Kryesore

Infarkt të arrestuarit për taksën e Rrugës së Kombit, flet babai: E kanë traumatizuar, morëm borxh për…





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:12 - 05/06/18 |
mapo.al

Protestuesi i arrestuar për taksën e Rrugës së Kombit ka pësuar infarkt në burg. Florin Onuzi, nga fshati Nangë në Kukës, është ndier keq disa ditë më parë në ambientet e Burgut 313 në Tiranë dhe është dërguar me urgjencë në spital. Mjekët konstatuan shenjat e një infarkti dhe i dhanë atij trajtim mjekësor. Pikërisht për shkak të situatës shëndetësore, Gjykata ka dhënë vendim për lirimin e menjëhershëm të 35- vjeçarit, pasi qëndrimi më tej në qeli mund t’i rrezikonte jetën.


Babai i Florin Onuzit, Serveti, i kontaktuar mbrëmë nga “Panorama”, theksoi se gjendja e të birit nuk është aspak e mirë për shkak të situatës shëndetësore që kaloi, por edhe traumës së shkaktuar si pasojë e arrestimit të padrejtë.


Ai nuk e konsideroi të përshtatshme një intervistë të mundshme me të birin, pasi i druhet përkeqësimit shëndetësor të tij. Siç ai thekson, gjendja e të birit është e tillë që nuk e përballon dot as ngarkesën më të vogël psikologjike.


Sipas Servet Onuzit, periudha e kaluar me të padrejtë në burg ka ndikuar që Florini të përjetojë një gjendje të tillë, që sot po i kushton së tepërmi gjithë familjes, jo vetëm në aspektin psikologjik, por edhe financiar. Ai thotë se deri më tani janë dashur 2 mijë euro për ndërhyrjen që i është bërë të birit në zemër.


Kjo është kryer në një spital privat, pasi siç Serveti thekson, në spitalin shtetëror ndërhyrja mund të kryhej vetëm kur t’i vinte radha, pas rreth 5 muajsh.

Z. Servet, djali juaj ishte ndër katër nga 11 të arrestuarit që la në burg Gjykata e Apelit në Shkodër. Ku ndodhet tani Florini, është liruar?

Po, djali është liruar prej disa ditësh nga burgu dhe ndodhet në shtëpi, këtu në fshatin Nangë ku ne jetojmë. E liruan sepse atij i rrezikohej jeta në burg dhe nuk mund të qëndronte më aty.

Pse i rrezikohej jeta? Çfarë pësoi në burg?

Dua të them se djali ndodhej në Burgun 313 në Tiranë kur pësoi infarkt. Nuk di ta them datën se kur ndodhi, por për pak djali mund të vdiste atje. Dhe kjo ka ndodhur sepse im bir ka kaluar situatë të vështirë. E arrestuan me të padrejtë dhe ai është traumatizuar, teksa shpresa për drejtësi dhe për ta liruar u venit kur edhe Gjykata e Apelit në Shkodër e la në burg. Ai kishte familjen pa asnjë të ardhur këtu në fshat dhe nuk mundi ta përballojë dot qëndrimin pa asnjë faj në burg, larg familjes së tij. Djalin ma kanë traumatizuar, ndaj pësoi edhe infarktin.

A ka pasur probleme shëndetësore Florini para se të arrestohej? Ka pasur ndonjëherë probleme me zemrën?

Jo, absolutisht asnjëherë. Djali m’u sëmur pas arrestimit sepse theksoj, e kanë traumatizuar dhe ai nuk mundi ta përballonte këtë. Ai nuk është sëmurur njëherë këtu. Kishte probleme plot, që kanë të bëjnë me anën financiare sepse ishte pa punë e të ardhura, por nuk kishte probleme me shëndetin dhe as me zemrën.

A keni folur me të, çfarë simptomash konkrete pati në burg?

Nuk është ndier mirë. Nuk di si ta shpjegoj sepse ne nuk kemi folur shumë me të duke qenë se nuk duam ta ngarkojmë, por mjekët na thanë për infarkt. Ai nuk e përballon dot të flasë për çfarë ka kaluar në burg, ndaj edhe ju si gazetarë, ju lutem të mos e shqetësoni për të folur vetë me të. Nuk mund të flisni me të pasi kam frikë se shqetësohet dhe më kalon në infarkt sërish. Nuk është në gjendje të flasë me askënd.

Kush ju lajmëroi për gjendjen shëndetësore të tij?

Së pari dua të them se gjatë qëndrimit në burg, askush nuk na ka lënë ne si familjarë që të futeshim dhe ta takonim në burg. As për një minutë të vetme, sa për ta parë, nuk na kanë lejuar të futeshim. Mendoj se edhe kjo ka ndikuar që djali të ngarkohej. Pasi shfaqi probleme, fillimisht atë e shtruan në spital në Tiranë. Pasi qëndroi për 8 ditë aty, e transferuan në Spitalin e Kukësit. Por mjekët në Kukës nuk pranuan ta mbanin qoftë edhe një ditë të vetme dhe e dërguan sërish në Tiranë. Mjekët këtu më thanë se kanë frikë ta mbajnë pasi është një rast specifik, që kërkonte një trajtim të specializuar, çka nuk mund t’i sigurohej dot në Spitalin e Kukësit. U detyruam të shkonim prapë në Tiranë. Jemi mbytur dhe me borxhe pasi deri më tani trajtimi na ka shkuar më shumë se 2 mijë euro… Prej 5 ditësh, djalin ma kanë sjellë në shtëpi.

Po pse paguat 2 mijë euro, a nuk e trajtoi spitali shtetëror?

Po çfarë spitali shtetëror? Aty ishte me radhë dhe djalit tim nuk i vinte radha as pas 5 muajsh. Ku priste gjendja e tij 5 muaj? Kemi shkuar në privat. Aty trajtimi na ka shkruar 2 mijë euro. Pastaj, nesër (sot), do ta çojmë për vizitën e radhës. Jemi mbytur me borxhe, këtu vdes për shtetërorin. Çdo veprim jemi detyruar ta bëjmë në spital privat. Tashmë po ndiqet nga privati me një terapi intensive. Nesër do ta çoj djalin në Tiranë për terapinë e radhës.

Sa fëmijë ka Florini dhe si e përballon ai jetesën?

Ka tre fëmijë. E përballon ja kështu, sa për mbijetesë. E ndihmoj unë me pensionin tim.

Po sa pension merrni ju që arrini të ndihmoni edhe djalin?

Marr 200 mijë lekë (të vjetër) pension invaliditeti dhe me atë mbaj edhe djemtë e mi. Kam tre djem pa punë në Kukës. Ne mezi jetojmë këtu. Nuk ka vende pune, s’dimë ku të shkojmë e ku të përplasemi… Kjo është e vërteta. Jetojmë në varfëri. Djali e ka edhe gruan pa punë. Jemi në situatë të vështirë.

Gjithë kohën pa punë ka qenë djali?

Jo, ka punuar më parë te Zjarrfikësja. Por kur prefektura i kaloi PS-së, atë ma hoqën nga puna. E hoqën për motive politike, pa dashur ta dinë se po lënë një familje pa asnjë të ardhur

Djali juaj doli në protestë kundër taksës së rrugës me vullnetin e tij apo ia kërkuan të tjerët të dilte?

Djali doli që t’i bashkohej një proteste të ligjshme, që ishte organizuar nga Këshilli Bashkiak, pa dallim partiak. Ishte bërë thirrje që të dilnin kundër kësaj takse dhe mes atyre që dolën ishte edhe ai.

Edhe në banesën tuaj erdhën natën për arrestimin e tij?

Po, kanë ardhur natën, rreth orës 02:30. Erdhën dhe e morën, na traumatizuan të gjithëve atë natë.

 


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas