Kryesore

INTEGRIMI/ Bllokimi i reformave, Shqipëria mbetet pas Maqedonisë së Veriut








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:57 - 11/08/20 |
mapo.al

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të jenë më në një hap, në rrugën e tyre të integrimit evropian. Sussane Schutz, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Federale në Gjermani, vendi që ka presidencën e Këshillit të BE e ka bërë të qartë se nëse nuk përmbushen reformat, konferenca e parë ndërqeveritare do të jetë vetëm me Maqedoninë e Veriut. Reforma Zgjedhore, Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit mbeten ende sfida për integrimin.


Në një intervistë për BIRN, Sussane Schutz, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Federale në Gjermani, thotë ndër të tjera se synimi i presidencës gjermane të këshillit të BE-së është që konferenca e parë e anëtarësimit do të zhvillohet me Maqedoninë e Veriut. Ndërsa për Shqipërinë Schutz sjell në vëmendje kushtet e integrimit, për zhvillimin e konferencës së anëtarësimit.


“Ne duam ta vazhdojmë këtë dinamikë pozitive. Kjo do të thotë, para së gjithash, se duhet të vazhdohen të hidhen themelet për bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke përfunduar strukturat e bisedimeve. Ne synojmë të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe, nëse plotësohen kushtet, gjithashtu edhe me Shqipërinë gjatë presidencës sonë të Këshillit”, tha Schutz.


Kujtojmë se Gjermania këtë gjashtëmujor është në drejtim të Presidencës së Këshillit të BE, pra është diplomacia gjermane ajo që përcakton agjendën e organit më të lartë drejtues të BE-së.


Reformat gjyqësore në thelb të procesit të zgjerimit të Shqipërisë
Reformat në sistemin e drejtësisë, si dhe reforma në ligjin zgjedhor janë identifikuar si përparësi për Shqipërinë nga Gjermania dhe BE-ja, tha ajo. “Që prej ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016, ne kemi parë që Reforma në Drejtësi, përfshirë vettingu i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, është tepër sfidues”, shtoi ajo.

Është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, i cili ka çuar përkohësisht edhe në një mosfunksionim të pjesshëm të gjyqësorit. Megjithatë, ne jemi të bindur se nuk ka asnjë alternative për këtë proces thelbësor. Pasi të përfundojë, sundimi i ligjit në Shqipëri do të forcohet në të mirë të popullit shqiptar”, vazhdoi ajo.

Gjermania po vëzhgon gjithashtu reformat zgjedhore në vend, si edhe zhvillimet rreth legjislacionit të ri për median që qeveria e sheh si një mundësi për të rregulluar hapësirën në internet, por që kritikët e shohin gjithashtu si një përpjekje për të frenuar lirinë e medias.

Liria e medias është një temë shumë e rëndësishme për qeverinë gjermane në përgjithësi dhe sigurisht edhe gjatë presidencës sonë të Këshillit Europian”, tha Schutz.

Një media e lirë dhe e pavarur është shtylla e çdo demokracie të gjallë. Kjo është arsyeja pse liria e shtypit dhe e medias është gjithashtu shumë e rëndësishme në procesin e pranimit”. “Projektligji i ri për median në Shqipëri nuk pasqyron ende standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, paralajmëroi ajo.

“Ne e shohim mendimin e fundit nga Komisioni i Venecias si një udhëzues adekuat për punën në vazhdim brenda parlamentit shqiptar për të përmirësuar projektligjin, sidomos në lidhje me përcaktimin e fushës së tij, proporcionalitetin e gjobave dhe pavarësinë e organeve të AMA-s (Autoriteti i Mediave Audiovizive i ngarkuar me monitorimin e ndryshimeve të planifikuara). “Raporti i fundit i përkohshëm i Komisionit Europian me të drejtë e cilësoi projektligjin si të mangët në fusha të caktuara dhe jo plotësisht në përputhje me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira në lidhje me lirinë e shtypit dhe medias. Përmirësimi i ligjit në këto aspekte do të ishte një hap inkurajues në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, tha ajo.

Procesi i pranimit ofron udhëzime: Kapitulli 23 për sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore, i cili përfshin lirinë e medias, është një shtyllë e rëndësishme e këtij procesi. Si një nga dy kapitujt më të rëndësishëm, ai do të përcaktojë ritmin me të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor i afrohen më pranë BE-së”, përfundoi Schutz.

Gjipali: Integrimi Europian, peng i reformave të pambyllura
Në vendin tonë disa nga reformat kryesore të kërkuara nga Bashkimi Europian ende nuk janë përmbyllur. Kanë mbetur edhe pak javë nga afati për një raport të ri mbi zhvillimet në Shqipëri, por ekspertë të çështjeve të integrimit pohojnë se Reforma Zgjedhore ende nuk është përmbyllur me mirëkuptimin e palëve politike.

Drejtuesi i Lëvizjes Europiane të Shqipërisë, Gledis Gjipali, thotë se Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur me zbatimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian, ndërkohë që edhe pritshmëritë e qytetarëve ndaj integrimit europian janë të larta. Mbyllja e sesionit parlamentar solli një qetësi sipërfaqësore në skenën politike të Tiranës, ku sfidat e reformave dhe integrimit janë ende të hapura për t’u fituar.

Eksperti i çështjeve të integrimit, Gledis Gjipali, thotë që ndonëse vendimi pozitiv u mor qysh në mars, Shqipëria është në një fazë pritjeje për hapjen e vërtetë të negociatave me BE-në, por ka një seri detyrash për të realizuar; Reforma Zgjedhore ka mbetur pa përfunduar, priten më shumë rezultate në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe përparimi i reformës në sistemin e drejtësisë dhe i procesit të vettingut.

Për të gjitha këto do të duhet të kemi një progres të mjaftueshëm që në vlerësimin e Komisionit në tetor të kemi një rekomandim të fortë pozitiv, ku të thuhet që Shqipëria po ecën përpara, në mënyrë që edhe vendet anëtare të hapin dritën jeshile për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare, me të cilën nisin realisht negociatat. Duhet shfrytëzuar edhe periudha e presidencës gjermane, e cila është e përkushtuar të shtyjë procesin përpara për Shqipërinë dhe Maqedoninë, por duhen kryer detyrat e shtëpisë, të cilat janë vështirësuar disi në këtë situatën e COVID-it” – tha zoti Gjipali.

Ai shtoi se pandemia ngadalësoi disa procese, por kjo nuk do të thotë që punët të bëhen ngadalë dhe të humbet kohë, sepse bisedimet politike u kryen dhe pritet një rezultat më i mirë me mirëkuptim.

Viti zgjedhor po afron dhe nuk ka më kohë për mbylljen dhe zbatimin e reformës zgjedhore, në të kundërt, nëse nuk merret tani një vlerësim pozitiv nga BE, atëherë do të humbasë edhe një vit tjetër në këtë proces.

Kemi vetëm një mundësi të shkurtër kohore deri në dhjetor të këtij viti për të arritur rezultatet e duhura për të patur mundësinë e mbajtjes së kësaj konference ndërqeveritare, përndryshe do të jetë një vit i humbur dhe do të na duhet të presim shtatorin ose shtatorin e vitit tjetër, sepse në pranverë mund të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe nga ana e BE-së nuk pritet të ketë një hap të tillë të rëndësishëm. Kur ka zgjedhje, proceset e tjera ndalojnë, sepse merr përparësi fushata elektorale dhe mos përdorja e çështjeve të rëndësishme për fushatë elektorale” -tha zoti Gjipali.

Reforma Zgjedhore me mirëkuptim është një nga përparësitë kryesore për të hapur negociatat me BE, por ky proces është në mes të tij, thotë studiuesi i çështjeve të integrimit, ndaj duhet që procesi të përmbyllet dhe konsensusi të arrihet sa më shpejt, si po kërkon edhe BE.

“Sipas diplomatëve ndërkombëtarë, duhet patjetër të gjendet konsensusi me të gjithë forcat politike. Deri më sot nuk e kemi, por që gjithë kjo reformë të përmbyllet nevojitet konsensusi i të gjithëve. Shpresoj që në dy muajt në vazhdim të mundet të arrihet kompromisi, ndryshe do të jetë tepër vonë të arrihet një rezultat në funksion të integrimit europian” – tha zoti Gjipali.

Studiuesit e pavarur të procesit të integrimit mendojnë se nga janari e deri sot partitë politike kanë humbur 8 muaj me Reformën Zgjedhore, e cila u duk në fillim si më e lehta. Por ndërkohë janë në tryezë edhe shumë detyra të tjera shumë herë më të vështira si lufta nga krimit të organizuar dhe korrupsionit, ngritja e institucioneve të reja në sistemin e drejtësisë, dhe ecja përpara në procesin e vettingut të gjyqtarëve.

Nevojiten rezultate, pohojnë ekspertët, ndryshe Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut në këtë proces të integrimit dhe mbetet një vit prapa saj.


Etiketa: , , , ,

Pas