Pavarësisht ndryshimit të strukturës së të punësuarve në administratë, shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë për një rritje të të punësuarve me afërsisht 14 mijë në tremujorin e tretë të 2011-ës, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Sipas raportit të INSTAT-it, të publikuar për tremujorin e tretë të vitit që lamë pas, në vend rezultojnë 929 866 të punësuar nga 915 981 që rezultonin në tremujorin e tretë të vitit 2010. Rritja e numrit të të punësuarve ka ardhur si rezultat i hapjes së vendeve të punës në sektorin privat jobujqësor. Një rënie e papunësisë në masën 0.01 % është vënë re për tremujorin e tretë të 2011-ës, në krahasim me tremujorin paraardhës. Të dhënat e publikuara të INSTAT-it tregojnë se gjatë tremujorit të tretë 2011, forca e punës është 1 071 948 persona, ndërsa shkalla e papunësisë së regjistruar është 13.25%, nga 13,26 % që shënonte tremujori paraardhës. Në sektorin shtetëror nuk është çelur asnjë vend i ri pune. Në këtë sektor numërohen po aq të punësuar sa në tremujorin paraardhës, 165 mijë ose 1600 më pak të punësuar se në tremujorin e tretë të 2010-ës. Kurse për sa i përket sektorit privat jobujqësor, i cili ka nxitur rritjen e punësimit në vend për tremujorin e 2011-ës, janë shënuar 258 202 të punësuar, nga 257 849 që ishin në tremujorin e dytë të 2011-ës, pra 353 vende të reja pune ose 15 483 më shumë të punësuar se në tremujorin e tretë të vitit 2010. Nga publikimi i INSTAT-it rezulton se në tremujorin e tretë të 2011-ës janë numëruar 142 082 të papunë të regjistruar ose 14 persona më shumë të regjistruar si të papunë. Në tremujorin e dytë, numri i të papunëve të regjistruar ishte 142 068. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2010-ës, janë 1136 më pak të papunë. Duke iu referuar po të dhënave të INSTAT-it, numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor për tremujorin e tretë 2011 është 506 664. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor është rritur me 6.38 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Numri mesatar i të papunëve të regjistruar gjatë tremujorit të tretë 2011 është 142 082, ndërsa numri mesatar i të papunëve që përfitojnë pagesë papunësie është 8 408. Niveli mesatar i ndihmës së pjesshme ekonomike është 3 390 lekë, ndërsa niveli i ndihmës ekonomike të plotë është 4 195 lekë. Paga minimale, me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 527, datë 20/07/2011, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, është 20 000 lekë. Niveli bazë i pagesës së papunësisë me VKM Nr. 562, datë 3/08/2011, është 6 850 lekë.
Trem.2/11 Trem3/11
Paga mesatare në sektorin shtetëror 45,500 47,660
Paga minimale e miratuar 19,000 20,000
Pagesa e papunësisë 6,565 6,850
Ndihma ekonomike mesatare për një familje
Ndihma e plotë 4,190 4,195
Ndihma e pjesshme 3,386 3,390
PUNËSIMI
Forca e punës 1,071,581 1,071,948
– Të punësuar 929,513 929,866
a) në sektorin shtetëror 165,000 165,000
b) në sektorin privat jobujqësor 257,849 258,202
c) në sektorin privat bujqësor* 506,664 506,664
PAPUNËSIA
Të papunë të regjistruar 142,068 142,082
Përfitues të pagesës së papunësisë 7,979 8,408
SHKALLA E PAPUNËSISË
Shkalla e papunësisë 13.26 13.25