Kryesore

Inati i Ramës që do na kushtojë 110 milionë euro








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 28/11/20 |
mapo.al

Një shkrim i prestigjiozes austriake “Der Standard”, ka njoftuar se asetet e qeverisë shqiptare po vendosen nën sekuestro për llogari të biznesmenit Francesco Becchetti. Megjithëse çështja është në apel, bankave dhe kompanive energjetike austriake, u kërkohet të ngrijnë pasuritë ose aksionet që mund të ketë qeveria shqiptare.



Historia e mbylljes së Agon Channel dhe prishja e kontratave me zotin Becchetti duket se do iu kushtojë shumë shqiptarëve në këtë kohë pandemie. Shuma prej 110 milionë eurosh që qeveria po refuzon t’i paguajë është barabartë me shumën që u shpërnda për të gjithë shqiptarët gjatë karantinës, pasojë e një inati personal të kryeministrit për qëndrimet opozitare që kjo media mbajti për zgjedhjet lokale të vitit 2015, investigimet e skandaleve qeveritare e deri te dasma luksoze e Erion Veliajt në Kalanë e Gjirokastrës.


Nga Armand Maho




Denoncimet për manipulimet e votave në vitin 2015, qëndrimet e ashpra editoriale të Agon Channel ndaj qeverisë u bënë shkak që Edi Rama të ushtronte një sjellje inatçore ndaj televizionit që kishte vetëm dy vite e gjysmë në transmetim. Prerja e dritave, e sinjalit televiziv akuzat e stisura që iu bënë pronarit të saj janë bërë shkak që Shqipëria jo vetëm të paguajë 110 milionë euro në një nga periudhat më të vështira të saj, por dhe për shkatërrimin e imazhit të vendit në botë. Bëhet fjalë për çështjen e Francesco Becchettit, të cilit qeveria shqiptare duhet t’i paguajë një shumë të barabartë me atë që pagoi përgjatë kohës së pandemisë. Refuzimi për të përmbushur këtë detyrim të gjykatës së arbitrazhit rrezikon të na kthejë në një republikë bananesh, siç do komentonte një lexues i prestigjiozes “Der Standard”. Rama po iu kushton shqiptarëve më shumë se ç’mund të rrokë mentaliteti i një populli.
**
Që nga ardhja e Rilindjes në pushtet, ka pasur shumë skandale, por çështja e Francesco Becchettit, është një nga dëshmitë më të forta se si një individ e përdor pushtetin për të kënaqur inatet e tij personale. Pasuritë e qeverisë shqiptare në botë janë vënë nën sekuestro, sipas një shkrimi të prestigjiozes “Der Standard”. Autori i shkrimit është Eric Frey, një emër i njohur në gazetarinë e shtetit gjermanik, sidomos në fushën e ekonomisë dhe politikës, redaktor që prej vitit 1995 në “Der Standard” të Vjenës. Por çfarë do të thotë që Shqipërisë t’i vendoset sekuestro, të aseteve nëpër botë. Me pak fjalë, llogaritë bankare, kreditë apo grantet nuk mund të lëvrohen pa u plotësuar më parë shuma që qeveria i ka borxh investitorit.
**
Çështja Becchetti është mendësi tipike e autoritarizmit provincial, ku kapriçot e momentit dhe trajtimi i postit të kryeministrit si bajrak, rëndojnë mbi kurrizin e taksapaguesve. Është një luftë që i bëhet lirisë së mediave, në emër të shtetbërjes që propagandonte Rama, Veliaj and Co në vjeshtën e 2015-ës. E si mund të guxonte një investitor italian të kritikonte në median e tij misionarin e mirëqenies dhe vendosjes së ligjit. Francesco Becchetti në atë kohë kish bërë një revolucion mediatik, me shpresën që të shpërndahej dhe në perëndim. Por kjo nuk kishte shumë rëndësi për kryeministrin dhe ortakët e tij të propagandës, të cilët manipulimin e opinionit e kanë mjetin me të cilin përfitojnë tendera e para publike.
**
“Eureka” do thërrisnin spin doktorët e propagandës, po ashtu dhe tabori qeveritar. Një investim i vonuar në Kalivaç të Tepelenës në lidhje me një Hidrocentral në Vjosë, do konsiderohej si arma kryesore për luftën ndaj Becchettit, dhe jo vetëm kaq por do mobilizohej e gjithë ushtria e propagandës mediatike rreth Zeusit fuqiplotë, për të sulmuar “tradhtarin” që kish guxuar të nxirrte shpenzimet marramendëse prej 300 mijë eurosh të Veliajt dhe manipulimin e votave në zgjedhjet lokale. Emisioni “Ça thu…”, në korrik do transmetonte me zë e figurë se si një person mund të votonte 20 herë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit të vitit 2015. Agon Channel kish shkuar shumë larg. Kish shkelur vijën e kuqe, duke paraqitur si gënjeshtar të rëndomtë Veliajn e Bashkisë (tha që shpenzimet e luksit në kalanë e Gjirokastrës dhe Pezë për martesën e tij ia kish paguar mamaja) dhe si vjedhës të zgjedhjeve me anë të listave zgjedhore dhe kartave të identitetit Edi Ramën. Një vizatim të një personazhi të ri autoritar që po lindte vetëm dy vjet pasi kish marrë pushtetin. Për mitomaninë e rilindjes kjo do ishte e tepërt…
**
Vendimi i arbitrazhit ka ardhur në momentin më të keq. Pavarësisht se çështja ka shkuar në apel, shpresat që ky vendim të ndryshojë në favor të buxhetit të rrënuar të shtetit shqiptar duken të pakta. Në një kohë kur shqiptarët, me gjithë varfërinë e tyre po harxhojnë shuma marramendëse për t’u kuruar nga COVID-19. Por ajo që ndoshta po i vret më shumë pa e kuptuar është varfëria. Paratë që do duhet të vijnë për rindërtimin apo kreditë për pandeminë do i kalojnë Francesco Becchettit. Ligjet dhe konventat ndërkombëtare nuk pyesin për sharlatanizmin qeveritar të Shqipërisë, sharlatanizëm që mbyll gjykatat dhe rrëmben pronat. Ato nuk duan t’ia dinë për kapriçot e liderit global, apo për nevojën emergjente për mallra luksi të Erion Veliajt. Kompania e përmbarimit austriake e përmbarimit Dorda, filloi me bllokimin e aseteve në Austri, kjo pritet të ndodhë në të gjitha vendet e botës derisa të plotësohen 110 milionë eurot që pa të drejtë ia kemi borxh Becchettit. Dhe shqiptarët do vazhdojnë të përpëliten nën kthetrat e pandemisë, do vazhdojnë të përjetojnë mjerimin në çadrat e tërmetit. Dhe t’ia bësh këtë popullit tënd që të besoi me votë për të menaxhuar jo vetëm paratë por edhe hallet e tij, është më shumë se kriminale….



Qeveria refuzon të paguajë, pasuritë e shtetit shqiptar do merren nga përmbarimi


Mbrëmjen e 26 nëntorit gazeta “Der Standard”, do të botonte shkrimin me titull “Pasuritë shqiptare do të konfiskohen pas vendimit të arbitrazhit”. Në shkrimin e prestigjiozes austriake, përmendej fakti se si një letër iu kishte shkuar bankave austriake dhe kompanive energjetike në lidhje me këtë çështje nga kompania vendase ligjore Dorda. Nga ky vendim përjashtohen vetëm selitë diplomatike të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare. Vendimi ka ardhur pasi qeveria shqiptare ka refuzuar të paguajë detyrimin në bazë të vendimit të arbitrazhit, duke i bërë një dëm jo të vogël imazhit të vendit. Në komentet poshtë shkrimit të “Der Standard”, nuk ishin të pakët lexuesit që e shikonin vendin tonë si republikë bananesh, eksportues të drogës dhe kriminalitetit, apo një aspirante e gabuar për në Bashkimin Evropian. Më poshtë lexoni shkrimin e plotë të “Der Standard”.

