimin e tij aq të çmuar”, shkruan Agim Xhafka.
Kur e pyet mbesa se çfarë punonte Thimi Nika, Xhafka i përgjigjet: “Punonte shok, ashtu tërë jetën. Dhe qëllova në shenjë. Ai qe gazetar, shef, drejtor, filatelist, historian, redaktor klasi, botues… Ama së pari ishte shoku i të gjithëve. Të dëgjonte pa fund, të këshillonte, të mësonte dhe veç qeshte. Sikur nxirrte zemrën mbi tavolinë”.
“Kishte ar dhe art në botën e tij shpirtërore dhe një bashkëshorte Artë me vezullim ëmbëlsie në gjirin e vatrës familjare gjithë ngrohtësi. Si trashëgues koleksionesh nga i ati, gjithë meraku i tij ishte të gatiste sa më denjësisht ai vetë, si gjysh me pasuri shpirtërore, trashëgimtarë për koleksionet e pasura që zotëronte. Për vite të tëra, qëndroi në krye të detyrës shoqërore si kryeredaktor i revistës prestigjioze “Koleksionisti”, organi i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, dhe la, veç të tjerave, një kryevepër botimore në llojin e vet, librin “Historia e Filatelisë shqiptare”, për të cilin u nderua në vitin 2014 me Medaljen e Artë të Ekspozitës filatelike ballkanike”, shkruan miku i tij, Fotaq Andrea.
“Takimi im i fundit me Thimin, me atë mik për kokë, siç thotë shprehja jonë e bukur, ishte në një bilardo të qendrës së Tiranës, kur pas një kafeje njëorëshe, e shoqërova deri te salla e lojës, ku dha atë mëngjes, goditjen e parë të fortë mbi gurët e grumbulluar nga trekëndëshi, që u hapërdanë gjithë krisje e përplasje. Kishte qëlluar fort në shenjë, siç kishte ditur gjithë jetën të godiste bukur fort në shenjë duke i dhënë krejt jetës kuptimësi, plotësi, mirësi e fisnikëri”.
Gazetar, diplomat, koleksionist, filatelist e artdashës i njohur, me buzëqeshje në sy e maturi fjale në gojë ai ishte dhe mbetet Njeriu i bukurisë shpirtërore.
BIO
Pasardhës i një familjeje intelektuale nga Muzina e Sarandës, Thimi Nika, u diplomua në 1970 në Universitetin e Tiranës, në degën e Shkencave Politike. Karriera e tij njohu lidhjen më të gjatë me gazetarinë, për rreth 20 vite në gazetën Zëri i Popullit, e më tej prej 15 prillit të vitit 1989, si drejtor i Radio Tiranës, ku punoi për rreth katër vjet. Një vend të veçantë në angazhimin e tij profesional, zë edhe lidhja me botimet dhe redaktimin, dhe angazhimin si drejtor e kryeredaktor në disa revista e gazeta të kohës. Nga 3 shtatori i vitit 1997 e deri më 11 shkurt 2014, Thimi Niko punoi në Institutin Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, prej ku doli në pension në moshën 65 vjeç. Por pasioni i madh për historinë dhe artin shqiptar e bëri veçanërisht të njohur Thimi Nikon si koleksionist. Ai koleksionoi pjesë të historisë postare shqiptare, piktura të autorëve shqiptarë, monedha e kartëmonedha shqiptare, kartolina , fotografi dhe telekarta shqiptare. Me gradën doktor shkencash dhe docent që prej vitit 1995, Thimi Nika është edhe autor i tri librave që lidhen me trashëgiminë historike e kulturore shqiptare.