Paketa e kushteve gjermane për integrimin mund të jetë mundësia e fundit që i jepet Shqipërisë për të avancuar në rrugën e integrimit europian, dhe sidomos për zgjidhjen e krizës së rëndë politike. Një çelje negociatash me detyra dhe urdhëresa të forta me 9 kushte, e ka mbajtur vendin tonë në agjendën e BE-së, pas disa vitesh shtyrje. A do të ketë një pakt kombëtar për integrimin dhe a ka më skepticizëm europian për Shqipërinë pas vendimit gjerman?! Flasin për gazetën Mapo, Bashkim Zeneli, Marko Bello dhe Neritan Sejamini.
Gjermania më në fund e hapi “dritën jeshile” për çeljen e negociatave, edhe pse me kushtetë forta për kalimin e rrugës deri në nisjen reale të bisedimeve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Pas 6 vitesh pritje, Shqipëria pret më në fund të marrë një “Po” përfundimtare nga Këshilli Europian i ministrave të jashtëm të BE-së në 18 Tetor, por… Ka gjithmonë një “por” ku vjen fjala për vendin tonë.
Zyrtarët shqiptarë e kanë trajtuar deri më tani çështjen e negociatave si një çështje të brendshme të BE-së. Disa herë kryeministri Rama ka artikuluar në qëndrimet e tij se qeveria i ka kryer detyrat dhe mbetet në vullnetin e Europës çelja e negociatave.
Por në fakt paketa gjermane me kushtet konkrete të vendosura për qeverinë e tij tregoi të kundërtën. Gjermanëve dhe me gjasë dhe vendeve të tjera skeptike brenda BE-së do u duhet të durojnë “dhimbjet e stomakut” ( për të perifrazuar një deputet gjerman) që të hapin derën për Shqipërinë.
Dhe ky skepticizëm tashmë është e qartë se s’ka të bëjë vetëm me problemet “brenda shtëpisë”, pra frikën nga zgjerimi, por kanë të bëjnë më së pari me problemet në vendet që kërkojnë të hyjnë në shtëpinë europiane.
Mungesa e institucioneve të drejtësisë, mosrealizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, shembuj të qartë të luftës ndaj korrupsionit etj., janë probleme shqiptare që na mbajnë larg standardeve europiane. Shtoi kësaj tabloje dhe krizën politike.
Paketa me 9 detyra shtëpie, ku shmanget fraza “krizë politike”, duket se në të vërtetë se është pikërisht paketa e zgjidhjes së kësaj krize që mban të mbërthyer vendin që prej muajit shkurt.
Sinjali i parë u dha me pjesëmarrjen e opozitës në një tryezë të OSBE-së për reformën zgjedhore, si një hap drejt garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, një prej shkaqeve që nxori opozitën në protesta.
Stacioni i 18 tetorit duket se kjo është mundësia e fundit për të kapur trenin e vonuar të integrimit, një rrugëtim i gjatë që ka nisur që në vitin 2006 me marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit.Për t’u ngjitur në këtë tren Shqipëria ka një valixhe të rëndë me detyra shtëpie të vendosura nga Budenstagu gjerman, detyra që me gjasë do të përkrahen dhe nga Franca e vende të tjera skeptike për integrimin e Shqipërisë.
A do të dijë Shqipëria ta lexojë si duhet mesazhin gjerman dhe të sillet me përulësi ndaj të ardhmes së saj europiane? A do të ketë një marrëveshje kombëtare mes mazhorancës dhe opozitën për hir të integrimit? Mapo bisedoi me diplomatin e njohur Bashkim Zeneli, që ka shërbyer për një kohë të gjatë si ambasador në Gjermani, me ish-ministrin e Integrimit Marko Bello dhe analistin Neritan Sejamini, drejtues i Exit.al
Bashkim Zeneli: Duhet një pakt kombëtar për integrimin
“Gjermania të mbështet, por nuk të llaston”, thotë ish-ambasadori Bashkim Zeneli, diplomat i njohur dhe “Mjeshtër i madh”, në një intervistë për Mapo-n, duke komentuar kushtet gjermane për negociatat. “Nuk ka qenë aspak pozitive, aspak e përgjegjshme që shtetarë, politikanë, të deklaronin gjatë gjithë kësaj periudhe se ‘ne i kemi plotësuar detyrat, Europa duhet të na hapë dyert’, thotë ai duke propozuar një bashkëpunim politik në interes të integrimit të vendit.