Der Standard: Po sekuestrohen pasuritë shqiptare në botë

Nga Eric Frey

Disa banka austriake dhe kompani energjetike kanë marrë kohët e fundit nga një letër të pazakontë. Një kompani ligjore është duke pyetur nëse ato kanë ndonjë pasuri ose aksione të Republikës së Shqipërisë sepse ato duhet të ngrijnë. Arsyeja është një gjyq në arbitrazh që disa investitorë italianë bënë kundër Shqipërisë në 2015 dhe fituan. Gjykata e arbitrazhit ndërkombëtar (ICSID) u dha atyre rreth 100 milionë euro kompensim në prill 2019. Për shkak se qeveria në Tiranë refuzon të respektojë këtë vendim të arbitrazhit, pasuritë shqiptare që nuk mbrohen nga konventat diplomatike tani mund të konfiskohen në të gjithë botën.

Austria është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Shqipërisë. Firma ligjore Dorda ka marrë përsipër detyrën e sekuestrimit të pasurive shqiptare dhe po përpiqet të mbledhë deri në 25 milionë euro për Francesco Becchettin, një nga 3 paditësit. Llogaritë dhe letrat me vlerë në 7 banka, pjesa e koncesionit që Shqipëria ka me kompanitë Verbund dhe EVN për shkak të projekteve të ndërtimit të një termocentrali në vend duket se janë vënë në pikëpyetje.

Procedura në shumë shtete

Sipas Konventës së ICSID, në të cilën Austria është aderuar, vendimet e arbitrazhit duhet të zbatohen nga gjykatat vendase. Urdhri i ekzekutimit u bë në 10 nëntor në Gjykatën e Qarkut të Vjenës.

“Firma ligjore është akoma duke pritur përgjigjet nga kompanitë në fjalë, për të ashtuquajturat deklarata të borxhit të palëve të treta” – thotë një nga partnerët e Dorda, Florian Kremslehner. Përveç Austrisë, ka procedime paralele edhe në vendet të tjera të Evropës. Sapo shuma totale të jetë mbledhur, detyrimi konsiderohet i përmbushur.

“Procedura të tilla përmbarimore janë mjaft të rralla”, – thotë Kremslehner për “Der Standard”, – “sepse shtetet zakonisht pranojnë vendime të tilla arbitrazhi. Pengesa më e madhe është se shtetet këmbëngulin në sovranitetin e tyre dhe zbatimi është i vështirë në shumë shtete të tjera.”
Qeveria shqiptare refuzon të paguajë, duke përmendur një proces ankimimi që është në vazhdimësi. Në fakt, sipas një platforme kërkimore shqiptare, Ministria e Financave në Tiranë tashmë ka buxhetuar 110 milionë euro për të shlyer këtë detyrim.

Çështja e lirisë së shtypit

Kjo çështje është veçanërisht pikante sepse ka të bëjë gjithashtu me lirinë e shtypit. Kompania televizive Agonset u konfiskua, por sipas mendimit të gjykatës së arbitrazhit kjo u bë sepse ishte tepër kritike ndaj qeverisë. Konfiskimi “ishte kulmi i një fushate politike kundër paditësve”, të cilët gjithashtu u përndoqën me procedime të diskutueshme penale. Shqipëria zakonisht merr nota të mira për klimën e saj të investimeve, por tashmë ka humbur disa procedura të arbitrazhit kundër investitorëve. Në procesin e pranimit në BE, gjyqësori konsiderohet të jetë pika më e dobët, kjo është arsyeja pse investitorët rrallëherë u drejtohen gjykatave vendase në mosmarrëveshje dhe përdorin ligjin ndërkombëtar të arbitrazhit.

