Nga Blendi Lami
Në sytë e Europës, Ballkani tashmë konsiderohet më shumë një brez sigurie sesa një territor me aftësi integrimi në strukturat e Bashkimit Europian, sipas kritereve të vendosura nga Komisioni Europian, në kuadër të zgjerimit.
Në kushtet e sotme, kur Turqia nuk është më “garnizoni” i dikurshëm që frenonte Rusinë nga juglindja e Europës, dhe kur vetë Turqia ka synime ekspansioniste drejt Ballkanit, amortizimi për sigurinë e Perëndimit zhvendoset vetvetiu në Ballkan. Për këtë arsye, BE synon që pjesa e Ballkanit që nuk është në Union – i ashtuquajturi Ballkani Perëndimor (BP) – të përfshihet në strukturat e veta. Komisioni Europian dhe qeveritë e shteteve anëtare trumbetojnë termin e tejpërdorur “integrim”, një proces, pikat e të cilit vendet e BP vështirë se do t’i përmbushin për një kohë të gjatë.
Duke e kuptuar këtë pamundësi, në retorikën e BE, termi “integrim”, tanimë është më shumë eufemizëm për termin “siguri” – mbrojtje nga Lindja, prej nga vijnë forma të ndryshme kërcënimi.
Por, aktualisht, kemi sinjale shpesh kontradiktore në lidhje me hapjen e negociatave për hyrjen e Shqipërisë në BE. Bazuar në premisën e sigurisë, BE, një strukturë tejet e shpesh apatike në vendimmarrje, po heziton të ndërmarrë hapa të sigurt për përfshirjen e vendeve të BP në Union. Kjo ndodh për disa arsye: së pari, BE si institucion nuk gëzon imponimin e nevojshëm supranacional, teksa sfidohet haptazi nga shtetet sovrane anëtare; së dyti, shtetet anëtare kryesore ndihen të frenuara për zgjerim të BE, pasi kanë problemin e elektoratit antiballkanik; dhe së treti, BE, nga paraliza që e ka kapur, ndihet si “spektatore”, shpesh e mënjanuar dhe e shpërfillur, në përplasjen gjeopolitike SHBA-Rusi në Ballkan.
Ngurrimi i BE buron nga këto arsye, por kohët e fundit kanë ndodhur ndryshime në qasjen europiane ndaj Ballkanit. Nevoja për siguri në Europë po merr me tepër prioritet, në raport me orientimin e ardhshëm të institucionit të dobët europian, politikat populiste të vendeve skeptike dhe mosdashjen për të qenë më tej “spektatore” në ndeshjen SHBA vs. Rusi, ndeshje që shpesh bëhet edhe me tre lojtarë, pasi në lojë futet edhe Turqia.
Kjo dobësi në politikën e BE ka krijuar prej kohësh në Ballkan një vakum gjeopolitik që mbushet nga SHBA dhe Rusia. Marrim shembullin e përplasjes në distancë SHBA-Rusi, e cila nuk bëhet drejtpërdrejt, por përmes dy hapësirave, në të cilat këto fuqi të mëdha kanë influencë, ndërkohë që BE nuk ka rolin e dëshiruar, dhe shpesh është vëzhguese. Nga njëra anë, Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën si kërcënim për interesat e saj kombëtarë. Qeveria serbe jep mbështetje të madhe për serbët kosovarë, me qëllim që t’i përdorë sa herë të jetë e nevojshme, qoftë për destabilizim të brendshëm, qoftë në vendimmarrje të shtetit të Kosovës. Presidenti serb Vuçiç ishte në Moskë muajin e kaluar, ku diskutoi me presidentin rus Putin plane për bashkëpunim të ardhshëm, progresin e investimeve të përbashkëta dhe çështjet ballkanike – tepër me interes për Rusinë. Nga ana tjetër, SHBA ka krijuar një lidhje shumë të fortë me Shqipërinë, apo, për t’u shprehur më saktë, me hapësirën shqiptare (plus Kosovën dhe Maqedoninë). Me këtë qëndrim amerikan, Serbia është e detyruar të mbajë distancë, por njëkohësisht rrezikon shpesh ndezjen e një konflikti rajonal për të testuar reagimin amerikan, dhe për të futur në lojë aleaten e vjetër, Rusinë. Në lojë, është edhe Turqia, e cila ka ndikim të theksuar në zonat me shumicë myslimane. Vetëm para disa ditësh, presidenti Erdogan bëri fushatë elektorale në Sarajevë, me qëllim që t’u tregojë votuesve turq në vendin e tij, se influenca e Turqisë në Ballkan po rritet.
E ndodhur në këtë lojë, parashikohet që BE të bëjë lëvizjen e momentit, duke hapur negociatat me Shqipërinë. Është e dukshme se ka arritur të nuhasë rrezikun ballkanik, “fuçinë e barutit” e cila duhet menaxhuar që të mos shpërthejë. Pavarësisht se platforma e politikës sonë të jashtme është integrimi në BE dhe në vend ka elita të forta pro perëndimore, prapëseprapë, ky vend, me demokraci të dobët, trashëgimi komuniste dhe kulturë kryesisht orientale, nuk mund të futet në Europë me kauzën e integrimit përmes reformave, por me kauzën e nevojës për garantimin e sigurisë europiane (kauzën e dytë europianët e përfshijnë nën ombrellën e gjerë të termit “integrim”).
Kjo formë e sigurisë normalisht si mbrojtje në kufi të Europës përballet me shumë sfida, të cilat nuk “kurohen” me reforma integruese, që kanë qenë normale për vendet europiane, por me reforma imponuese, në kuadër të fushës së sigurisë. Në politikën e brendshme, Ballkani, dhe në veçanti Shqipëria, përballet me mungesë të zbatimit të ligjit, korrupsion, krim të organizuar, oligarki, media e kontrolluar, shoqëri civile e dobët. Në politikën e jashtme, rajoni përballët me sfida të tilla, si: siguria rajonale dhe ndërkombëtare, emigracioni, ristrukturimi gjeostrategjik rajonal në rendin ndërkombëtar, radikalizmi islamik, nacionalizmi si burim konflikti.
BE duhet ta dijë se Ballkani, në periferi të Europës, historikisht kufi i perandorive të mëdha dhe blloqeve ideologjike, është normalisht edhe sot një terren i lakmuar nga fuqitë e mëdha. Shqipëria, si pjesë e kësaj zone, ka rëndësi të madhe për sigurinë e Perëndimit. Kështu, Europa, e diktuar nga nevoja e saj për siguri, duhet të hapë negociatat me Shqipërinë, për të dhënë sinjale pozitive për orientimin e ardhshëm të vendit, pavarësisht trysnive negative nga një qeveri shqiptare pa platformë të qartë për të ardhmen e vendit, nga një opozitë shqiptare tejet e çorientuar dhe nga doktrina të fuqive lindore që nuk e shohin Shqipërinë në Europë.
Pra, duke ndjekur kutin e sigurisë, Shqipëria do të përfshihej më shpejt në BE, dhe do të vihej nën kontrollin e Europës, pas një dështimi spektakolar të politikës vendase në menaxhimin e vendit. Me zgjerimin e saj BE do të fitonte më shumë kredibilitet si një fuqi botërore që nuk toleron “zaptim” brenda domenit të saj, do të eksportonte në Ballkan stabilitet, demokraci dhe mirëqenie ekonomike, si dhe do të minonte planet e rivalëve, duke marrë në dorë njëherë e mirë frenat e “menaxhimit” të rajonit.