Para disa ditësh është publikuar një deklaratë e presidencës së re të Bashkimit Europian lidhur me interesat dhe synimet e saj për integrimin e Ballkanit Perëndimor brenda unionit. Ashtu siç është pritur, sërish është theksuar interesi reciprok për integrimin e vendeve të këtij rajoni brenda strukturave europiane si dhe janë përsëritur kriteret që duhen plotësuar, kryesisht vetëm kushtet që janë të njëjta për të gjitha këto shtete.
Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, konsolidimi dhe zhvillimi i institucioneve demokratike, reforma në administratë publike, respektimi i medias dhe shoqërisë civile, fqinjësia mirë dhe bashkëpunimi rajonal, vazhdojnë të mbeten çështjet ku Europa po kërkon një progres më të madh për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kushtëzimet në këto pika nuk duhen parë ekskluzivisht vetëm në kuadër të rrugës për anëtarësim në BE, por gjithashtu edhe si një përpjekje vetanake për t’i jetësuar vlerat europiane në këtë rajon, meqë çështjet e demokracisë dhe lirisë, janë vlera shoqërore para se të jenë edhe kauza dhe kritere politike.
Parë në tërësi, synimet e presidencës së re janë në linjë me agjendën paraprake dhe nuk ka ndonjë ndryshim substancial sa i takon strategjisë, metodologjisë së integrimit apo vendosjes së ndonjë kriteri shtesë për rrugën europiane të shteteve përkatëse. Megjithatë, në këtë publikim ekzistojnë së paku tri çështje që janë të një rëndësie tjetër ose që kanë një trajtim të ri ndryshe prej herëve të tjera.
Së pari, për mungesën e vendimeve nga Bashkimi Europian për proceset e caktuara me vendet e Ballkanit Perëndimor vërehet një premtim në frymë, theksohet perspektiva e tyre, por pa asgjë konkrete në nivel datash a samitesh. Ta zëmë, shprehet shqetësimi që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk i janë hapur negociatat pavarësisht progresit të kërkuar. Mirëpo, vetëm kaq, nuk vazhdohet me asnjë premtim konkret kur mund të ketë vendim për këtë proces. Njëjtë edhe për Liberalizimin e Vizave për Kosovën. Thuhet se do të ketë angazhim për ta dërguar procesin para, por nuk ka asgjë specifike.
Së dyti, në këtë publikim mungon plotësisht përmendja e dialogut Kosovë-Serbi, që lirisht mund të konsiderohet edhe si mungesë e befasishme, marrë parasysh investimin ndër vite të Bashkimit Europian për këtë proces si dhe në veçanti betejën e viteve të fundit me SHBA-në për primatin e ndërmjetësimit. Mbase ky është një sinjal se dialogu gjendet në një situatë kaotike dhe se një epilog për të është ende larg.
Së treti, vlen të përmendet theksimi i rëndësisë që i është dhënë bashkëpunimit rajonal. Natyrisht se bashkëpunimi rajonal ka qenë gjithmonë një kriter për ndërtimin e raporteve me Bashkimin Europian megjithatë kësaj radhe kemi të bëjmë me një kërkesë specifike në kuadër të këtij kushti. Përmendet Samiti i Berlinit më 4 Korrik ku unioni shpreh optimizmin e tij se mund të ketë, siç shprehen ata, “marrëveshje historike” për Tregun e Përbashkët Rajonal.
Në këtë pikë edhe njëherë dëshmohet se i ashtuquajturi Minishengen, ka qenë që nga fillimi dhe vazhdon të mbetet projekt europian për Ballkanin Perëndimor, dhe jo aventurë ballkanike siç promovohej në qarqe të caktuara, që ka për qëllim çlirimin e potencialit ekonomik dhe avancimin e raporteve ndërshtetërore dhe ndëretnike brenda këtij rajoni.
Sigurisht se një nga faktorët kryesorë përse Bashkimi Europian po investon kaq shumë në këtë proces është skepticizmi politik i disa vendeve brenda për zgjerimin e bllokut dhe kjo mund të lexohet edhe si përpjekje për ruajtjen e status-quosë në raport me zgjerimin, megjithatë një proces i tillë sjell përfitime për vendet e Ballkanit Perëndimor, meqë është në funksion të paqes dhe stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe promovimit të vlerave perëndimore. E rëndësishme është se ky proces është nën patronatin e Bashkimit Europian dhe se këtu nuk kemi të bëjmë me zëvendësim të integrimit në bllok, por me një fazë përgatitore ose adaptuese me politikat që ka blloku në fjalë.
Pavarësisht se anëtarësimi në Bashkimin Europian duket jo dhe aq afër dhe i mundimshëm, kjo rrugë nuk ka alternativë. Procesi i anëtarësimit për në Europë duhet vlerësuar njëjtë për nga rëndësia, edhe si rrugë, edhe si destinacion, në kuptimin që përgjatë rrugës ndodh transformimi më i madh i shteteve nga brenda, dhe se mosarritja e shpejtë në destinacion nuk nënkupton zhbërje ose minim të progresit të arritur në rrugë e sipër.
Në lidhje me zgjerimin, Bashkimit Europian dhe Ballkani Perëndimor premtimet dhe interesat i kanë reciprokë. Blloku i ka premtuar perspektivën dhe integrimin këtij rajoni, ndaj të cilit ka interesa të shumëfishtë. Në anën tjetër, edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor i kanë premtuar BE-së orientimin drejt tij, teksa integrimin në të e shohin si një etapë tjetër për ekonominë dhe demokracinë e vendit. Ndërkohë, është krejtësisht e qartë se hapja e BE-së për Ballkanin Perëndimor nuk është çështje e njëanshme.
Gjasat për anëtarësim në bllok do të rriten atëherë kur do të ketë, në njërën anë, një qeverisje më serioze, profesionale dhe dinamike në vendet e rajonit perëndimor, dhe në anën tjetër, një stabilizim të plotë politik brenda BE-së. Pa ndodhur këto, vështirë që zgjerimi do të vendoset në krye të agjendës. Një momentum i tillë politik aktualisht mungon, prandaj integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE vazhdon të mbetet vetëm një ‘projekt në implementim’, finalizimi i të cilit nuk dihet se kur do të ndodhë.