Si nisi përplasja?/ Nga mesazhet e Veliajt deri tek akuzat e stisura për pastrim parash

Fatura 110 milionë euro që rëndon mbi xhepat e varfër të shqiptarëve ka pasur pretekst arrogancën e pushtetarëve shqiptarë. Bëhet fjalë për mesazhet e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe qëndrimet publike të Kryeministrit Edi Rama. Këto mesazhe dhe qëndrime besohet se janë përdorur si prova të forta në gjyqin ndërkombëtar ku shteti shqiptar është dënuar të paguajë plot 110 milionë euro dëmshpërblim për italianin Francesco Becchetti. Gjithçka nisi me dasmën e Veliajt në kalanë e Gjirokastrës, ku Agon Channel, televizioni në pronësi të italianit kishte dërguar një grup xhirimi. Veliaj, i cili në atë kohë mbante postin e ministrit në qeverisë Rama, i dërgon disa mesazhe pronarit të televizionit ku e kërcënon se po e bën armik. Mesazhet u bënë publike nga ish-ministri socialist Arben Malaj para disa kohësh, kur Becchetti sapo kishte fituar gjyqin ndërkombëtar me qeverinë shqiptare. “Veliaj me papërgjegjshmërinë dhe arrogancën e tij ministrore me disa sms si kjo po u rëndon taksapaguesve të varfër shqiptarë një gjobë 110 milion euro”, shkruan Malaj duke postuar një foto ku duken mesazhet që adresojnë Agon Channel, në pronësi të Francesco Becchetti. “Shoh grup xhirimin e Agonit në Gjirokastër. S’e kuptoj pse po ma bëni këtë, mendova se e latë marrinë me herën e fundit. Nuk e dua! Jam absolut tek kjo! Po më bëni armik me zor. Thuaji atij që do bëjë armiq gjithë qeverinë pa shkak! Është private dreqi ta hajë, respektojeni se po më del nga hundët ky muhabet me ju!” – Kjo është përmbajtja e dy mesazheve në WhatsApp që vijnë nga numri i telefonit të Veliajt si apel për Agon Channel. Vetë Becchetti kishte folur për këtë mesazh kërcënues të Veliajt për gazetën britanike “The indipendent” në shtator të vitit që shkoi. Gjyqet me biznesmenin Francesco Becchetti nisën disa kohë më parë duke u mbyllur me një humbje të rëndë për shtetin shqiptar. Biznesmeni italian ishte angazhuar prej shumë vitesh në një projekt për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivacit. Një seri përplasjesh me shtetin shqiptar çuan në ndalimin e projektit dhe zgjidhjen e kësaj situate në gjykatat ndërkombëtare.

Lexo edhe :  Becchetti kërkon të konfiskojë aksionet e Shqipërisë në kompaninë Shell

Por nuk janë vetëm mesazhet e Veliajt që kanë rënduar pozitën e qeverisë shqiptare në humbjen e këtij gjyqi. Qëndrimet publike të kryeministrit Edi Rama janë gjithashtu në këtë vijë. Padia e ngritur nga Becchetti u depozitua në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg më 21 tetor 2015 i referohet një serie deklaratash publike të bëra nga kryeministri Edi Rama në media dhe rrjete sociale në qershor 2015 në lidhje me çështjen penale të ngritur në Tiranë kundër biznesmenit italian. Rama, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës e lidh sekuestrimin e aseteve të televizionit Agon Channel me dekriminalizimin e politikës nga elementët kriminalë shkruante: “Dekriminalizimi, gjethe fiku që bie e nxjerr cullak PD-në kur goditet krimi! Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente Agon Channel, një sukses”. Por më vonë në një intervistë televizive ai tha se “kjo nuk ka lidhje me Agon Channel si një media që po luftohet, sepse nuk ka turp më të madh se të bësh avokatinë e ekranit si liri për informim kur ekrani ndizet dhe fiket me burime parash të pista”. Agon Channel u hap në Tiranë në vitin 2013 si një televizion gjeneralist dhe filloi të transmetonte nga Tirana dhe në Itali nëpërmjet dixhitalit tokësor nën siglën Agon Italia. Transmetimet e tij në Shqipëri u mbyllën në tetor 2015, pasi llogaritë e kompanisë u bllokuan nga gjykata.

Urdhri i arrestit që u anulua nga Interpol

Pasi i mbylli televizionin policia kishte lëshuar një urdhër arresti për investitorin italian dhe ortakun e tij duke i akuzuar ata për shmangie të taksave, falsifikim të dokumenteve, përvetësim dhe pastrim parash, duke kërkuar gjithashtu ekstradimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar. Por ky urdhër nuk u zbatua nga Interpoli. Gjykata ndërkombëtare doli në konkluzionin se qeveria Rama lëshoi një urdhër-arresti të motivuar politikisht. Gjatë arbitrimit, gjykatat e Londrës kishin refuzuar tashmë kërkesat për ekstradim nga pala shqiptare, duke e konsideruar një abuzim serioz dhe Interpol kishte tërhequr urdhrat e arrestit ndërkombëtar kundër Becchettit dhe ortakut të tij të biznesit, De Renzis, pasi Shqipëria nuk ishte në gjendje t’i justifikonte urdhër-arrestet. Francesco Becchetti duke e cilësuar këtë betejë një persekucion politik ndaj tij nga qeveria shqiptare komentoi për mediat britanike se “Ne jemi të kënaqur që gjykata ndërmori një hap të jashtëzakonshëm për të konfirmuar se ne kemi qenë të përndjekur nga shteti shqiptar. Ne mezi presim që të vazhdojmë me jetën dhe aktivitetet tona”.

Fatura e qeverisë

Në qershor të vitit 2020, Ministria e Financave ka vendosur në lista për të paguar detyrimin prej 109 milionë euro për biznesmenin Francesco Becchetti, i cili ka fituar në arbitrazh gjyqin ndaj shtetit shqiptar. Qeveria shqiptare nuk e pranoi asnjëherë zyrtarisht humbjen, por në dokumentin e Ministrisë së Financave për raportin e mesvitit për zbatimin e buxhetit, të vitit 2020 pasqyrohet se gati 91 për qind e detyrimeve që kanë institucionet shqiptare për shkak të gjyqeve të humbura në arbitrazh e zë detyrimi ndaj kompanisë Hydro srl (në pronësi të Becchettit) plot 100 milionë euro. Dokumenti i Ministrisë së Financave pasqyronte këtë detyrim që rrjedh nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit për gjyqin Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë. Në një përpjekje për të bllokuar vendimin e arbitrazhit qeveria shqiptare në verën e këtij kërkoi pezullimin e këtij vendimi edhe pse ai ishte i formës së prerë.

Refuzimi i qeverisë për pagesën dhe imazhi i Shqipërisë në botë

Qeveria shqiptare ka refuzuar të paguajë detyrimin ndaj Becchettit. Ajo ka si argument të vetëm pranimin e kërkesës së saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit për pezullimin e ekzekutimit të gjobës. Në 24 prill, kjo gjykatë me seli në Uashington, që merret posaçërisht me konfliktet e investimeve, e njohur ndryshe si ICSID, e gjobiti Shqipërinë me 110 milionë euro për konfliktin me biznesmenin italian. Por kërkesa e Avokaturës së Shtetit shqiptar për anulimin e gjobës është pranuar nga Gjykata në datën 27 gusht të këtij viti dhe u njoftua një pezullim i përkohshëm i ekzekutimit të gjobës. Këtij zhvillimi iu referua dhe kryeministri Rama kur para disa javësh mbrojti me forcë idenë se gjyqi është në proces dhe qeveria nuk ka humbur asnjë arbitrazh. Pavarësisht shpresës së Ramës, vendimi i arbitrazhit do të zbatohet me hir a pahir, ashtu siç u bë e ditur dhe mediat austriake, ku ka nisur sekuestrimi i aseteve shqiptare nëpër botë.

Për juristin Ledio Braho, refuzimi është një rrekje e kotë, pasi firmat ligjore që pajtohen nga gjykata ose nga vetë ai që ka fituar gjyqin, operojnë në të njëjtën mënyrë si zyrat e përmbarimit këtu. Këtë herë ishte radha e Austrisë, por nuk përjashtohet mundësia që masa e bllokimit për qeverinë shqiptare të vendoset në të gjitha vendet që kanë nënshkruar Konventën e ICSID për detyrimet, ku është hedhur dhe firma e shtetit shqiptar që prej 15 tetorit të vitit 1991, dhe ku aderojnë të gjitha shtetet e BE-së dhe Ballkanit por edhe pjesa më e madhe e shteteve të botës. “Ata kanë të drejtë të bllokojnë çdo pagesë apo aset pronë e shtetit shqiptar, por që nuk mbrohen nga ndonjë marrëveshje, si fjala vjen selitë e ambasadave. Që ta bëjmë më të thjeshtë aksionet, që mund të ketë shteti shqiptar në bankat e huaja ose kompanitë atje, apo detyrimet që kanë kompani të huaja që kanë investuar në Shqipëri, si fjala vjen bankat, apo kompanitë e sigurimeve të cilat kanë kompaninë mëmë jashtë vendit mund të bllokohen në bazë të urdhrit të nxjerrë nga gjykata, deri sa të jetë shlyer detyrimi që shteti ynë ka ndaj fituesit” thotë Braho.
Ekspertët e ekonomisë

Zef Preçi ekspert i ekonomisë dhe Gjergj Buxhuku, President i Konfindustria shkojnë dhe më larg kur shprehen se veprime të tilla, të ndërmarra nga shteti shqiptar më së pari dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. Për Preçin Shqipëria prej disa vitesh është vend jo tërheqës për investitorët, dhe konfiskimi i aseteve të shtetit shqiptar nuk është diçka e re. “Të jemi të qartë për diçka themelore: përderisa Shqipëria është vend nënshkrues i konventave ndërkombëtare prej vitit 1991 në vijim dhe vendimi është përcaktuar për t’u anëtarësuar në BE, nevojitet që të respektojë principet e konkurrencës së lirë dhe tregut të hapur…”- thotë Preçi, përndryshe, vijon ai, “çfarëdo refuzimi i pastër politik që anashkalon institucionet rregullatore të tregut apo shfaqja e anësive që burojnë nga rrethanat poltike të momentit, dëmton imazhin e vendit dhe përkthehet në një rritje të vigjilencës (alert) për investitorët e huaj”. Ndërsa për Gjergj Buxhukun, konfiskimi i aseteve të qeverisë është një procedurë normale dhe e përmbajnë të gjitha konventat ku ajo bën pjesë që nga viti 1991. “Interesant është se pse është përcaktuar Austria, ndërkohë që mund të bëjnë pjesë të gjitha asetet në pronësi të shtetit shqiptar kudo në botë. Rasti në fjalë, thotë ai, është veçanërisht i rëndë sepse është 100% krijuar me vetëdije të plotë nga ndërhyrja e ekzekutivit dhe ishte i qartë përfundimi. Për Shqipërinë është goditje e 3-fishtë. Së pari, shumë e rëndë nga goditja financiare për më shumë në një vit shumë të errët ekonomik, së dyti, sepse godet drejtpërdrejt konkurrencën e vendit në drejtim të thithjes së investimeve të huaja, së treti mospagesa ul shumë seriozitetin e shtetit shqiptar në tregjet financiare dhe procesin politik të integrimit në BE!”, argumenton Buxhuku i Konfindustrisë shqiptare, për gazetën “Si”.

1


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas