Aktualitet

Incidenti- Mbështetësit e Ramës prishin Ditën e Verës dhe tensionojnë zgjedhjet














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 15/03/21 |
Mapo.al

Dje në Elbasan pati një përplasje të fortë mes militantëve të PS dhe PD, teksa Rama dhe Basha gjendeshin aty në të njëjtën kohë për Ditën e Verës. Mbështetësit e Kryeministrit shfaqen të dhunshëm dhe PD pretendon se ata ishin edhe të armatosur. Rama bën shkaktar të incidentit PD-në, për thirrjet politike “Rama Ik” dhe flamujt. Ndërsa Lulzim Basha thotë se kryeministri erdhi me banditë dhe ky është fundi i tij. Pamjet janë të qarta dhe agresorët të identifikueshëm. Gazment Bardhi i publikon me emra. Një sfidë kjo për policinë dhe për prokurorinë.






Në Ditën e Verës qyteti i Elbasanit është bërë dje mejdan i një shfaqjeje të shëmtuar e të dhunshme ku shkaku ka qenë politika. Në këtë qytet ku krimi është ulur këmbëkryq vitet e fundit dhe lajmet për atentate mafioze janë bërë të zakonshme, ka treguar se “çunat problematikë” që i qëndrojnë pranë Partisë Socialiste janë gati ta kthejnë në shesh dhune edhe një ditë feste. Me rrobën e militantit partiak ata përdorën grushtet ndaj qytetarëve që ishin mbledhur më herët në shesh për të pritur kreun e opozitës Lulzim Basha. Thirrjet “Rama ik” të qytetarëve vijuan kur pak minuta pas Bashës në qytet mbërriti eskorta e kryeministrit. Por disa nga shoqëruesit e kryeministrit nuk i pritën mirë këto thirrje duke fyer militantët demokratë dhe duke u sulur dhunshëm mbi turmën nga vinin thirrjet kundër kryeministrit.


Në sy të kamerave u pa se si ata përdorën dhunën ndaj bashkëqytetarëve të tyre dhe u desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën. Të dy liderët fajësuan njëri-tjetrin për nxitjen e dhunës, ndërsa i pari i listës së Elbasanit për PD-në, Gazment Bardhi, publikoi fotot dhe emrat e protagonistëve të dhunës duke bërë me dije se janë të gjithë eksponentë të krimit të organizuar në këtë qytet. Basha dhe Rama patën një përplasje virtuale gjatë ditës me akuza të ndërsjella. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëroi kryeministrin Rama që të mos kërcënojë qytetarët me banditë me armë në brez. “Nuk mund të na ndalë dhe nuk do të na ndalë më dhuna. Është ditë feste, ditë shprese, kur dielli do të shndrisë. Për një kohë shumë të gjatë ky qytet është mbajtur në vendnumëro, nga ushtruesit e dhunës sot, nga bandat e Elbasanit që me pistoletë në brez shoqëronin kryeministrin në ikje. Unë e di që qytetarët e Elbasanit nuk e duan dhunën dhe mezi e presin ditën e shpresës dhe ndryshimit.





Shpresa dhe ndryshimi po vjen, dhuna nuk do ta ndalë dot. I them kryeministrit, mos guxo të kërcënosh qytetarët e Elbasanit me banditë me armë në brez”, u shpreh Basha. Ndërsa kryeministri ka fajësuar opozitën për provokim duke iu drejtuar kundërshtarit të tij me fjalët; “Ndahu nga Likja e Saliu, këpute zinxhirin e Monikës, se lider s’je dot, po bëhu pak burrë”. “Tash 20 vjet që vij në ditën e verës në Elbasan, s’kisha parë një turmë ulëritëse me flamuj partie, si ai automobili zhurmues i filmit “Koncert në vitin ‘36”! Dukeshin si 100 kopje të Ilir Metës, ndërsa Luli kishte parkuar makinën në korsinë e biçikletave e ishte fshehur mes tyre! Kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut dhe Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë! Keqardhje e madhe për PD e kthyer në vegël e dy hallexhinjve të drejtësisë”!, shkroi Rama në Twitter.



Ndërsa Basha i kundërpërgjigjet se burrë nuk të bëjnë banditët që mban afër. “Burrë nuk të bëjnë banditët pa të cilët nuk hyje dot në qytetin e Elbasanit, burrë nuk të bëjnë dot banditët e Fushë-Krujës që i ke futur në listat e tua, burrë të bën përkushtimi ndaj vendit, prandaj ke nevojë si për morfinën dhe kokainën dhe banditët që të rrethojnë. Burrë të bën përkushtimi për të lënë pas përkushtimin personal. Ndali provokimet ndaj qytetarëve. Mos i provoko, dhe jepi fund kompensimit të frikës që të shoqëron. Nuk na tremb dot ne, më 25 prill ti largohesh dhe Shqipëria fiton”, u shpreh Basha. Policia e Elbasanit ka shoqëruar militantë të dy partive po nuk ka bërë publikë emrat e tyre, ndërkohë që Bardhi në një denoncim pasdite ka publikuar fotot dhe emrat e të përfshirëve në përleshje.