-Çelja e negociatave me Bashkimin Europian më 18 Tetor duket se do të realizohet, por do të qëndrojnë në fuqi kushtet e vendosura nga Gjermania. Si e lexoni ju si diplomat këtë vendim?
Natyrisht e vlerësoj si një vendim mjaft pozitiv për Shqipërinë, si një ‘dritë jeshile’ që i hapet vendit tonë në procesin e integrimit europian. Gjermania ka luajtur dhe luan një rol shumë të madh në proceset e integrimit, në mënyrë të veçantë të Ballkanit Perëndimor. I ka dhënë një mbështetje të madhe Shqipërisë në këtë proces dhe në vetvete është një lokomotivë e zhvillimit europan dhe një “Po” e Gjermanisë, qoftë dhe me kushte, është mjaft pozitive.
Na është hapur ‘drita jeshile’, por ne duhet t’i bëjmë detyrat brenda dritës jeshile që mos të na vijë drita portokalli apo e kuqja.
Sepse kemi kohë, për të mos thënë, 2-3 vitet e fundit, po sidomos vitin e fundit, që qeverisja, politika në përgjithësi, mazhoranca, duket sikur e ka fjetur mendjen që tani ne presim vetëm të na hapen negociatat me pretendimin se ne i kemi bërë detyrat. Nuk ka qenë aspak pozitive, aspak e përgjegjshme që shtetarë, politikanë të deklaronin gjatë gjithë kësaj periudhe se ‘ne i kemi plotësuar detyrat, Europa duhet të na hapë dyert’. Kështu kanë deklaruar dhe disa zyrtarë europianë.
Natyrisht ata kanë dashur të na inkurajojnë, duhet t’u jemi mirënjohës, por ne duhet të jemi me këmbë në tokë. Nuk është nevoja t’i numërojmë se kemi 5, 7 apo 10 detyra, nuk jam dakord as me përfaqësues të opozitës që thonë ‘ka pasur 5 e tani janë bërë 9’, rëndësi ka që ne kemi detyra, të jemi të ndërgjegjshëm që kemi detyra, të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve, para popullit, para atyre që kanë votuar këtë qeveri, që nuk i kemi bërë si duhet detyrat.
Të mos harrojmë që nuk janë vetëm këto kushtet që na u thanë nga Bundestagu Gjerman, deputetë gjermanë, personalitete të politikës gjermane kanë ardhur në Shqipëri vitin e kaluar dhe kanë bërë vërejtje. Më vjen keq të them që kur Gunther Krichbaum, një deputet mjaft i njohur në Gjermani, i cili erdhi vitin e kaluar bëri disa vërejtje dhe tha ‘duhet të bëni më mirë detyrat’,një ish-ministër i kësaj qeverie tha se ai nuk ka ardhur nga CDU-ja, por nga Fondacioni Konrad Adenauer’. Pra, është një papërgjegjësi e madhe. Në vend të thonim; ‘faleminderit, do t’i realizojmë këto vërejtje’.
Pastaj i marrim gjërat lehtë sikur na ka borxh Europa, sikur na ka borxh Gjermania. Gjermania të mbështet, por Gjermania nuk të llaston. Ne filluam të llastohemi.
Mos harrojmë edhe kur ish-presidenti i BE-së, Junker, para 4 vitesh deklaroi se nuk do të ketë zgjerim të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor ishte kancelarja Merkel ajo që mori nismën e Berlinit. Nuk është një nisëm që ka dhënë ndonjë rezultat, siç pritej, sidomos në aspektin ekonomik, por e mbajti Ballkanin të mobilizuar se ka një perspektivë europiane. Mos harrojmë, siç thonë gjermanët, integrimi nuk është një rrugë njëkalimëshe, është dykalimëshe, do bëjmë detyrat, por dhe do të na mbështesin.
-A mund ta shohim dokumentin gjerman si udhërrëfyes për të dalë nga kriza politike ku gjendet vendi ynë sot? Pra, në këtë mënyrë gjermanët po japin rrugën e daljes nga kriza?
Këto detyra nuk janë një gjë e re, i dinin të gjithë. Këto detyra i njihnim, por është folur me eufori se janë plotësuar detyrat dhe dyert duhet të na hapen. Kujtonim se do i kërkonim hesap Europës, ‘na fut në gjirin tënd pa i plotësuar’. Europa është ideal, është frymë, nuk është integrim mekanik. Por ne nuk i kemi bërë detyrat, nuk i ka bërë mazhoranca që ka përgjegjësinë e votës popullore, por nuk i ka bërë as opozita.Nuk mund të durohen në papërgjegjshmërinë e tyre politikanë amatore arrogantë e injorantë të të dy krahëve.
Përfaqësues të opozitës bëjnë deklarata “kjo është shuplakë e madhe, grusht i madh, hap prapa”. Zotërinj, integrimi në Europë nuk është as për partinë socialiste dhe as për qeverinë e Edi Ramës, po do të integrohet Shqipëria dhe kontributi duhet të jetë i përbashkët. Ne duhet të kemi një guidë, duhet të kemi një hartë bashkëpunimi, një agjendë të përbashkët. Kjo është një përgjegjësi kombëtare. Edhe në këtë rast ne duete të mësojmë nga vetë Gjermania. Në prag të rënies së Murit të Berlinit dhe sidomos në 329 ditët që çuan drejt bashkimit të Gjermanisë mes qeverisë së Kancelarit Kohln dhe opozitës socialdemokrate u arrit një pakt shumë i përgjegjshëm. Pra, duhet jo vetëm bashkëpunim, por duhet më pak spektakël qeveritar, më pak eufori, të jemi më racionalë. Disa ministra e zyrtarë duket sikur flasin me fëmijë kopshti kur u flasin qytetarëve.
-A mund të rrezikohemi nga një “Jo” franceze në këtë pikë apo do të jetë në koherencë me vendimin gjerman?
Jam disi skeptik për një arsye të vetme sepse presidenti francez Macron në Samitin e Sofies të BE-së deklaroi në një mënyrë disi edhe pak të papërgjegjshme që ne nuk do të merremi më me zgjerimin europian se vetë BE ka probleme. Më duket një deklaratë e nxituar sepse vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë zgjedhur rrugën e tyre dhe mbështetja e BE-së duhet të jetë e pakursyer, natyrisht duke na kujtuar bërjen e detyrave. Po ashtu, në një intervistë në kuadër të pjesëmarrjes në OKB Macron deklaroi se shqiptarët po na krijojnë probleme me emigrimin. Nga Franca duhet një mbështetje më konkrete, më hapur, më bindëse dhe duhet ndjekur shembulli i Gjermanisë.
Më 22 janar 2011 është nënshkruar traktati mes Gjermanisë dhe Francës, ku ideja themelore është përgjegjësia e përbashkët për Europën dhe ky traktat është i dyti që nga paslufta, 56 vite më parë në 22 janar 1963 u firmos nga Konrad Adenauer dhe De Gol.
Mendoj që duhet ta marrin këtë përgjegjësi për Europën se ne jemi pjesë e Europës dhe nuk janë fajtor shqiptarët për problemet e Europës. Uroj që të thotë një “Po”, qoftë dhe ajo me kushtet e Gjermanisë sepse duke iu bashkangjitur kushteve gjermane do ta zgjerojë frontin kritik ndaj politikës shqiptare.
-Po nga vende të tjera skeptike si Holanda, apo edhe nga Greqia, pas një deklarate të kryeministrit të ri se do ta kushtëzonte vendimin me minoritetin grek?
Nuk besoj që Holanda pas një “Po”-je bindëse nga Gjermania do të bëhet shkak për bllokimin e negociatave. Ndërsa përsa i takon deklaratës së kryeministrit të ri grek për plotësimin e kushteve të minoritetit dua të theksoj se Greqia e ka mbështetur vazhdimisht Shqipërinë, s’ka pasur rezerva në proceset e saj integruese. Madje them me bindje se Samiti i Selanikut 2013 ka qenë një model në kuadër të perspektives europiane të vendeve të Ballkanit. Minoriteti grek i ka gëzuar të gjitha të drejtat e ligjshme në Shqipëri.
Marko Bello: Dokumenti gjerman, një “Po” formale, një “Jo” substanciale
Negociatat me BE-në dhe zgjidhja e krizës politike mbeten në dorë të vullnetit të klasës politike shqiptare, mendon ish-ministri i Integrimit Europian, Marko Bello. Sipas tij “Po”-ja gjermane është vetëm një nxitje që të shkojmë drejt një pakti kombëtar për integrimin.
– A mund ti shohim kushtet gjermane për hapjen e negociatave si udhërrëfyes për të dalë nga kriza politike ku gjendet vendi ynë sot?
Tani kur duhen edhe pak ditë nga 18 tetori, të gjithë presim me padurim vendimin e Këshillit Europian, duke shpresuar që Shqipërisë do t’i hapet drita e gjelbër e nisjes së negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian. Gjykuar nga vendimi i grupit parlamentar CDU-CSU që ka mazhorancën e Bundestagut bashkë me Socialdemokratët (SPD), duket se do të kemi një “Po” formale për Shqipërinë dhe një “Jo” substanciale, në kuptimin se vendimi i Gjermanisë pasohet nga 9 kushte që kërkojnë jo vetëm kohë, por edhe konsensus të gjerë politik në Shqipëri. Gjithsesi ka një lëvizje të vogël pozitive, krahasuar me pozicionimin e vjetshëm të Gjermanisë. Me ankth pritet edhe vendimi i Francës dhe Holandës, dy vende themeluese të Unionit, të cilat vitin e kaluar bllokuan avancimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Është ende shpejt të themi nëse po-ja e kushtëzuar gjermane do të shoqërohet me një vendim të ngjashëm nga Franca e Holanda dhe nëse këto kushtëzime do të ndihmojnë ose jo daljen e vendit tonë nga kriza politike. Gjithçka do të varet edhe nga vullneti i klasës sonë politike, sa e gatshme është mazhoranca dhe opozita të tërhiqen nga llogoret e tyre dhe të afrohen drejt një kompromisi që do t’i shërbente vendit që të mos vijojë të humbasë kohë pafund dhe të mund të integrohet në BE brendaviteve të ardhshme.
– A është e aftë tani Shqipëria të plotësojnë nëkohën e duhur kushtin themelor, të ngrejë Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, apo do zvarritemi pa fund të rrugën e integrimit?
Kushtet e Gjermanisë, sado të vështira që janë, mund të kapërcehen nëse ekziston vullneti i duhur i klasës politike, sidomos Qeverisë, Parlamentit dhe institucioneve ligjzbatuese. Është rasti të kuptohet njëherë e mirë se vendet anëtare presin rezultate konkrete nga lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe avancim më të shpejtë të Reformës në Drejtësi. Ka pritshmëri të lartë jo vetëm nga qytetarët, por edhe miqtë e partnerët perëndimorë të Shqipërisë. Duhet ritëm tjetër dhe qasje realiste. Duhen vënë realisht interesat e vendit mbi ato partiake. Koha ecën dhe Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë më kohë me retorika dhe simulime për gjoja reforma. Pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria duket se ka ngelur në vend, ndërkohë që vendeve ish-komuniste iu deshën 4-5 vite nga anëtarësimi në NATO drejt anëtarësimit në BE. Po mbushen 3 dekada që nga rënia e komunizmit dhe thirrja e studentëve se e duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe hapat kanë qenë si të breshkës. Enough is enough!
-Thelbin e kushteve e përbëjnë zgjedhjet dhe vota e lirë. A ka garanci që një reformë e re zgjedhore do të sjellë zgjedhjet e lira e të ndershme?
Dështimi për të realizuar zgjedhje të standarteve europiane është një nga pikat e dobëta që e bën me turp klasën politike shqiptare. Është e pafalshme se me gjithë ndryshimet e kodit zgjedhor, ne sërish nuk arrijmë të prodhojmë zgjedhje të lira e të ndershme. Dallojmë nga krejt rajoni ynë, ndaj ka ardhur momenti që të dëshmojë se jemi në gjendje të sillemi si europianë: të respektohet vullneti i elektoratit dhe të pranohet rezultati nga të gjithë. Zgjedhjet duhet të çlirohen nga diktati i partive politike. Ata që garojnë nuk duhen lejuar t’i numërojnë vetë votat. Nuk është çështje e sistemit zgjedhor, pasi i kemi provuar të gjitha modelet zgjedhore, duhet t’i konsiderojmë zgjedhjet si një garë dhe jo mjet për të shtënë në dorë me çdo kusht pushtetin.
-Dhe së fundmi, meqë u zgjidh “problemi gjerman” a mund të priten surpriza të tjera nga shtete të tjera të BE-së në vendimmarrjen finale për Shqipërinë?
E përsëris se ka rëndësi që të gjitha vendet të arrijnë konsensusin e kërkuar për të mos e penguar më Shqipërinë dhe shqiptarët për të nisur bisedimet për anëtarësim përfundimtar në BE. E në këtë rast, me rëndësi është qëndrimi i Francës dhe Holandës, të cilat për arsye nga më të ndryshmet e kanë bllokuar procesin e zgjerimit të Unionit. Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe është edhe në interesin e BE që rajoni të inkurajohet dhe mbështetet për të plotësuar kushtet e vendit anëtar. Nga ana e saj, Shqipëria duhet të nxitojë, pra mazhoranca dhe opozita të reflektojnë dhe të bëjnë gjithçka për të plotësuar kushtet dhe bindur me vepra e jo me fjalë edhe ato vende skeptike. Ka nevojë për një Pakt të madh kombëtar, duhet gjetur me çdo kusht konsensusi, qoftë edhe duke shkuar në zgjedhje të parakohshme. Rëndësi ka të realizohet objektivi strategjik kombëtar, integrimi në BE brenda dekadës së ardhshme.
Neritan Sejamini: Kushtet gjermane mund të nxisin zgjidhjen e krizës politike
Paketa gjermane e kushteve për integrimin mund t’i shërbejë politikës shqiptare për të dalë nga kriza e saj, por vendi ka një krizë më të thellë që kërkon reflektim. Kështu shprehet Neritan Sejamini, drejtues i Exit.al për gazetën Mapo duke propozuar një reflektim më të thellë të politikës.
-Çelja e negociatave me Bashkimin Europian më 18 Tetor duket se do të realizohet, por do të qëndrojnë në fuqi kushtet e vendosura nga Gjermania. A mund ta shohim dokumentin gjerman si udhërrëfyes për të dalë nga kriza politike ku gjendet vendi ynë sot?
Varet se çfarë kuptojmë me krizë. Nëse krizë konsiderojmë thjesht daljen e opozitës nga Kuvendi dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale, si reagim ndaj grabitjes në bashkëpunim me krimin të zgjedhjeve nga shumica socialiste, kushtet e Gjermanisë mund të përbëjnë një nxitje për zgjidhjen e saj. Veçanërisht, ato do të ushtrojnë trysni për të nxjerrë drejtësinë nga kriza institucionale e ardhur nga mungesa e gjykatave të larta, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit.
Por kriza që kalon sot vendi është krizë shumë më e thellë. Është një krizë e përgjithshme e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të cilat janë zëvendësuar me pushtetin e pakontrolluar autokratik të kryeministrit. Në themel të kësaj krize është gjendja e partive politike. Partitë politike shqiptare janë përgjithësisht institucione autokratike, pa demokraci të brendshme, pa transparencë dhe pa llogaridhënie. Në mënyrë të veçantë, sëmundja më e rëndë e partive është financimi në mënyrë të paligjshme nga interesa privatë apo kriminalë. Parti të tilla prodhojnë qeveri të kapura nga interesa private dhe kriminale që sjellin një qeverisje gjithashtu të kapur nga interesa private dhe kriminale. Zgjidhja e kësaj krize kërkon një reflektim të thellë dhe reformim të vetërregullimit kushtetues politik dhe qeverisës së vendit.
— A është e aftë tani Shqipëria të plotësojnë nëkohën e duhur kushtin themelor, të ngrejë Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, apo do zvarritemi pa fund të rrugën e integrimit?
Formalisht një pjesë e madhe e këtyre kushteve do të realizohet shumë shpejt, brenda pak muajsh, veçanërisht krijimi i gjykatave të larta dhe kushtetuese, dhe institucioneve të tjera të sistemit të drejtësisë. Jam i bindur se do të ketë edhe disa hetime politikanësh të lartë me krijimin e SPAK-ut. Po prapë, këto janë arritje formale, arritjet e mirëfillta kërkojnë një vullnet dhe përkushtim të fortë politik. Megjithë propagandën se SPAK do të çrrënjosë krimin dhe korrupsionin, krimi dhe korrupsioni më Shqipëri do të fillojë të luftohet vetëm kur në pushtet do të vijë një grup njerëzish, të cilët nuk janë të kapur nga interesat private dhe kriminale dhe nuk kanë për qëllim pasurimin personal. Vetëm një qeveri e tillë do të fillojë të pastrojë politikën dhe vendin nga krimi dhe korrupsioni.
-Thelbin e kushteve e përbëjnë zgjedhjet dhe vota e lirë. A ka garanci që një reformë e re zgjedhore do të sjellë zgjedhjet e lira e të ndershme?
Si në çdo gjë ndryshimi nuk vjen menjëherë dhe nuk vjen pa vështirësi. Në Shqipëri nuk ka për të pasur zgjedhje krejtësisht të lira dhe të ndershme menjëherë. Ky është një proces gradual që kërkon vullnet politik dhe kërkon përparim në shumë drejtime që të arrihet. Natyrisht një ligj më i përshtatshëm për kushtet shqiptare mund të ndihmojë për të sjellë përmirësime, po kaq nuk mjafton. Është e nevojshme që të ndryshojë administrimi partiak i zgjedhjeve, të ndryshojë natyra klienteliste e partive politike në të cilat militantët punojnë për të fituar zgjedhjet që të punësohen në mënyrë masive në administratën publike. Mbi të gjitha duhet të zgjidhet problemi i financimit të partive politike, përfshi fushatat e tyre zgjedhore.
-Dhe së fundmi, meqë u zgjidh “problemi gjerman” a mund të priten surpriza të tjera nga shtete të tjera të BE-së në vendimmarrjen finale për Shqipërinë?
Me gjasa nuk do ketë surpriza. Gjermania ka arritur një konsensus me Francën dhe Hollandën për të miratuar hapjen e negociatave në Këshillin Europian të Tetorit me kushtin që Komisioni Europian të mos ulet në tavolinë me qeverinë shqiptare pa u plotësuar kushtet që tashmë janë publike.
/GAZETA MAPO