Komisioni i Ligjeve “rrëzon” nismën e Ministrisë së Ekonomisë për ndryshimin e gjithë legjislacionit që ka të bëjë me inspektoratet shtetërore në vendin tonë. Si mazhoranca ashtu edhe opozita kanë qenë thuajse në të njëjtin mendim sa i përket anës së teknikës legjislative që ka ndjekur ekzekutivi në paraqitjen e këtij projektligji. Ndaj me konsensus, deputetët e të dy krahëve politikë kanë rënë dakord që draftin e paraqitur për miratim të mos e miratojnë si një të tërë për të 77 ligjet që propozohen të ndryshohen, por si amendamente të veçanta për secilin prej tyre. Shqetësimin e kanë ngritur përfaqësues të të dyja palëve, të cilët e kanë parë jo normale që me anë të një projektligji të propozohen të ndryshohen 77 ligje të tjera. Por ka qenë deputeti demokrat Viktor Gumi ai që me ndërhyrjen e tij ka bindur dhe të gjithë kolegët e tjerë se teknika e propozuar për miratimin e këtij projektligji ishte e papranueshme. “Në aspektin teorik, procesi ligjvënës në Shqipëri udhëhiqet nga një manual legjislativ dhe në asnjë pikë të atij manuali nuk gjendet kjo teknikë që përdoret sot këtu. Një teknikë e tillë nuk shkon drejtë qartësisë së legjislacionit, nuk shkon drejt lehtësisë së legjislacionit dhe drejt përdorshmërisë sa më të thjeshtë. Ligji duhet të zbatohet nga ai që është biznesmen, nga ai që shet në rrugë dhe nga studiot e avokatisë. Ndërkohë, me këtë teknikë që përdorim është tmerrësisht e vështirë të kuptosh kush nen shfuqizohet dhe kush është në fuqi. Pra teknika e përdorur në drejtim është defektoze si në aspektin teorik dhe atë praktik. Ne s’kemi pse shpikim“, – tha Gumi. Arsyetim ky që është mbështetur edhe nga kryetari i komisionit Ilir Rusmali, i cili ka propozuar që ndryshimet e paraqitura me anë të këtij drafti të miratohen si amendamente të veçanta për secilin prej 77 ligjeve që preken nga këto ndryshime. “Zonja inspektore duket se ka konsensus në komision. Nuk është çështje përmbajtjeje, por komisioni është i bindur se kjo teknikë legjislative është e papërshtatshme. Ndaj ai duhet ta vazhdojë rrugën e tij si paketë ligjesh të veçanta. Kjo do të thotë që ne e përcjellim në seancë plenare projektligjin me rekomandimin e komisionit kundër titullit dhe kundër nenit 1 të projektligjit. Neni 1 nuk ka përmbajtje“, – tha Rusmali. Ndërsa Inspektorja e Përgjithshme në Inspektoratin Qendror, Mimoza Hajdarmataj i kujtoi komisionit se nisma para se të vinte në Kuvend është diskutuar dhe ka marrë miratimin e Këshillit të Ministrave. “Për sa kohë kjo është iniciativë e Këshillit të Ministrave dhe është diskutuar dhe është marrë vendim aty, mendoj se vendimmarrja do t’i takojë prapë… Unë do ta përcjell dhe nëse ka reagime dhe nga departamenti juridik i Këshillit të Ministrave”, – tha Hadërmataj.
Opozita
Ndërkohë që deputetët e opozitës veç rezervave të tyre lidhur me anën e teknikës legjislative kanë patur kundërshti të forta dhe për përmbajtjen e tij. Sipas deputetit Pandeli Majko, ndryshimet e ardhura nuk zgjidhin asgjë në aspektin e disiplinimit të këtyre inspektorateve, të cilat sipas tij janë kthyer në një polici elektorale. “Flasim për një reformë që bëhet 3 muaj e gjysmë para datës së zgjedhjeve. Inspektoratet në Shqipëri janë trupa më e korruptuar që ekziston sot në shtetin shqiptar, janë trupa më e politizuar që ekziston sot në shtetin shqiptar, janë policia elektorale më e famshme në territorin shqiptar, dhe nuk mund të vini këtu me 77 ndryshime në 77 ligje për të na thënë se po bëni reformë. Sot ju keni sjellë një riorganizim të trupës elektorale që do përdoret në fushatë elektorale”, – tha Majko. Pavarësisht debateve, komisioni rrëzoi gjatë seancës së djeshme nenin e parë të këtij projektligji, ndërsa nenet e tjera nisi t’i shqyrtojë si amendamente të veçanta për çdo ligj.
Kesaj i thuhet demopkraci ta kundershtosh edhe qevrin po qe nevoja,.por jo si rama te mos voton tre ligjet.kur te thot fyle,kur te thot Obama,kur ter te thojne e ti nuk voton kesaj i thon I QMENDUR.