Lexo edhe :  Hyrja në parlament, Basha: Fillimisht do mbledhim prova për masakrën zgjedhore

Denoncimi i Bardhit: Ja cilët janë “çunat problematikë” të Ramës
Drejtuesi politik i PD në Qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi, shprehet se Edi Rama prishi Ditën e Verës me një skenar të parapërgatitur, dhe të gatuar me botën e errët të bandave. Ai denoncon me foto dhe me emër personat të cilët i cilëson banditë, dhe ishin pjesë e ekipit të Ramës. Bardhi thotë se në mungesë të bilancit dhe refuzimit që i bënë qytetarët, Rama vuri në jetë alternativën e vetme që ka për qytetin dhe vendin, krimin e organizuar. Sekretari i Përgjithshëm i PD, thekson se ka prova e fakte të pakontestueshme të cilat qytetarët i panë, se si persona me precedentë penalë, ishin dje në ekipin e Ramës në Elbasan.

“Sipas radhës, ja disa nga eksponentët e krimit të organizuar që shoqëronin sot (dje) Edi Ramën të armatosur dhe nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit. 1. Kelmend Ymer Xhaferri (pseudonimi Kel Çami) ka qenë më parë i dënuar për disa vepra penale dhe i përfshirë në incidentin kundër punonjësve të policisë në Elbasan te Tregu Ushqimor, duke thyer me forcë postbllokun e policisë. 2. Nino, anëtar i krimit të organizuar. 3. Marsel Rrokaj, anëtar i krimit të organizuar dhe djali i Agron Rrokës, drejtori i burgut Elbasan. 4. Eris Skilja, anëtar i krimit të organizuar. 5. Naldi Metaj (i njohur me pseudonimin Babalja), anëtar i krimit të organizuar. 6. Gëzim Rusi, anëtar i krimit të organizuar”, denoncon Bardhi.

Basha me kandidatët e PD-së: Elbasani ka nevojë për paqe, të ndahet nga krimi
Përleshja mes militantëve që inauguroi Ditën e Verës në Elbasan nuk e ka penguar agjendën e vizitës së kryedemokratit, i cili në qendër të diskutimeve me kandidatët e këtij qarku dhe me të rinjtë ka nënvizuar pikërisht faktin që qyteti duhej të ndahej nga krimi dhe të jetonte në paqe. “Edi Rama kur erdhi me banditët në brez, se kujtoi se do të frikësonte popullin e Elbasanit dhe do të prishte festën. Nuk ia doli dot! Rrugët ishin plot e përplot, edhe më plot, pas një incidenti të shëmtuar, që tregoi se njerëzit nuk e kanë më frikë, se janë të vendosur që të mos jenë më peng i bandave, me të cilat Edi Rama ka ardhur në pushtet dhe e ka mbajtur atë pushtet në Elbasan dhe në qytetet e tjera. Iu ka dalë boja atyre, dhe mbi të gjitha shqiptarëve u ka dalë frika dhe janë të gjithë bashkë, bashkë me ne, për të sjellë ndryshimin që vendi meriton”, -tha Basha duke falënderuar elbasanllinjtë për pritjen që i bënë.

Pas një takimi me gratë e këtij qyteti, në kuadër të 25 Prillit, Basha i mëshoi akuzës së lëshuar më parë, se Rama provokoi qytetarët me miqtë e tij kriminelë sepse është i dëshpëruar për humbjen që do të përjetojë më 25 prill. Basha gjithashtu u shpreh se koha kur Elbasani ishte nën terrorin e kriminelëve të Edi Ramës, ka marrë fund. “Dua ta them fare qartë se, koha e Edi Ramës ka marrë fund, dhe Rama e di këtë. Është për të ardhur keq që edhe në javët e fundit të tij, siç ka bërë rëndom këto 8 vite, ai provokoi qytetin e Elbasanit duke treguar dëshpërimin që e ka kapluar me miqtë e tij kriminelë. Por koha kur qyteti dhe qytetarët e Elbasanit ishin në hyqmin e kriminelëve të Edi Ramës, ka marrë fund. As nuk na tremb, dhe as nuk do të na ndalë dot.

Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të sjellë ndryshimin që shqiptarët mezi e presin”, – tha Basha. Kreu i Partisë Demokratike ishte në takim me kandidatet e PD-së në Elbasan duke i cilësuar ata si fytyra e ekipit me të cilin nesër Elbasani do të marrë frymë lirisht dhe do të zhvillohet. Lideri demokrat gjithashtu tha se Partia Demokratike do t’i korrigjojë gabimet e pafalshme të qeverisë Rama, dhe do t’iu japë shqiptarëve një qeveri efikase, një ekip kundër pandemisë, por edhe mjekë e infermierë të vlerësuar në vijën e parë të betejës. Të rinjtë nuk do të kenë arsye të largohen, tha Basha, dhe qyteti i Elbasanit nuk do të vuajë më nga skamja, mjerimi e lufta ndaj së bukurës.

1


Etiketa: , , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas