Insektet nëpër botë po tkurren ndjeshëm dhe ky nuk është një lajm i mirë për botën ku ne jetojmë. Një studim i kohëve të fundit ka treguar se bletët, miliongonat dhe brumbujt po zhduken tetë herë më shpejt se gjitarët, shpendët dhe zvarranikët. Një nga arsyet kryesore për këtë fenomen konsiderohet intensifikimi i bujqësisë, përdorimi i pesticideve dhe ndryshimet klimaterike. “Nëse ikin insektet, praktikisht ikin dhe njerëzit” shprehet kërkuesja Sylvia Myers, e cila shpjegon edhe arsyen se përse ata janë kaq të rëndësishëm.
Sipas saj, insektet janë në fundin e zinxhirit ushqimor dhe prej tyre varen shumë gjallesa, duke përfshirë edhe njerëzit vetë. Insektet konsiderohen tejet të rëndësishëm në prodhimin e ushqimit, për shkak se janë përgjegjës për pllenimin. Rreth 75% e kulturave bujqësore të globit pllenohen prej tyre dhe ndonëse një pjesë përshtatet me ndryshimet e klimës apo urbanizimit, kjo nuk ndodh me të gjithë. Një nga gjërat që njerëzit mund të bëjnë për të frenuar zhdukjen e tyre, sipas Myers, është krijimi i liqeneve të vogla apo pellgjeve sepse shumë insekte e nisin aty jetën e tyre.