Presidenti i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare dhe njëkohësisht Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, ka rezultuar pozitiv me COVID, për pasojë është dërguar për kurim në Itali.
Ipeshkvnore Shqiptare bën me dije se gjendja shëndetësore e Massafrës është e qëndrueshme, por ka shfaqur temperaturë të lartë dhe simptomat tipike të virusit. Ai është transferuar për një mjekim më të specializuar në Spitalin “Miulli di Acquaviva delle Fonti” (Bari-Itali).
Njoftimi i plotë:
Pas disa shqetësime shëndetësore, me simptoma virusi Covid-19, si dhe pas ekzaminimeve më të specializuara, Arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult dhe njëkohësisht Presidenti i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare Shkëlqesia e Tij Imzot Angelo Massafra, rezultoi pozitiv, pra i infektuar nga virusi në qarkullim, Sars Covid-19.
Aktualisht gjendja shëndetësore e tija paraqitet e qëndrueshme, përpos disa simptoma tipike të këtij virusi, sikurse është ajo e temperaturës.
Për arsye të parandalimit të simptomave të tjera si dhe për të përballuar sa më mirë pikun e sëmundjes, sot, Shkëlqesia e Tij, Imzot Massafra do të transferohet për një mjekim më të specializuar në Spitalin “Miulli di Acquaviva delle Fonti” (Bari-Itali).
Jemi të sigurt për profesionalizmin e personelit mjeko-sanitar që po ndjek dhe që do të vazhdojë të ndjek ecurinë e sëmundjes së Arqipeshkvit, por i besohemi edhe lutjes së të gjithëve dhe të secilit që mëshira e Zotit të tregohet me hirin e shërimit për të dhe për të gjithë të prekurit nga kjo sëmundje.
Në ditët e ardhshme, duke filluar që nga shtrimi dhe në vazhdim, sapo të kemi njoftime nga drejtoria e spitalit, do informoheni në mënyrë të rregullt.
Zyra e shtypit e KISH-it
Etiketa: Arqipeshkvi i Shkodrës, Covid-19